7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Sa ar i pazbuluar ka mbetur në botë, sa ka Ballkani?

Më të lexuarat

A e dini sa ar ka në botë? Shufrat e arit, stolitë dhe monedhat janë format më të zakonshme të arit që tashmë janë nxjerrë dhe përpunuar.

Ari është një metal që është vlerësuar gjithmonë nga të gjitha qytetërimet dhe shoqëritë për shkak të bukurisë, vlerës dhe aftësisë për t’u përpunuar në objekte apo bizhuteri të ndryshme.

Atë e duan edhe mbretërit, edhe qytetarët e thjeshtë. Përdoret jo vetëm për prodhimin e bizhuterive, por edhe në sektorin bankar, mjekësi, për zhvillimin e teknologjisë hapësinore dhe madje edhe në gastronomi.

Ari është një metal që praktikisht nuk mund të shkatërrohet. Kjo do të thotë se i gjithë ari që është nxjerrë deri tani, ekziston në një formë ose në një tjetër.

Ari i nxjerrë nga toka mund të matet lehtësisht, por për arin e panxjerrë ka vetëm vlerësime.

Nëse i gjithë ari i nxjerrë deri tani do të vendosej në një vend në formën e një kubi, ai kub do të ishte 22 metra në madhësi nga secila anë.

Ajo që është interesante është se deri më tani në të gjitha vendet e botës janë nxjerrë 201.296 tonë ar, sipas statistikave të Këshillit Botëror të Arit.

Ajo që tremb shumë është se përkundër arit të nxjerrë, ka mbetur edhe pak ar për t’u zbuluar, respektivisht rezervat nëntokësore nuk janë aq të mëdha.

Kështu, analiza e Këshillit Botëror të Arit tregon se totali i rezervave nëntokësore të zbuluara arrin në 53.000 tonë. Pothuajse 20 për qind e këtyre rezervave janë në Australi, më pas vjen Rusia, Shtetet e Bashkuara, Peruja dhe Afrika e Jugut. Në këto pesë vende ndodhen 49 për qind e arit të paeksploruar, ndërsa pjesa e mbetur prej 27.100 tonësh (51 për qind) gjenden në vende të tjera të botës.

Pas 18 vjetësh nuk do të ketë më ar?

Me normën aktuale të nxjerrjes, prej rreth 3.000 tonë në vit, rezervat e arit do të shterohen në 18 vjet. Sidoqoftë, nuk është gjithçka kaq e zezë. Një pjesë e kompanive vazhdimisht zbulojnë rezerva të arit në pjesë të ndryshme të botës, gjë që rrit sasinë e rezervave të përllogaritura. Për momentin, Kina, Australia, Rusia, SHBA dhe Kanadaja janë aktualisht pesë prodhuesit më të mëdhenj të arit. Këto pesë vende nxjerrin rreth 1.400 ton ar në vit, që është pothuajse gjysma e prodhimit total vjetor.

Si qëndron Ballkani?

Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit kanë disa rezerva ari, por të dhënat janë të pakta dhe kryesisht vijnë nga kompani private që planifikojnë ose tashmë nxjerrin xehe dhe minerale në vendet e rajonit.

Sipas prodhimit, lider është Serbia e cila prodhon nga rreth 900 kilogram ar në vit. Në afërsi të Borit është gjetur një nga lokacionet më të pasura me rezerva të arit në rajon, me rreth 370 tonë.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta, megjithatë më shumë analiza tregojnë se ka një sasi të madhe ari në Bosnje. Në pjesën qendrore të vendit, në afërsi të vendit Bakoviq, më herët janë nxjerrë disa tonë ar në minierën e cila tani është e mbyllur. Ndryshe, hulumtimet e fundit tregojnë se Bosnja ka rezerva ari me vlerë prej rreth 1 miliard dollarë.

Vlerësohet se Maqedonia e Veriut ka rezerva të panxjerra prej 79 tonësh ar. Të dhënat për Kosovën thonë se ka rreth 12 tonë, ndërsa në Shqipëri rreth 4 tonë ar. Në Mal të Zi ka rezerva të parëndësishme të arit./TRT Ballkan/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit