Lideri global në telefona mobil Samsung, vendosi të krijojë sasi të mjaftueshme të Galaxy S6 Edge të cilat do ti shiste tek adoptuesit e hershëm dhe fansat e teknologjisë së fundit mobile.
Mirëpo, me modelin e saj më të ri të telefonit me skaje të lakuara të ekranit, Samsung me sa duket nuk i ka bërë mirë llogaritë sepse kërkesa për Galaxy S6 Edge është e jashtëzakonshme.
Për ta përballuar kërkesën, Samsung-ut i është dashur të hapë një fabrikë të tretë të prodhimit për ti trajtuar kërkesat e konsumatorëve për pajisjen më të fundit innovative.
Samsung thotë se tani do të jetë në gjendje të prodhojë 5 milionë ekrane të Galaxy S6 Edge në muaj në vend të 2 milione njësive sa krijonte deri më tani për një muaj – që do të thotë se Galaxy S6 Edge mund ta përballojë kërkesën e madhe të tregut.
Galaxy S6 Edge sjell ekranin me 5.1” në cilësinë Super AMOLED me Quad HD në 2,560 x 1,440 piksel (rreth 577ppi), kamerën e përparme me 5MP me f/1.9, kamerën e pasme me 16MP me f/1.9, procesorin e kompanisë octa-core Exynos 7420, 3GB RAM, minimum 32GB memorie të brendshme me baterinë prej 2,600mAh si dhe mbushësin pa tela. (Telegrafi)