Rreth 45 milionë eurot e shpenzuara nga Jurgen Klopp për ta transferuar sulmuesin egjiptian po japin rezultate të jashtëzakonshme. Salah nuk rresht së shënuari dhe Liverpool ka rastin të kthehet mes katër më të mirave të Champions League pas dhjetë vitesh. Madje, ka nga ata që kanë filluar të flasin për “Topin e Artë”.
Në Itali nuk ishte shumë cinik, ka thënë pak ditë më parë Klopp. Ndoshta është e vërtetë, por ajo që është e sigurt është se Salah ka ndryshuar pozicionin në fushë. Me Spallettin luante mbrapa krahëve të Xhekos, i cili fitoi edhe titullin e golashënuesit më të mirë të kampionatit, derisa tani ai është super ylli i treshes së frikshme sulmuese te Liverpool.
Francesco Totti, shumë kohë më parë, ka thënë: “Përveç se është një mik i madh, është edhe një nga më të fortët në botë”. De Bruyne, pas humbjes së pastër të pësuar në Champions, ka thënë: “Do të votoj për të si lojtari më i mirë i Premier League”.
Statistikat e Salah janë të jashtëzakonshme. Në 31 ndeshje të Premier League, ka realizuar 29 gola dhe ka dhënë 10 asistime. Por ka qenë një “vrasës” i vërtetë edhe në Champions League, ku ka shënuar 7 gola në 9 ndeshje. Salah është golashënuesi më i mirë në Premier dhe ka mundësinë t’i marrë fronin Harry Kane. 29 golat e shënuar i japin vendin e parë edhe në renditjen e “Këpucës së Artë”. Nëse do ta fitojë, do të ishte afrikani i parë. Nuk kanë arritur ta bëjnë as Rabat, madje as Weah dhe Drogba./is