-2.5 C
Pristina
Friday, January 17, 2025

Sekt apo Bashkësi?

Më të lexuarat

Sekt apo Bashkësi?

Për myslimanët në mbarë botën, bashkësia e besimtarëe që jetoi eventin e shpalljes dhe mori mësimet e traditës nga vetë Profeti Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, shërben si model ku ne kthehemi për t’u frymëzuar, për të parë si kuptuan tekstet e shenjta dhe si krijuan dinamikat e një komuniteti njerëzish të bashkuar në etosin e dashurisë dhe shërbimit në rrugën e Zotit. Gjenerata myslimanësh kanë ruajtur dhe transmetuar fjalët dhe veprat e tyre si pjesë e urtësisë kolektive të bashkësisë.
Në kërkim të njohjes së traditës tonë fetare, shumë prej nesh studiuam dhe mësuam për shembullin e këtyre fanarëve ndriçues në rrugëtimin tonë shpirtëror. Ne frymëzohemi nga shembujt e Ebu Bekrit dhe Omerit, Aishes dhe Sumejes. Por si pjesë e kësaj tradite kolektive nuk janë transmetuar vetëm fjalët dhe veprat e këtyre gjigandëve të traditës, por edhe shembujt e myslimanëve të asaj gjenerate të parë të cilët shpesh nuk mundeshin të realizonin principet dhe praktikat morale të fesë.
Na transmetohet se për të disatën herë, një prej dishepujve (sahabëve) të Profetit, Zoti qoftë i kënaqur me të, u gjet i pirë e disa prej sahabëve të tjerë e mallkuan atë. I dashuri jonë, Profeti Muhamed, u tha atyre e njëkohësisht na mësoi dhe ne që mos e mallkonin atë mysliman të pirë sepse ai e donte Zotin dhe Profetin e Tij. Ky njeri vërtet kishte dështuar në realizimin dhe përmbajtjen e ndalesave të Zotit, por kjo nuk bëri që ai të përjashtohej nga bashkësia e besimtarëve.
Na transmetohet në një tjetër hadith se një prej pasuesve të Profetit i tregoi atij, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, se ai ishte takuar me një grua për të cilën kishte patur ndjenja kohë më parë dhe pa qenë i martuar me të e kishte puthur, në ç’rast Profeti e mësoi për forcën dhe cilësinë pastruese të lutjes, të namazit.
Gjenerata e parë e besimtarëve, ajo bashkësi tek e cila kthejmë kokën për të mësuar prej tyre, ka qenë një bashkësi që pati vend për shenjtorë apo njerëz me kontradikta, kalorës luftarakë e njerëz që shpesh nuk gjendnin dot kurajon për të përballuar sfidat, poetë e asketë, burra e gra, arabë, persë, evropianë e afrikanë. Rastet e mësipërme janë vetëm dy raste ndër shumë të tillë që na tregojnë se ajo bashkësi nuk ishte një bashkësi uniforme, se njerëzit për të cilët mësojmë dhe tek shembulli i tyre frymëzohemi përfaqsonin diversitetin e karaktereve e personaliteteve njerzore dhe mësimet e fesë që solli Profeti nuk kërkonin të uniformizonin anëtarët e bashkësisë, por për t’i ofruar secilit realizimin e potencialit të vet shpirtëror, për të ofruar një hartë të udhëtimit shpirtëror, por mbi të gjitha, për të ofruar jo një utopi uniformiteti, por një model bashkësie që njeh dhe vlerëson diversitetin njerzor.
Në shekujt që pasuan kodifikimin e dijeve të shenjta të Islamit, pamë dhe krijimin e shkollave të mendimit, të cilat u njohën historikisht si pjesë e ortodoksisë islame. Duke pranuar kodifikimin e Islamit si agregat i disa shkollave fetare, duke refuzuar një autoritet të vetëm, u sigurua që tradita islame të ishte përherë multivokale. Këto shekuj njohën dhe përhapjen e Islamit në territore gjeografike e në rajone kutlturore të ndryshme. Një nga parimet e njohura në mendimin islam ishte ai që njihte validitetin fetar të traditave lokale për sa kohë që ato nuk binin në kundërshtim me principet bazë të fesë, gjë që siguroi përhapjen e Islamit në territore kulturalisht diverse. Siç shkruan Noah Feldman, profesor pranë Universitetit të Harvard, Islami dhe Krishtërimi janë si futbolli, i cili edhe pse lindi në Angli, është bërë loja e preferuar e sa e sa vendeve të botës. Dijetarët e urtë të Malit do thonin se uji i lumit është i kthjellët, por mbart ngjyrën e shtratit ku kalon.
Teksa ne përpiqemi të ndërtojmë një bashkësi fetare në rrënojat shpirtërore që la pas komunizmi, përballur me sfidat e një bote ku fetë shpesh janë pjesë e konflikteve në rijte të një bote gjithnjë e më të ndërlidhur, na duhet të reflektojmë mbi këto karakteristika themeltare të traditës tonë fetare. Pa komentuar mbi qëndrimet shpesh të kundërta që pasuan shkrimin e Ludi Camit në këtë faqe, marrim shkas nga polarizimet që u reflektuan për të vënë në dukje një numër gjërash:
Islami ka patur përherë brenda vetes një traditë askete, puritane që është e mirëmbështetur në tekstet themeltare dhe në traditën skolastike. Ky qëndrim puritan, të cilin autori i këtyre rradhëve e vlerëson dhe e mbështet do tradhtonte principet mbi të cilat identifikohet nëse do mbarte arrogancën e të parit të myslimanëve të tjerë si më pak të vlefshëm kur nuk aderojnë në të njëjtat qëndrime. Islami, gjithashtu, ka patur përherë dhe një traditë liberale, me të cilën autori i këtyre rradhëve më së shumti identifikohet, por ky liberalizëm kthehet në pasqyrë e fenomenit ndaj të cilit shërben si antidot kur përqafon të njëjtin prerogativ ekskluziviteti si konservatorët që mëton të kritikojë.
Në këtë frymë le të themi diçka edhe për një aspekt të debatit mbi hixhabin, formave të mbajtjes, estetikës etj. që u ndesh në debatin e sipërpërmendur. Islami, pa dyshim, sheh një lidhje të domosdoshme midis kredos, principeve të veta dhe praktikave fetare ndër të cilat edhe etika e veshjes, çfarë kërkohet të mbulohet nga trupi njerzor etj. Këto çështje trajtohen gjerësisht në literaturën e Fikhut, por një gjykim fetar i mbështetur vetëm në Fikh është gjysmak.
I Dërguari i Zotit, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, na njoftoi se ndër njerëzit e parë që do hyjnë në ferr janë një hoxhë, një dëshmor dhe një njeri i pasur që u dhuronte nga pasuria e tij nevojtarëve. Të tre këta njerëz në sytë tanë do ishin modeli i devotshmërisë ndaj fesë duke përfaqsuar dedikimin ndaj dijes fetare, sakrificën supreme dhe bujarinë. Por Profeti na njoftoi se i pari, hoxha, i ishte dedikuar dijes jo për hir të Zotit, por që të fitonte status dhe reputacion si njeri fetar dhe i ditur. Synimi i statusit kish motivuar dhe luftëtarin dhe atë që u jepte të varfërve. Brenda llustrës së devocionit të këtyre tre njerëzve fshihej hipokrizia dhe babëzia.
Por Profeti na njoftoi gjithashtu për një prostitutë, e cila kur pa një qen të etur pranë një pusi tregoi mëshirë duke i dhënë ujë dhe akti i saj u pranua nga Zoti sepse ishte akt i mirëfilltë rahme – mëshire dhe Zoti ynë, Rrahman është i Gjithëmiëshirshmi. Një prej ulemave tha që të tërë do duhej të dëshironim të ishim ajo prostitutë sepse ajo arriti atë që ne të gjithë synojmë, pranim nga Zoti. Përtej anës së dukshme të statusit të saj social, tek ajo prostitutë gjendej një qënie shpirtërore.
Feja jonë ka një traditë të qartë mbi të lejuarën dhe të ndaluarën, mbi praktikat e fesë, por dhe një dimension shpirtëror dhe etik që na frenon nga gjykimi i nxituar i të tjerëve, që na bën thirje të dedikohemi ndaj konponentit shpirteror dhe të jemi gjykatës të vetes e avokatë të të tjerëve, të preukupuar me mangësitë e vetes dhe jo me mangësitë e supozuara të të tjerëve dhe kjo do na bëjë të jemi më dashamirës dhe pranues ndaj njëri-tjetrit.
Sektet dhe kultet moderne fetare kërkojnë nga anëtarët e tyre të vishen, sillen e mundësisht të mendojnë njëlloj. Bashkësitë krijohen mbi pranimin e diversitetit brenda unitetit të të përbashkëtave, mbi fokusin jo tek të veçantat dalluese, siç bëjnë sektarët, por tek universalet që na bashkojnë dhe çdo traditë shpirtërore fokusohet në dashamirësinë dhe dashurinë ndaj krijesave të Zotit dhe në disiplinimin e vetes.
Marre nga: www.e-zani.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit