Qindra rusë kanë filluar protestat në rajonet lindore të vendit duke kërkuar lirimin e kritikut të Kremlimit, Aleksei Navalny.
Ndërkohë në Moskë policia arrestoi aleatët e udhëheqësit të burgosur të opozitës.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh dhe bashkëpunëtori i kanalit të Navalnyt në Youtube, Lyubov Sobol u arrestuan në Moskë në 21 prill, njoftuan avokatët e tyre.
Ndërkohë, Vladimir Ryzhkov, ish-nënkryetar i dhomës së ulët të parlamentit rus i tha agjencisë së lajmeve TASS se policia e kishte ndaluar atë nën dyshimin e shkeljes së ligjit për mbajtjen e tubimeve masive.
Pas arrestimit të aleatëve të ngushtë të Navalnyt ka reaguar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili i quajti veprimet si “të mjera”.
“Ndalimi i përkrahësve të Alexei Navalny para mbajtjes së protestave në Rusi është për të ardhur keq”, tha Michel, duke shtuar se autoritetet ruse duhet të respektojnë të drejtën e tubimit.
Raportohet për arrestimin edhe të disa bashkëpunëtorëve tjera të Navalnyt në disa qytete të Rusisë.
Në të gjithë Rusinë ka prani të shtuar të forcave të policisë, pasi këto konsiderohen si protestat më të mëdha në mbrojtje të Navalnyt. Ekipi i Navalny ka njoftuar protesta në më shumë se 160 qytete ruse për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tij shëndetësore. Protestuesit kërkojnë që autoritetet e burgut t’ia mundësojnë mjekimin nga ana e mjekëve të pavarur.
Më 19 prill, Alexei Liptser, avokati i politikanit të burgosur opozitar Aleksei Navalny, i cili është në grevë urie tash e tri javë, ka thënë se klienti i tij duket “keq”, duke rritur shqetësimet për shëndetin e tij.
Lipster është takuar shkurt me Navalnyn më 19 prill dhe ka thënë se ndonëse situata “po përkeqësohet”, 44-vjeçari është i vendosur të vazhdojë grevën e urisë, pavarësisht gjendjes shëndetësore.
Komisionerja ruse për të drejtat e njeriut, Tatyana Moskalkova, u citua nga agjencia e lajmeve RIA të thoshte se katër mjekë që nuk janë pjesë e shërbimit federal të burgut, vizituan Navalny më 20 prill dhe nuk konstatuan probleme serioze shëndetësore.
Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas helmimit në Siberi në muajin gusht.
Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor Noviçok ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus Vladimir Putin. Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.
Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një vendim i mëhershëm gjyqësor. Gjykata vendosi se ai duhet të kryejë pjesën tjetër të burgut.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalny dhe shtypjen e protestuesve.