-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Sa është i sigurt Skype për bisedat e përgjuara?

Më të lexuarat

Aktivistët dhe disidentët, të shqetësuar nga mbikëqyrjet e qeverisë, kanë mësuar të mos flasin shumë lirshëm në telefonat e tyre të shtëpisë apo mobilë.

Sistemet fikse dhe mobile u ofrojnë qeverive represive një mori mënyrash për të dëgjuar bisedat, sidomos kur sistemet operohen nga kompanitë shtetërore apo të lidhura me shtetin.

Por, a janë më të sigurta shërbimet telefonike në internet, të cilat në masë të madhe shihen si alternativë e sigurt?!

Gregoire Pouget, ekspert për sigurinë dhe privatësinë digjitale pranë “Reporterëve pa Kufij” në Paris, thotë se kjo mund të ketë qenë e vërtetë dikur.

Sot, shton ai, bëhet fjalë për shumë njerëz të arrestuar apo paditur pjesërisht mbi provat që kanë ofruar përmes bisedave online.

“Në Bjellorusi dhe Rusi, gazetarët na kanë thënë se janë kapur nga bisedat e tyre në Skype”, thotë Pouget.

Skype është ofruesi më i madh i shërbimit telefonik në internet, me rreth 600 milionë përdorues në mbarë botën.

Pouget thotë se një arsye përse shërbimet telefonike në internet mund të jenë më të cenueshme, është disponueshmëria në rritje e softuerëve keqdashës që i sulmojnë ato dhe që njihen si “malware”.

“Ju mund të blini një ‘malware’ për disa qindra dollarë dhe ta instaloni në kompjuterët e atyre që përdorin Skype-in. Ju mund ta dërgoni atë përmes e-mailit dhe nëse përdoruesi klikon në të, ‘malware’ instalohet në kompjuterin e tij. Me këtë lloj të virusit ju mund të regjistroni bisedat në Skype dhe mund të merrni të gjitha kontaktet e dikujt që përdor Skype-in”, shpjegon Pouget.

Gjatë Pranverës Arabe, disidentët kanë përdorur internetin për të organizuar protestat masive, të cilat kanë rrëzuar regjimet në Egjipt, Tunizi dhe Jemen.

Këto ngjarje kanë bërë që aktivistët në shumë vende ta konsiderojnë internetin si zonë të sigurt, përtej aftësive të qeverive të tyre kombëtare për t’i përgjuar ata. Por tani, qeveritë autoritare kanë kuptuar rëndësinë e internetit dhe nuk mund të merret si i sigurt.

Në përpjekje për të alarmuar Skype-in dhe përdoruesit për rreziqet në rritje të përgjimit, “Reporterët pa Kufij” dhe disa grupe për të drejtat e njeriut i kanë shkruar letër të hapur gjigantit telefonik në internet.

Letra i bën thirrje Skype-it të qartësojë nivelin e konfidencialitetit të bisedave në rrjetin e tij. Pronari i Skype-it, Microsoft, ka thënë se po shqyrton letrën dhe nuk është përgjigjur ende publikisht.

Sam Smith, teknolog pranë shoqatës “Privacy International” me seli në Londër, thotë se Skype-i është konsideruar i sigurt, pasi në vitin 2005 ka lëshuar një deklaratë, e cila ka siguruar dëgjuesit se “nuk i dëgjon askush”. Por, prejse Microsoft ka blerë Skype-in për 8.5 miliardë dollarë në vitin 2011, kompania nuk ka bërë deklarime të tilla publike, thotë ai.

“Ajo që na duhet shumë është më tepër siguri, sepse në vitin 2005 Skype ka thënë se nuk dëgjon asnjëri… Nëse kjo ka ndryshuar, përdoruesit e Skype-it meritojnë të dinë”, thotë Smith.

Derisa përdoruesit presin më shumë informacione nga Skype-i, disa ekspertë të privatësisë u rekomandojnë aktivistëve që të mendojnë mirë se si komunikojnë në internet.

Se sa mund të kërkojnë autoritetet qasje në të dhënat në internet dhe në çfarë rrethanash, është njëra nga çështjet më të kontestueshme sot midis ofruesve të internetit dhe qeverive.(v.t.)/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit