Kryediplomati i Serbisë, Ivan Mërkiq, thotë se zyrtari për marrëdhënie me Prishtinën do të jetë i vendosur në ndërtesën e BE-së në Serbi dhe nuk do të ketë “asnjë lloj zyreje”.
“Qeveria në Prishtinë, zyrtarin ndërlidhës mund ta quajë si të dojë. Mund ta quajnë ambasador ose përfaqësues nga kozmosi. E vërteta është se në ambientet e BE-së në Beograd do të punojë vetëm një njeri, i cili do të jetë personi kontaktues për çështje teknike”, ka thënë Merkiq, transmetojnë mediat serbe.
Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se ky person nuk mund të ketë tjetër titull veç se zyrtar për ndërlidhje.
Kosova ka emëruar ambasadorin Lulzim Peci në këtë post, kurse Serbia shefin e deritashëm të ekipit negociator për bisedime teknike, Dejan Paviçeviq.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë më heret se është arritur një marrëveshje e cila përcakton se zyra e cila do të hapet në Beograd do të quhet Zyra për Ndërlidhje me Republikën e Kosovës.
Emërimi i zyrtarëve ndërlidhës të vendeve përkatëse në Prishtinë e Beograd është rezultat i marrëvshjes së arritur në takimin e kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel. (sh.o.)