5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Rutinizimi i së keqes si vdekje morale

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

 

Çdonjëri që kërkon të je tojë përmes rregullave dhe moralit, do të vijojë të presë ditë edhe më të vështira. Në një shoqëri si e jona, kjo vështirësi është e disafishtë për shkak të një trashëgimie të ngarkuar ideologjike, që për 45 vite rresht rrëzoi çdo normë dhe vlerë njerëzore, duke shkatërruar gjithë shpresat se e drejta dhe rregullat morale do të rivihen në vend.

Aq e madhe ka qenë kjo shembje e vlerave njerëzore, sa për 27 vite ne nuk mundëm dot kurrë të thoshim me zë të lartë të vërtetat makabre të komunizmit. Gjithçka u relativizua duke ndërtuar histori qesharake, gjoja me përpjekjen e sistemit për të ndërtuar shkolla, rrugë, fabrika apo hidrocentrale, pa thënë në fakt se pjesa më e madhe u ndërtua me “punë vullnetare”, që nuk ishte gjë tjetër veçse skllavërimi që funksionon në çdo diktaturë. Në fakt, shqiptarët përfunduan të mbuluar vetëm nën frikë dhe varfëri, ku njerëzit njiheshin në qytet si “filani apo filanja që ka atë bluzën ngjyrë….”, për shkak se jo vetëm një person, por edhe pasardhësit mund të vijonin ndoshta të kishin vetëm një xhaketë, që i identifikonte ata në zonën ku banonin. Dhe në 27 vite pluralizëm, të përndjekurit apo ish-pronarët u trajtuan si njerëz që kërkonin lëmoshë, duke u paraqitur sikur janë barrë për brezat që kërkojnë të ecin përpara, ndërkohë që ishdrejtuesit komunistë dhe bijtë e tyre bë- nin pasuri e shkolla me paratë e vjedhura për vite me radhë e të fshehura kudo gjatë diktaturës apo në fillim të pluralizmit.

Edhe më të rëndë marrëdhënien tonë me moralin, të drejtën dhe të vërtetën e bën pafuqia jonë si shoqëri për të pohuar me zë të lartë se për vite me radhë na kanë gënjyer në histori, në filozofi, në ekonomi e në arte. Dhe, pavarësisht asaj humnere të madhe njerëzore, ne nuk mundëm dot të kishim një ndjesë reale kombëtare ndaj ish-të përndjekurve dhe ndaj ish-pronarëve që u syrgjynosën nga shtëpitë e tyre, nga pronat e tyre, vetëm e vetëm se Enveri me shokë nuk i donin nëpër këmbë ata që e dinin se ç’ishte shteti apo e drejta.

Mund të ketë shumë nga ata që mund të thonë se pas 27 vjetësh nuk kemi pse të flasim sërish për ata që vuajtën në të shkuarën. Një pjesë e atyre që e artikulojnë këtë frazë mund të jenë të rinj, të painformuar, që vërtet nuk duan të jenë peng i së shkuarës. Por në fakt, edhe ata, janë zgjatim i atyre që duan medoemos që të mos thuhet e vërteta. Sepse një pjesë e atyre që jetuan dhe gatuan mashtrimin janë ende në administratë apo përfitues pasurish në rrugët që i trashëgoi sistemi i shkuar, ku nuk kanë pyetur as për moralin, as për të drejtën, e as për të vërtetën. Dhe të pasuruar, ata tashmë e kanë synim që të rishkruajnë historinë.

Shkrimtari Filip David, në romanin e tij “Shtëpia e harresës dhe kujtesës”, shprehet se “qëllimi i rishkrimit të historisë është që të humanizohet e keqja, me qëllim që të kontrollohet edhe e ardhmja”. David thekson gjithashtu se “pas harresës fshihet fara e së keqes”. Ndërkohë, politologu i njohur francez, Chanta Millon-Delsol, në librin e tij “Idetë politike të shekullit XX”, shpreh frikën për runitizimin e së keqes dhe neutralizimin e qëndrimeve etike ndaj krimeve me sfond të pastër ideologjik.

Filozofja e njohur, Hanah Arendt, e parashikonte këtë situatë heshtjeje të shoqërisë ndaj të shkuarës si një kalim në “krimet e askujt”, çka shkakton më pas edhe një humanizim të hapur të së shkuarës kriminale. Është pikërisht kjo pafuqi që ka pllakosur marrëdhëniet social-politike në shoqërinë shqiptare në këto 27 vite, duke e lënë të shkuarën të jetë ende vendimtare në përditshmërinë tonë, përmes formave që vijojnë të jenë gjallë në historiografi, në edukim arsimor, në simbolika e sidomos në mosndëshkimin e qartë të së shkuarës përmes qëndrimeve të qarta morale për natyrën kriminale që ka pasur ai sistem. Fakti se sot ish-hetues, ish-urdhërues të torturave dhe ekzekutimeve ndihen të lirë të ushtrojnë jo vetëm idetë e tyre politike, por edhe funksione publike, pa kërkuar as qoftë edhe një ndjesë publike, është ndoshta argument më i qartë se, e shkuara kriminale është plotësisht në qetësi, duke u përgatitur të na drejtojë edhe nga e ardhmja përmes shijeve të saj.

Mosreagimi publik ndaj vjedhjeve e mashtrimeve është konfirmimi se e shkuara ka mundur të ringrejë pushtetin e vet, duke i kthyer qytetarët thjesht duartrokitës të asaj që u serviret. Për këtë heshtje duhet të ndiejmë të gjithë përgjegjësi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit