Gjatë këtij viti, Samsung në bashkëpunim me operatorin mobil japonez – NTT DoCoMo, do ta lansojë modelin e saj të parë të telefonit të mençur të cilin do ta bazojë në sistemin e saj operativ, Tizen.
Për të gjithë ata që nuk janë të informuar, Tizen është një sistem i hapur operativ i bazuar në Linux, i cili është zhvilluar pas venitjes së MeeGo.
Prodhuesi finlandez Nokia kishte lansuar dy modele të telefonit në MeeGo, përkatësisht modelet Nokia N9 dhe Nokia N950.
Megjithatë, më vonë Nokia vendosi të hyjë në partneritet me Microsoft, duke krijuar hapësirë që sistemi operativ MeeGo të mbështetet nga Samsung, Intel dhe të tjerët, të cilët më pas morrën përsipër zhvillimin e sistemit operativ i cili tani është i njohur me emrin Tizen.
Sot, Tizen shihet si një sistem operativ alternativ ndaj platformave kryesore mobile si iOS dhe Android.
Samsung gjithmonë është kujdesur që të mos mbështetet vetëm në Android, pasi edhe më parë kompania kishte provuar ta zhvillojë sistemin e saj operativ, Bada, i cili nuk ishte popullarizuar mjaftueshëm, mbase edhe për t’i lënë hapësirë platformës së re, Tizen.