Nxjerrja e sekreteve shtetërore nga ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Edward Snowden vë në dukje dobësitë në sigurinë e disa prej rrjeteve më të frekuentuara të internetit global.
Sipas gazetës The Washington Post, Agjencia amerikane për Sigurinë Kombëtare dhe homologu i saj britanik kanë përgjuar lëvizjen e informacionit elektronik nga qendrat e të dhënave nga Google dhe Yahoo dhe kanë mbledhur informata të shumta në format teksti, audio, video dhe forma të tjera.
“Ata që merren me çështjet e privacisë e kanë pasur të qartë se diçka e tillë është e realizueshme dhe se mund të ketë kohë që po bëhej”.
Lance Hoffman kryeson Institutin për Politikat Kërkimore dhe të Sigurisë Kibernetike pranë Universitetit George Washington. Ai thotë se megjithëse kompanitë i ruajnë të dhënat në objekte të sigurta në mbarë botën dhe shpesh kanë rrjete fibrash optike posaçërisht për aktivitetin e tyre, në një moment të caktuar të dhënat kalojnë jashtë këtij rrjeti specifik për në një rrjet tjetër brenda internetit.
“Sa herë që të dhënat lëvizin nga pika A në pikën B, ekziston mundësia për interceptim”.
Agjencia për Sigurinë Kombëtare thotë se ajo mbledh të dhëna në mënyrë të ligjshme për të kapur sinjale që mund të parandalojnë sulme terroriste apo kërcënime të tjera ndaj sigurisë kombëtare.
Nuk dihet shumë për mënyrën se si agjencitë e zbulimit mbledhin të dhëna, një ndër mënyrat e mundshme është përmes rauterit që drejton trafikun e internetit, thotë Jeff Tjiputra specialist i informatikës në Universitetin e Merilandit.
“Kam njohur hakerë që futen në rauterat dhe ndryshojnë kodet duke bërë të mundur që të dhënat t’i kalojnë një pale të tretë”.
Tjiputra thotë se nuk është hera e pare që shfaqet shqetësimi për sigurinë e komunikimit në internet:
“Aktualisht ballafaqohemi me të njëjtin shqetësim si gjithmonë: nëse dërgon diçka me internet është njësoj si të dërgosh një kartolinë. Kushdo qe e merr në dorë kartolinën mund ta lexojë”.
Një zëdhënës i Yahoos thotë se kompania zbaton kontrolle të forta për të mbrojtur sigurinë e të dhënave.
Google thotë se po zgjeron parametrat e sigurisë për një masë më të madhe shërbimesh.
Por ndërkohë që një përqindje më e madhe informatash kalojnë në “renë elektronike”, profesori i informatikës në Universitetin Syracuse Shiu-Kai Chin parashikon si rreziqe edhe përfitime:
“Mendoj se shumë specialistë të informatikës e konsiderojnë “renë elektronike” si një rrezik më të madh. Kjo nuk nënkupton se s’duhet ta përdorim renë. Mua më ndihmon shumë të ruaj videot dhe klipe muzikore, por nuk do ta mendoja me vend që të atë platformët të ruheshin kodet sekrete për ndërmarrjen e një sulmi bërthamor apo kodet sekrete të Departamentit të Thesarit”.
Profesori Lance Hoffman i Universitetit George Washington thotë se nuk është për t’u çuditur që agjencitë e zbulimit arritën të thyejnë parametrat mbrojtës të shërbimeve Google dhe Yahoo.
“Ajo që më çudit është fakti që publikut iu desh një kohë kaq e gjatë për të reaguar dhe për të kërkuar kontrolle më të forta”.
Ai thotë se spiunazhi dhe përgjimi është gjithnjë i pranishëm. Por ai shton se tani ka ardhur koha për të hapur një debat publik për mënyrat si të mbrohen të drejtat civile.
“Në një mënyrë, jeta private që është edhe shqetësimi kryesor i publikut, është parakusht për lirinë. Nëse nuk ka privaci, nuk ka liri”.