“Forcat Detare të Rusisë do të realizojnë për herë të parë në 10 vitet e fundit një stërvitje me përmasa të tilla, që planifikon rritjen e kapacitetit koordinues të forcave ushtarake në dete të largëta”, thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Stërvitja do të realizohet në kuadër të programit stërvitor dhe trajnues të ushtrisë ruse për vitin 2013. Ndërkaq, luftanijet e Forcave Detare të Rusisë janë nisur drejt zonave, ku do të jenë me detyrë gjatë stërvitjes.
Gjatë stërvitjes, në rajonin e Kaukazit Verior të Rusisë do të zbatohet edhe koordinimi i njësive të zbarkimit dhe parashutimit me anijet luftarake.
Moska zyrtare, e cila është një kundërshtare e fortë ndërhyrjes së jashtme ushtarake për zgjidhjen e krizës në Siri, vijon përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike. Në fund të muajit janar planifikohet të mbahet samiti Rusi-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i pranishëm do të jetë edhe i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lahdar Brahimi. Kremlini kërkon që lideri sirian Beshar Esad të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2014, megjithatë vlerëson pozitivisht krijimin e qeverisë së tranzicionit dhe kufizimin e kompetencave të Esadit.
Më parë Rusia ka dërguar në Mesdhe luftanije për patrullim dhe evakuimin e rreth 25.000 qytetarëve rusë, që jetojnë në Siri, nëse do të jetë e nevojshme. /trt/kohaislame