1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

S’KA MË SHKELJE TË STATUTIT PËR AVANCIME AKADEMIKE NË UP

Më të lexuarat

 
Universiteti i Prishtinës ka vendosur të mos shkelet më Statuti i Universitetit të Prishtinës për avancime akademike në UP. Rregullat e përcaktuara janë qartësuar dhe u janë dërguar Dekanateve.
 
Në këtë formë, UP ka vendosur të mos i gradojë asnjë kandidat pa i plotësuar krejtësisht kriteret që parashihen më Statut.
 
Kështu, askush s’do të mund të gradohet me gardën Profesor Asistent pa e pasur një monografi të publikuar dhe një punim shkencor në revista me renome ndërkombëtare.
 
Ndërkaq, për gradën Profesor i Asocuar kandidatët duhet të kenë të paktën tri punime shkencore në revista kredibile ndërkombëtare.
Lexojeni rregullat e përcaktuara për gradën Profesor i Rregullt
KRITERET PËR EMËRIM NË THIRRJE TË PROFESORIT TË RREGULLT
 
1.Thirrja Profesor i rregullt
Titulli akademik profesor i rregullt është thirrja më e lartë universitare që mund të merret në Kosovë. Ky titull sjell privilegje domethënëse për bartësin e tij, në mes tjerash edhe postin e përhershëm në Universitet. Nga ana tjetër, profesorët e rregullt duhet të dallohen me udhëheqje akademike, duke qenë shembull për të tjerët. Pikërisht për këtë qëllim, Statuti i UP “Hasan Prishtina ”ka paraparë kritere mjaft të larta për këtë titull. Sipas nenit 175 të Statutit të UP, për ta fituar titullin e profesorit të rregullt është e domosdoshme që kandidati t’i plotësojë kushtet e mëposhtme:
1.1. Të ketë gradën e doktorit të shkencës (ekuivalente me të në Fakultetin e Arteve).
1.2. Të tregojë nivel të lartë dhe kompetencë akademike e përvojë shkencore për lëndën që dëshmohet me:
1.2.1. Një numër të rëndësishëm të monografive, teksteve mësimore, publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike me më së paku pesë punime kryesore të publikuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare, si autor i parë ose korrespodent.
1.2.2. Pjesëmarrje aktive në konferencat kombëtare dhe ndërkombëtare.
1.2.3. Krijime a punime të njohura artistike ose të ketë pasur prezantime publike dhe të ketë kontribuar, kur është rasti i Fakultetit të Arteve, në mënyrë të veçantë në zhvillimin e kulturës dhe të artit.
1.2.4. Përvojë afatgjatë në projekte të kërkimeve themelore dhe të aplikueshme.
1.2.5 Aftësi të lartë arsimore dhe pedagogjike përmes praktikës së arsyeshme.
1.2.6. Aftësi për udhëheqje akademike.
1.2.7. Udhëheqje të temave master dhe të doktoratës.
Kriteret e nenit 175 duhet të respektohen me përpikëri, në mënyrë që konkursi të përfundojë me emërime meritore, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Universitetit në vend dhe në botë, si dhe në vënien e kritereve që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së performancës akademike dhe kërkimore-shkencore të stafit të UP-së.
Kriteri 1: Kandidati duhet të ketë një numër të konsiderueshëm të monografive, teksteve mësimore, publikimeve në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike me më së paku pesë punime kryesore të publikuara në revista shkencore ose artistike ndërkombëtare, si autor i parë ose korrespodent.
Ky kriter, në radhë të parë, parasheh që kandidati duhet të jetë autor i disa monografive dhe/ose teksteve mësimore që janë aprovuar për përdorim nga Institucionet e Arsimit të Lartë. Në përditshmërinë tonë universitare dhe në jetën akademike shpeshherë përdoret fjala monografi në kontekst të gjerë. Ajo paraqet një studim të hollësishëm biografik apo të veprimtarisë artistike të dikujt. Një lloj i tillë i monografisë nuk duhet të ngatërrohet me kuptimin e monografisë shkencore. Në kuptimin e ngushtë shkencor, monografia paraqet një studim të thelluar (analizë gjithëpërfshirëse) të të arriturave në një lëmë të ngushtë shkencore duke u bazuar në shumë punime origjinale shkencore. Autori, i cili shkruan një monografi, konsiderohet se e zotëron shumë mirë atë lëmë dhe kjo dëshmohet paraprakisht me një numër të madh të punimeve origjinale shkencore nga ana e tij. Prandaj, një monografi e mirëfilltë shkencore mund të konsiderohet, poashtu, ekuivalent me një numër të konsiderueshëm punimesh shkencore në SCI (Science Citation Index), SSCI dhe A&HCI.
Prandaj, për titullin e profesorit të rregullt në UP “Hasan Prishtina” kërkohet mundësisht një pjesë/kapitull ose një monografi shkencore, si dhe tekste mësimore, ku kandidati duhet të jetë ndër kontributdhënësit kryesorë.
Poashtu, kandidati duhet t’i ketë të publikuara të paktën pesë punime në revista ndërkombëtare me reputacion të pakontestueshëm. Revista të tilla, në shkencat matematike-natyrore, inxhinierike, mjekësore dhe bujqësore, si dhe në lëmine shkencave shoqërore (ekonomi, psikologji, sociologji, filologji, edukim dhe shkenca juridike) janë revistat me impakt-faktor të regjistruara në Thomson-Reuters ose Scopus, ose në ndonjë bazë tjetër të të dhënave që formalisht njihet si kredibile nga Komisioni për mësim respektivisht Senati i Universitetit.
Kriteri 2: Kandidati duhet të dëshmojë se ka marrë pjesë në mënyrë aktive (me ligjëratë, komunikatë) në të paktën shtatë konferenca, prej të cilave pesë janë të karakterit ndërkombëtar. Këto konferenca duhet të jenë me pjesëmarrje të zgjeruar të komunitetit shkencor në kuadër të një lëmi dhe kandidati duhet të jetë autor i parë.
Kriteri 3: Të ketë pasur krijime a punime të njohura artistike ose të ketë pasur prezantime publike dhe të ketë kontribuar, kur është rasti i Fakultetit të Arteve, në mënyrë të veçantë në zhvillimin e kulturës dhe të artit.
Kriteri 4: Kandidati duhet të ketë qenë pjesëmarrës në të paktën tri projekte kërkimore-shkencore, akademike në 10 vjetët e fundit. Me këtë rast, kandidati duhet të ofrojë informacion të plotë për ato projekte, përfshirë emrin, qëllimin e projektit, aktivitetet kryesore, periudhën e zbatimit, rezultatet, si dhe për rolin e vet në secilin projekt.
Kriteri 5: Kandidati duhet të ketë aftësi arsimore dhe pedagogjike, të cilat dëshmohen me vlerësime pozitive të punës së kandidatit nga ana e studentëve dhe njësive akademike. Në mungesë të informacionit të tillë, të merret për bazë angazhimi i kandidatit në mbajtjen e lëndëve të ndryshme në nivele të ndryshme të studimeve.
Kriteri 6: Kandidati duhet të ketë dëshmuar se ka aftësi të qarta të udhëheqjes akademike, gjë që nënkupton se ai p.sh.ka qenë udhëheqës i një numri të konsiderueshëm të projekteve kërkimore, ose ka dhënë kontribut kyç në zhvillimin e programeve të reja akademike, sidomos ato të nivelit master dhe të doktoratës, ose ka qenë nismëtar i proceseve reformuese në mjedisin ku punon, si dhe se njihet mirë nga komuniteti akademik si person me kompetencë të lartë profesionale dhe shkencore.
Kriteri 7: Kandidati për profesor të rregullt duhet t’i ketë udhëhequr deri në përfundim të suksesshëm të paktën një kandidat në temë të doktoratës dhe një numër kandidatësh në tema të masterit.
Komisioni për mësim konsideron se secili kandidat për profesor të rregullt duhet t’i plotësojë të shtatë kriteret e lartshënuara. Në rast të mosplotësimit të të gjitha këtyre kritereve nga ana e kandidatëve që mbajnë thirrjen e profesorit të asocuar rekomandohet zgjedhja sërishmi në thirrje të njëjtë akademike.
Komisioni nuk do ta procedojë në Senat asnjë propozim për profesor të rregullt nëse nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për plotësimin e secilit prej kritereve akademike të lartshënuara. Në rastin e punimeve në revista ndërkombëtare kërkohet të paktën:
•Punimi i plotë (linku);
•Revista ku është botuar (linku), (botimet në revistat që janë të kontestuara nuk do të merren parasysh) dhe
•Dëshmia se punimi ka impakt-faktor (linku në bazën e njohur të të dhënave)
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit