-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Sa iu rrit vlera 6 prej kompanive më të mëdha në botë gjatë vitit 2021?

Më të lexuarat

Kompanitë më të mëdha në botë vazhduan të kishin rritje edhe në vitin 2021.

Gjatë vitit të kaluar, Apple dhe Microsoft arritën vlerën e tregut prej pothuajse 3 trilion dollarësh, ndërsa Tesla dhe kompania mëmë e Facebook, Meta, kapën për herë të parë shifrën historike prej 1 trilion dollarësh. Vlera e tregut e një kompanie është vlera totale e të gjitha aksioneve të saj.

Nga gjashtë kompanitë më të mëdha në botë, të gjitha përveç Saudi Aramco janë firma amerikane të teknologjisë dhe të gjitha vlejnë më shumë se 1 trilion dollarë.

“Kompanitë e teknologjisë që kapin vlerën prej 1 trilion dollarë shihen si diҫka shumë normale në Silicon Valley tani,” tha për CNBC Make It Dan Ives, analist i teknologjisë në Wedbush Securities. “Nuk është më një ngjarje aq e madhe nga sa ishte vetëm dy ose tre vjet më parë. Kjo tregon se kompanitë e mëdha të teknologjisë (Big Tech) po dalin nga pandemia në një pozicion të pakonkurrueshëm.”

Apple, Microsoft, Alphabet, Amazon, Tesla dhe Facebook shtuan në total 2.9 trilion dollarë në vlerën e tyre të përbashkët të tregut gjatë vitit 2021, sipas të dhënave deri më 23 dhjetor nga Factset. Ja se si ndahet kjo shifër për secilën nga kompanitë, nga ato me vlerë më të madhe të tregut tek ato me vlerë më të vogël.

 

Apple (+30%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 2.2 trilion dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 2.9 trilion dollarë

Pavarësisht problemeve të panumërta me zinxhirët e furnizimit që kanë penguar prodhimin e produkteve kryesore si iPhone, pavarësisht se kompania e ka kaluar kufirin e 2 trilion dollarëve pak kohë më parë, në gusht të vitit 2020, Apple vazhdoi një marshim të qëndrueshëm përgjatë vitit 2021 drejt arritjes së vlerës të tregut prej 3 trilion dollarë. Rritja prej 30% e vlerës së aksioneve këtë vit shtoi 659.8 miliardë dollarë në vlerën e saj të tregut. Apple vazhdon të jetë kompania më e vlerësuar në botë, me rreth 400 miliardë dollarë.

 

Microsoft (+50%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 1.7 trilion dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 2.5 trilion dollarë

Kompania e teknologjisë e themeluar nga Bill Gates ka pasur shumë sukses vitet e fundit pasi ka rritur fokusin e saj në teknologjinë cloud. Vetëm në vitin 2021, aksionet e Microsoft u rritën me plot 50%.

Vlera e tregut e kompanisë kaloi pragun e 2 trilion dollarëve për herë të parë në muajin qershor dhe po kërcënon të kalojë Apple për t’u bërë kompania e parë me një vlerë prej 3 trilion dollarë.

 

Alphabet (+65%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 1.2 trilion dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 2 trilion dollarë

Kompania mëmë e Google arriti vlerën e 2 trilion dollarëve në fillim të nëntorit, më pak se dy vite pasi kaloi shifrën 1 trilion dollarë në janar të vitit 2020. Vlera e aksioneve u rrit me 65% këtë vit, ndërsa Alphabet raportoi një rritje prej 43% në të ardhurat nga reklamat në raportin e fundit të fitimeve dhe tejkaloi vlerësimet e analistëve për fitimin e saj.

 

Amazon (+6%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 1.6 trilion dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 1.7 trilion dollarë

Vlera e aksioneve të Amazon ka qenë në rritje përgjatë vitit 2021, duke u shtuar me plot 17% këtë verë krahasuar me fillimin e vitit, përpara se kjo shifër të arrinte një vlerë më modeste prej 6%. Pavarësisht se kompania po përballet me ngadalësimin e rritjes së shitjeve tani që blerësit po kthehen në dyqane dhe problemet me zinxhirët e furnizimit po kufizojnë disponueshmërinë e disa artikujve, Amazon gjithsesi raportoi 110.8 miliardë dollarë të ardhura në tremujorin e kaluar. Gjatë tremujorit të fundit, të ardhurat e Amazon nga shërbimet në web (Amazon Web Services), reklamat dhe abonimet Prime tejkaluan për herë të parë shitjet me pakicë.

 

Tesla (+58%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 677.4 miliardë dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 1.1 trilion dollarë

Tesla vazhdoi përgjatë vitit 2021 performancën e saj mahnitëse të rritjes së vlerës të aksioneve që pati gjatë vitit 2020, në të cilin aksionet e saj u rritën më shumë se pesë herë, duke e bërë kështu Teslan një nga emrat më të njohur në Wall Street dhe CEO-n e saj Elon Musk njeriun më të pasur në botë. Vlera e aksioneve u rrit me 46% këtë vit, ndërsa Tesla tejkaloi për herë të parë pragun e tregut prej 1 trilion dollarësh.

Për ta vënë në kontekst, Tesla e kaloi kompaninë Toyota, prodhuesin e dytë tashmë më të vlerësuar të automjeteve në botë, në korrik të vitit 2020, kur ajo kishte një vlerë relativisht të vogël prej 206 miliardë dollarë.

 

Meta (+20%)

  • Vlera e tregut në fillim të vitit: 778.2 miliardë dollarë
  • Vlera e tregut deri më 23 dhjetor: 932.6 miliardë dollarë

Megjithëse në shifra më të ulëta, Facebook ia doli gjithashtu të bëhej pjesë e grupit të kompanive me vlerë 1 trilion dollarë gjatë këtij viti. Ky vit me trazira për kompaninë – duke përfshirë edhe daljen në publik të dhjetëra mijëra dokumenteve të brendshme – nuk e pengoi rritjen e çmimit të aksioneve.

“Pavarësisht zhurmës, fitimet që gjeneron Facebook përmes miliarda përdoruesve të tij vazhdojnë të rriten me një ritëm të shpejtë,” tha Ives. Kompania aktualisht është duke u fokusuar në përmirësimin e opsionit të saj Reels, i cili konkurron drejtpërdrejt me TikTok.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit