-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Rusi, marshim gjigant në përkujtim të Nemtsovit, kritikut të Putinit

Më të lexuarat

Mbështetësit e opozitës do të marshojnë rrugëve të Moskës këtë të diel, në kujtim të kritikut më të ashpër të Kremlinit, Boris Nemtsov, vrasja e të cilit ka rritur shqetësimet në lidhje me të ardhmen e Rusisë, mes atyre që konsiderohen si kundërshtarë të hapur të presidentit Vladimir Putin. 
 
Rusi, ekzekutohet udhëheqësi i opozitësKush ishte Boris Nemtsov?Perëndimi kërkon zbardhjen. Rusia: Vrasje për të destabilizuar vendinMijëra njerëz kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj gjatë së shtunës, në urën pranë Kremlinit ku politikani i opozitës dhe ish-zëvendëskryeministri u qëllua për vdekje ditën e premte.
 
Prokurorët, të cilët iu përgjigjën Putinit, thanë se janë duke zhvilluar hetime në disa pista të mundshme, përfshi edhe mundësinë që Nemtsov, një hebre, të jetë vrarë nga radikalët islamikë, apo që opozita ta ketë vrarë atë për të nxirë emrin e presidentit aktual.
 
Kundërshtarët e Putinit thonë se sugjerime të tilla tregojnë edhe njëherë cinizmin e udhëheqësve të Rusisë, teksa po nxisin vazhdimisht nacionalizmin, urrejtjen dhe histerinë antiperëndimore, në mënyrë që të sigurojnë mbështetje për politikat e tij në Ukrainë dhe për të shmangur fajin për krizën e thellë ekonomike.
 
“Kjo është një goditje për Rusinë. Nëse pikëpamjet e ndryshme politike ndëshkohen në këtë mënyrë, atëherë ky vend thjesht nuk ka të ardhme”, tha Sergei Mitrokhin, një tjetër lider i opozitës, duke iu referuar vrasjes së Nemtsov.
 
Putin e ka përshkruar vrasjen si një “provokim” dhe i tha nënës së Nemtsovit se vrasësit do të gjenden e do të ndëshkohen. Disa moskovitë, të cilët pranojnë linjën e trumbetuar edhe nga media shtetërore, duket se e pranojnë faktin se opozita, duke qenë se po vuan të ketë impakt pozitiv pas sulmeve për mandatin e tretë të Putinit si president, mund të ketë vrarë njërin prej tyre.
 
“Autoritetet përfundimisht nuk përfitojnë nga kjo ngjarje. Të gjithë e kishin harruar këtë njeri, Nemtsovin, ndaj është një provokim i pastër”, tha një banor i Moskës me emrin Denis.
 
Nemtsov, 55 vjeç, ishte një nga shpresëdhënësit dhe udhëheqësit më të shquar të një opozite, që ka vuajtur të ringjallë fatin e saj edhe 3 vjet pas mitingjeve masive kundër Putinit që dështuan të parandalonin kthimin e tij në Presidencë, pas 4 viteve si kryeministër i Rusisë.
 
Putin është bërë tashmë një nga udhëheqësit më dominantë të Rusisë që prej viteve 2000, kur ish-presidenti i atëhershëm Boris Yeltsin zgjodhi ish-spiunin e KGB-së si pasardhës të tij, një rol që Nemtsov e synonte dhe të cilin ishte i destinuar ta merrte ai.
 
E megjithatë shumë kundërshtarë të Putinit kanë shumë pak dyshime se ai do të fitojë një tjetër mandat 6-vjeçar në krye të shtetit gjatë zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen në 2018-n, pavarësisht krizës së agravuar financiare prej sanksioneve ekonomike të Perëndimit, të vendosura për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës por edhe prej rënies së çmimit të naftës.
 
Shumë udhëheqës opozitarë janë burgosur mbi bazën e akuzave të “sajuara” sipas tyre, ose janë larguar nga vendi. Gjithsesi, Nemtsov kishte shpresuar që të niste rigjallërimin e opozitës me një marshim në Marino, në periferi të Moskës gjatë së dielës, për të protestuar kundër politikave ekonomike të Putinit dhe asaj që opozitarët e shohin si përfshirje të Rusisë në luftën e separatistëve në lindje të Ukrainës.
Duke shpallur një plan të ri pas vdekjes së Nemtsovit, Leonid Volkov, një prej organizatorëve të marshimit, tha: “Marshi në periferinë e Marinos që ne kishim planifikuar, një marshim paqësor me flamuj dhe tullumbacë, nuk i përshtatet këtij momenti tragjik dhe madhështisë së personalitetit të Nemtsov, ashtu sikurse edhe madhështisë së vijës së kuqe të tejkaluar prej nesh tashmë, e që ende nuk e kemi njohur”.
 
Opozita tha se autoritetet e qytetit të Moskës kanë miratuar marshimin nga ora 13:00, duke lejuar mbi 50 mijë persona, ndërkohë që organizatorët thonë se shumë më tepër se kaq do të shfaqen në marshim edhe përgjatë lumit të Moskës.
 
Nemtsov kishte paralajmëruar gjatë një interviste se i frikësohej Putinit, i cili mund ta vriste atë, për shkak të kritikave të hapura të bëra ndaj tij dhe rolit të Rusisë në Ukrainë. Edhe presidenti i Ukrainës, Poroshenko, tha se ishte njoftuar nga Nemtsov rreth dy javë më parë, se kishte planifikuar të publikonte prova të përfshirjes së Rusisë në konfliktin ukrainas.
 
“Dikush ishte vërtet i frikësuar nga këto fakte… ndaj ata e vranë atë”, tha Poroshenko gjatë komenteve televizive në Ukrainë./Top Channel
 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit