Rusia dhe Kina i vunë veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që parashikonte sanksione jo-ushtarake kundër Sirisë. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara u zotuan se do të punojnë jashtë Këshillit të Sigurimit për të ushtruar presion ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al Assad, dhe se do të ndihmojnë viktimat e luftimeve atje.
Votat kundër të Rusisë dhe Kinës bllokuan zgjerimin e ekipit vëzhgues të OKB-së në Siri dhe misionin e paqes të Sirisë të kryesuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Kofi Annan. Rusia dhe Kina deklaruan se rezoluta ishte e njëanëshme dhe se dënonte vetëm dhunën e forcave qeveritare duke lënë jashtë dhunën e opozitës së armatosur. Për Moskën dhe Pekinin kjo rezolutë nuk ishte e balancuar ndaj dhe kërkuan formulimin e një rezolute që t’u kërkojë dhe detyrojë të gjitha palët të ndalojnë gjakderdhjen në Siri.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Ricen tha se Këshilli i Sigurimit “dështoi plotësisht” lidhur me Sirinë. Ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të punojnë me një rreze të gjërë partnerësh jashtë Këshillit për të ushtruar presion ndaj regjimit të Assadit dhe për të ndihmuar ata që kanë nevojë në Siri.
Votimi u bë ndërkohë që në kryeqytetin Damask vazhduan luftimet ndërmjet kryengritësve dhe forcave qeveritare siriane. Një ditë më parë ministri sirian i mbrojtjes, Daut Taxha dhe dy zyrtarë të tjerë u vranë nga shpërthimi i një bombe gjatë një takimi të nivelit të lartë të kabinetit. Kryengritësit morën përgjegjësinë për shpërthimin në Damask, duke thënë se ai sinjalizon fillimin e fundit të regjimit të presidenti Assad.
Assad e trashëgoi pushtetin në vitin 2000 nga i ati, Hafez, i cili e kishte udhëhequr Sirinë për 29 vjet. Në mars të vitit të kaluar filluan protestat kundër regjimit, të cilat forcat qeveritare filluan t’i shtypin me dhunë. Prej disa muajsh ëshët formuar edhe Uështria e Lirë e Sirisë, e cila udhëhiqet nga opozita dhe vendi tashmë është në luftë civile. Mbi 16 mijë veta, shumica civilë, janë vrarë, por Assadi nuk ka dhënë shenja të dorzimit të pushtetit.
Disa media ndërkombëtare njoftuan se të enjten Assad, i frikësuar nga luftimet e një dite më parë, është larguar nga Damasku dhe është duke e udhëhequr qeverinë nga qyteti bregdetar, Latakia. Por në një video të shfaqur në Televizionin Shtetëror, Assad përgënjeshtroi zërat se ka braktisur kryeqytetin, duke u zotuar se do të luftojë dhe asgjesojë të gjitha “bandat terroriste” në territorin sirian.
Ndërkohë, ushtria qeveritare ka ndërmarrë të enjten një ofensivë masive në Damask, ku po përdor tanke, artilerinë e rëndë dhe helikopterë nga ajri kundër rebelëve që kanë marrë nën kontroll disa pozicione strategjike në periferitë e kryeqytetit.kohaislame