0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

‘Schengen-i shqiptar’: 15 familjarë të Behgjet Pacollit me nënshtetësi për ‘merita të veçanta’

Më të lexuarat

Fatjona Mejdini/ BIRN

Ilustrimet: Tremblat

Dekadën e kaluar, radhët e gjata jashtë ambasadave europiane ishin pamje mëngjesi në kryeqytetet anembanë Ballkanit, pasi shtetasit e vendeve që lindën nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe ata të Shqipërisë postkomuniste vargoheshin për të marrë një vizë për të udhëtuar në Perëndim.

Këto radhë tani kanë mbetur vetëm në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës; një simbol i shtetit të ri që po përjeton izolimin prej gati një dekade, pasi fqinjëve në Shqipëri, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni të Veriut iu është dhënë e drejta për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Europian.

Megjithatë, jo të gjithë kosovarët duhet të presin në radhë.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, nuk ka nevojë për vizë dhe kjo gjë nuk është çudi; as gruaja e tij; dy fëmijët e ish-kryeministrit, Isa Mustafa; djali i presidentit, Hashim Thaçi; shumë deputetë dhe ish-deputetë, si dhe një numër familjarësh të ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Të gjithë ata i bashkon një fakt: janë shtetas nderi të Shqipërisë fqinje, së cilës i është hequr regjimi i vizave në vitin 2010.

Praktika e dhënies së pasaportave për personat që konsiderohen si “interes i veçantë” është e zakonshme nëpër botë, shpesh si mënyrë për t’i nderuar të huajt e famshëm, për të shpërblyer ndonjë investim madhor ose për të forcuar ndonjë ekip sportiv, kombëtar.

Një hulumtim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, megjithatë thotë se sistemi në Shqipëri është shfrytëzuar për një numër në rritje të kosovarëve të frustruar – shumica prej tyre e përkatësisë etnike shqiptare – për të udhëtuar pa viza drejt Europës ose si mjet për të vizituar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të cilat janë rreth 80 prej 193 shteteve anëtare në OKB.

Shumë nga këto pasaporta e përmbushin kriterin e “interesit të veçantë”- artistë, sportistë, aktivistë të OJQ-ve dhe të tjerë që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Shqipëri.

Por ka edhe të tjerë, kontributi i të cilëve është i vështirë për t’u dalluar, përfitues të një procesi të mjegullt, në të cilin në disa raste ai që njihni çon më shumë peshë se ajo që dini. Për disa të privilegjuar, të cilët tashmë kanë letrat e BE-së, pasaporta shqiptare është thjesht një kujtim, një simbol i përkatësisë së tyre ndaj një kombi shqiptar.

Kalimi i radhës

11 vjet që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia me mbështetjen e Perëndimit, kosovarët janë ende në pritje të së drejtës për të udhëtuar lirshëm në zonën pa kufi, Schengen, përderisa udhëtimet në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe pasaportat, gjithashtu paraqesin problem.

Në qershor të vitit 2018, Komisioni Europian bëri të ditur se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave, më i rëndësishmi nga të cilët ka qenë ratifikimi në Kuvend i Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi dhe një forcim i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Vendimi tani mbetet në dorë të 28 shteteve anëtare të BE-së.

Dukej si një vendim që do merrej shpejt, por u shty, për shkak të hezitimit të disa vendeve anëtare të BE-së për t’i hapur dyert një fluksi të mundshëm të kosovarëve dhe për shkak të viteve të dështimit për t’i dhënë fund ryshfetit endemik dhe krimit të organizuar.

Por, ndërkohë që kosovarët e zakonshëm po paguajnë një çmim të lartë, disa, përfshirë anëtarë të familjeve të politikanëve që janë padyshim përgjegjës për procesin e ngadaltë të përparimit, e kanë gjetur një rrugë për ta mënjanuar problemin.

Duke punuar me një ekip të koduesve, BIRN ka përdorur një metodë për të nxjerrë nga fletorja zyrtare e Shqipërisë një nga një të gjithë emrat, të cilëve iu është dhënë shtetësia shqiptare që nga viti 2000 nën Nenin 9, paragrafi 7 të Ligjit shqiptar të Shtetësisë të vitit 1998 – rastet kur Tirana shquan “një interes shkencor, ekonomik, kulturor apo kombëtar”.

Lista e emrave që ka përpiluar BIRN nuk përfshin shtetësinë origjinale, por emrat e shqiptarëve etnikë përbëjnë shumicën dërmuese të 733 rasteve deri në fund të vitit 2018.

Brenda Ballkanit shqiptarë etnikë llogariten 90% e popullatës 1.8 milionëshe të Kosovës, si dhe ata në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.

Që nga viti 2009, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi janë duke gëzuar të drejtën e lëvizjes pa viza në BE.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina e morën këtë të drejtë në fund të vitit 2010 dhe në vitin 2013 Shqipëria deklaroi se të gjithë shqiptarët etnikë kanë të drejtë të kërkojnë shtetësi shqiptare në bazë të etnisë, por përjashtoi Kosovën, në mënyrë që të mos e çrregullojë procesin e liberalizimit të vizave për shtetin e ri.

Proporcioni i saktë i shqiptarëve të Kosovës në listë nuk dihet, por nga emrat që BIRN-i ishte në gjendje të kontrollonte, duke marrë parasysh profilin publik dhe rrjetet sociale, del se shumica dërmuese vijnë nga shteti më i ri.

Thënë qartë, që nga koha kur BE e zgjeroi të ashtuquajturin Schengen i bardhë në Shqipëri, ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të “shqiptarëve të privilegjuar”.

Nga 733 raste që nga viti 2000, 564 erdhën, pasi Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Në vitin 2008 ishin vetëm tri raste, ndërsa në vitin 2012 ishin 72, kurse rekordi u arrit në vitin 2018 me 119 raste.

Lista përbëhet nga emra të njohur të biznesmenëve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, artistëve, sportistëve e sportisteve – shumë nga të cilët ia kanë borxh dhe i janë mirënjohës Shqipërisë që iu ka dhënë mundësinë e të pajisurit me një pasaportë për t’u ngritur në karrierë.

“Pas liberalizimit të vizave, ne u përballëm me kërkesa për shtetësi, sidomos nga njerëzit nga Kosova”, thotë për BIRN-in Ferdinand Xhaferraj, i cili ishte ministër i Kulturës, në kohën kur Shqipërisë iu dha liberalizimi i vizave.

Xhaferraj tha se çdo kandidat duhej ta meritonte këtë trajtim të veçantë dhe se çdo rekomandim nga një ministri apo organizatë e shoqërisë civile duhej të vinte me një dosje përplot me argumente.

“Të jem i sinqertë, rritja e kërkesave ishte logjike dhe, nëse kërkesa nuk binte ndesh me ligjin, ne e kishim detyrim t’i mbështetnim bashkatdhetarët tanë”.

Pa mbikëqyrje të pavarur

Lista megjithatë përfshin një numër individësh të lidhur me politikën.

Aty qëndrojnë disa emra – Anita Haradinaj, gruaja e kryeministrit të Kosovës, e cila e mori shtetësinë me meritë të veçantë në vitin 2017, në të njëjtën kohë me burrin e saj;

Endrit Thaçi, i biri 20-vjeçar i presidentit Hashim Thaçi, i cili mori shtetësinë e nderit në maj të vitit 2018; Afërdita e Besnik Mustafa, vajza dhe djali i ish-kryeministrit, Isa Mustafa, të cilët e morën shtetësinë shqiptare në janar të vitit 2018; si dhe 15 anëtarë të familjes Pacolli.

Në një kohë kur mund të jetë e argumentuar se disa politikanë e biznesmenë i plotësojnë kriteret për shtetësi në bazë të ‘meritave të veçanta’, nuk ka asgjë në ligj që thotë se këtë trajtim duhet ta kenë automatikisht edhe anëtarët e familjeve të tyre.

Arsyeja specifike pse dikush mund ta meritojë shtetësinë e nderit – pse Shqipëria i sheh ata si ‘interes i veçantë’- është konfidenciale. Duke qenë se arsyeja specifike pse dikush mund ta meritojë shtetësinë e nderit është konfidenciale, është e pamundur të përcaktohet, nëse anëtarët e familjeve të politikanëve kryesorë kosovarë i kanë marrë pasaportat si rezultat i punës apo lidhjeve të tyre.

Megjithatë, Anita Haradinaj tha për BIRN-in se e ka marrë shtetësinë në bazë të “meritës speciale” për shkak të punës së burrit të saj.

Intervistat me disa nga ata që kanë marrë shtetësinë shqiptare, njerëz që kanë aplikuar dhe burime nga qeveria flasin për një proces me shumë pak udhëzime të qarta se si të aplikohet për shtetësi dhe si jepet ajo, por edhe për një mungesë të dukshme transparence.

Pas disa kërkesave për informacion mbi dokumentet zyrtare të dorëzuara në zyrën e Presidentit të Shqipërisë, si dhe kërkesave për informacion drejtuar disa ministrive të qeverisë, BIRN-it i është thënë se një informacion i tillë konsiderohet “e dhënë personale” dhe si e tillë nuk mund të jepet.

Një kërkesë për ndërmjetësim, e bërë te Komisionari për Informacion dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale, mbeti pa përgjigje.

“Si është e mundur që merita e veçantë e dikujt të mbetet çështje private?” tha Spartak Ngjela, ish-ministër i Drejtësisë nga radhët e Partisë Demokratike, tani në opozitë, dhe ish-drejtues i Komisionit parlamentar të Ligjeve.

“Këtu nuk është në pyetje vetëm ligji për Informacionin, por edhe moraliteti i shtetit.”

Sipas ligjit shqiptar, vetëm presidenti ka autoritetin për të dhënë shtetësinë e nderit, zakonisht pas një propozimi nga një ministri specifike e qeverisë – shpesh ajo e Kulturës dhe Sporteve ose ajo e Ekonomisë.

Presidenti është i obliguar të sigurojë vetëm që kandidati nuk paraqet rrezik për sigurinë kombëtare.

Duket se nuk ka mbikëqyrje të pavarur të procedurës.

Ngjela thotë se mungesa e udhëzimeve, transparencës ose mbikëqyrjes nënkupton se ligji lë mundësi për abuzime.

“Si mund të mos dyshojë dikush se ky proces iu është nënshtruar pazareve?” tha ai.

“Ne kemi vetëm një nen në ligj për këtë çështje dhe tërë procesit i mungojnë detajet”.

Është e qartë se dhënia e shtetësisë në këtë mënyrë është e drejtë e presidentit, por institucionet e tjera mund ta mbikëqyrin procesin, siç është Akademia e Shkencave për shembull”.

Shqipëria tani është duke konsultuar një ligj të ri që rregullon shtetësinë, i cili mund të çojë në udhëzime se si të vlerësohet “interesi shkencor, kulturor dhe kombëtar” në rastet e meritës së veçantë.

Manjati i ndërtimit

Një mbiemër familjeje në mënyrë specifike doli në pah gjatë hulumtimit të BIRN-it: Pacolli.

I raportuar gjerësisht si një nga shqiptarët më të pasur në botë, Behgjet Pacolli, i lindur në Prishtinë, kontrollon firmën e ndërtimit Mabetex të regjistruar në Zvicër dhe që nga shtatori i vitit 2017 mban postin e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Nga më shumë se 700 personat që kanë marrë shtetësi nderi shqiptare që nga viti 2000, së paku 15 janë të lidhur me Pacollin. Duke filluar nga viti 2015, kur Bujar Nishani ishte President i Shqipërisë, vëllai i Pacollit, Selimi, gruaja dhe tre fëmijët e tij, katër kushërinj, si dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së gjerë kanë përfituar shtetësi shqiptare.

I pyetur pse ka pranuar një numër kaq të madh shtetësish për familjen Pacolli, Nishani, një demokrat, tha për BIRN-in se ata janë propozuar nga ministra të qeverisë socialiste të Edi Ramës mbi bazën se kjo familje konsiderohet “investitor strategjik” në Shqipëri.

Ndërkohë që familja Pacolli ka disa interesa biznesi në Shqipëri, projekti më i madh ende po pret dritë të gjelbër. Mabetex, e cila kontrollohet dhe menaxhohet nga familja Pacolli, ka plan për të ndërtuar një resort turistik prej18 mijë shtretërish në Parkun Kombëtar të Karavastasë në Divjakë, por projekti pret miratimin e autoriteteve dhe përballet me kundërshtime të mëdha nga ambientalistët.

I pyetur për shtetësinë e tij, Selim Pacolli, i cili është bërë zëvendëskryetar i bashkisë së Prishtinës në dhjetor të vitit 2017, tha për BIRN-in: “Do duhej kohë e gjatë për t’i listuar të gjitha kontributet që familja e tij ka dhënë për shtetin amë. Ai, gruaja dhe fëmijët e tij nuk e kanë problem lirinë e lëvizjes në Europë, meqë kanë edhe shtetësi zvicerane”, tha Selim Pacolli.

“Arsyeja pse kam aplikuar për këtë pasaportë, është që të kemi një dokument kombëtar me shqiponjë në të”, tha ai për BIRN, duke iu referuar shkabës dykrerëshe, simbol kombëtar i Shqipërisë.

“Është e tmerrshme që shtetasit e Kosovës nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në Europë, por përgjigjja për të duhet të kërkohet në institucionet më të larta shtetërore”, tha Selim Pacolli.

I pyetur për shumë nga të afërmit e tij që kanë marrë shtetësi shqiptare, Behgjet Pacolli tha se “të afërmit e mi kanë marrë pasaporta shqiptare se e kanë për krenari” dhe se “shumica absolute e tyre për arsye logjistike kanë pasaporta europiane”.

BIRN nuk ishte në gjendje të vërtetonte sa familjarë të Pacollit mbajnë pasaporta europiane dhe sa kanë kërkuar që nga “krenaria” të mbajnë pasaporta shqiptare.

Vetë Pacolli e ka marrë shtetësinë shqiptare në prill të vitit 2018. Ai gjithashtu ka edhe pasaportë zvicerane.

Në një deklaratë Mabetex tha për BIRN-in se kishte “luajtur rol të madh në zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri në projekte dhe në punësim brenda dhe jashtë vendit”, por nuk iu përgjigj pyetjeve specifike rreth zhvillimit të Divjakës.

Nishani tha se në rreth 80 për qind të rasteve që përfshijnë kosovarët, shtetësia iu është dhënë futbollistëve dhe shpjegoi se ata ishin të shumtë në dy ose tri vitet e fundit të presidencës së tij, meqë Shqipëria e forcoi ekipin kombëtar me kosovarë.

“Disa nga ata ishin sportistë të mëdhenj, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në ngjarje ndërkombëtare, për shkak se pasaporta kosovare nuk njihej, të tjerë ishin artistë të ndryshëm, të cilëve shtetësia iu dha me kërkesë të Ministrisë së Kulturës”, tha Nishani për BIRN-in.

“Disa ishin politikanë të rëndësishëm, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të cilët nuk mund të merrnin pjesë në emër të Kosovës në aktivitete të rëndësishme politike, për shkak se pasaportat e tyre shpesh nuk njiheshin”.

“Jam krenar për të gjitha rastet, në të cilat unë kam dhënë shtetësi shqiptare për shqiptarët e Kosovës dhe më vjen keq që nuk kam mundur t’iu jap shtetësi të gjithë atyre që e kanë kërkuar, sepse ligji fatkeqësisht kishte disa kufizime”, tha ai për BIRN-in.

Nishani mohoi që procesit t`i mungonte transparenca, duke thënë se procedurat ishin qartësisht të garantuara në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

I pyetur nëse sistemi po përdorej vetëm në interes të njerëzve të fuqishëm, Nishani u përgjigj: “Nëse me njerëz të fuqishëm nënkuptoni ata që janë anëtarë apo përfaqësues të institucioneve shtetërore në Kosovë, atëherë mendoj se kjo e ndihmon lëvizjen e tyre të lirë për të përfaqësuar shtetin dhe popullin e Kosovës dhe kjo është gjë e mirë”.

BIRN provoi të kontaktojë me Endrit Thaçin, të birin e presidentit Hashim Thaçi, përmes llogarisë së tij në Instagram, në të cilën ka gati 20 mijë ndjekës, por nuk mori përgjigje.

BIRN nuk mori përgjigje as nga presidenti Thaçi, as nga ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Besnik Mustafa, i pyetur për familjen e tij, tha se ata “kanë ndjekur procedurat ligjore” dhe përmendi faktin që ai më herët kishte pasur leje qëndrimi në Shqipëri me qëllim që të merrte shtetësinë.

Fletorja zyrtare megjithatë përmend qartë se dy fëmijët e Isa Mustafës kishin marrë shtetësinë mbi bazën e “meritës së veçantë”.

BIRN gjithashtu provoi të kontaktojë me Afërdita Mustafën përmes Facebook-ut, por nuk mori përgjigje.

Donjeta Gashi, këshilltare politike e Ramush Haradinajt, tha se kryeministri kishte marrë një pasaportë shqiptare në bazë të një vendimi të qeverisë së Shqipërisë “për ta nderuar atë”, por nuk komentoi rreth vendimit për t’i dhënë shtetësinë gruas së tij me ‘meritë të veçantë’.

Shtyrja e procesit

Në intervista me disa kosovarë që kanë marrë shtetësinë shqiptare ose janë në proces të aplikimit disa thanë se fuqia e raporteve personale ka luajtur rol të rëndësishëm.

Disa thanë se iu është dashur të kenë rekomandim mbështetës nga një institucion publik, të tjerë e morën atë pa pasur mbështetje. Për disa procedura ishte e ngatërruar.

“Kam dëgjuar dhjetëra raste, në të cilat shtetasit e Kosovës kanë marrë shtetësi në mënyrë të përshpejtuar. Unë shoh se procesi është i papërshtatshëm dhe pa meritokraci”, shkroi Alba Alishani, një gazetare e lindur në Kosovë dhe drejtuese e një emisioni televiziv në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në përgjigje të pyetjes së BIRN-it.

Ajo ishte në proces aplikimi mbi bazë të punës si gazetare.

Në vitin 2010, Flamur Vezaj, një gazetar shqiptar nga Kosova, kërkoi nga Ministria e Kulturës ta rekomandojë te presidenti që t’i jepet shtetësia e ‘meritës së veçantë’ për kontributin e tij në gazetarinë shqiptare. Ministria, tha ai, bashkëpunoi.

Por, pas pesë muajsh pritjeje pa një përgjigje nga zyra e Presidentit, Vezaj vendosi ta shtyjë përpara procesin dhe kërkoi përmes miqve të përbashkët të takojë sekretarin e Përgjithshëm të Presidencës, tashmë të ndjerin Aleksandër Flloko.

“E takova dhe i kërkova që propozimi të miratohet, tha ai për BIRN-in. “Besoj se sikur të mos e kisha takuar, rasti im do të mbetej në arkiv”.

Zyra e Presidentit tha se nuk mund të komentojë rreth këtyre dyshimeve, për shkak se Flloko tashmë ka vdekur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit