Pas “Lukoil” që është përfshirë prej kohësh në përvetësimin e vendburimit të lëndës hidrokarbure në Kurna Perëndimore-2 në Irak, në këtë vend po vjen edhe një kompani tjetër ruse“Bashneft”. Në Bagdad u nënshkrua kontrata për eksplorimin me pjesëmarrjen e saj të vendburimeve të hidrokarbureve dhe nxjerrjen e naftës në krahinat e Al-Naxhaf dhe Al-Muthanna.
Këto territore janë pjesë e rajonit të paeksploruar – shkretëtirës Perëndimore me rezervat më të mëdha të naftës në Irak. Kompensimi për naftën e nxjerrë do të përbëjë 5 $ për fuçi, kurse pagesat do të fillojnë kur vëllimi i nxjerrjes të arrijë 25 për qind. Qëndrimi pozitiv i Bagdadit ndaj kompanive ruse mund të shpjegohet me vetë faktin se ato ofrojnë kushtet më të leverdisshme dhe eksplorim cilësor gjeologjik, tha analisti i pavarur rus Dimitri Ljutiagin:
– Në këtë preferencë luan rolin e vet faktori i lidhur me përvojën e kompanive ruse në eksplorimin dhe krijimin e infrastrukturës përkatëse për nxjerrjen e naftës. Plus mundësia e tyre për të tërhequr kapitale në vend . Kompanitë ruse të tilla si “Lukoil” dhe “Bashneft” kanë mjete të mjaftueshme financiare për të dalë në rajone të reja.
Kompanive të huaja, që dëshirojnë të punojnë në një vend si Iraku, në mënyrë të pashmangshme u lindin pyetje në lidhje me rreziqet, me të cilat është e mbarsur kjo punë. Pak kohë më parë Kryetari i Komisionit Kombëtar të Investimeve të Irakut (National Investment Commission of Iraq, NIC) Sami al-Araji deklaroi, se autoritetet e vendit po bëjnë zgjedhjen e vet në favor të rritjes së shitjeve të burimeve të energjisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve. Udhëheqësit irakianë janë duke u përpjekur për ta pozicionuar veten si drejtues të besueshëm dhe të përgjegjshëm.
Deklaratat politike, sigurisht, që janë shumë të rëndësishme, por fillimisht duhet parë se sa realisht do të mishërohen ato në jetë, thekson Drejtori i Fondit rus të Zhvillimit të Energjisë Sergei Pikin:
– Nëse kjo gjë arrihet të perceptohet prej udhëheqjes së vendit, atëhere natyrisht shanset ekzistojnë. Dhe vetë fakti që kompanitë po rikthehen në këtë vend dëshmon për atë se ndryshimet po ndodhin tashmë realisht atje, se situata po përmirësohet. Kompanitë ruse tradicionalisht kanë punuar në Irak. Duke pasur parasysh faktin se situata është stabilizuar disi, kjo favorizon vazhdimin e investimeve dhe eksplorimit gjeologjik në këtë vend.
Sipas parashikimeve të ekspertëve, në Irak janë përqendruar rezerva shumë të mëdha nafte. Dhe nuk është aspak rastësi që këtu janë të pranishëm lojtarët kryesore të tregut të naftës. Përsa i përket kompanive ruse, ato janë duke zgjeruar prezencën e tyre në Irak. Përveç “Lukoil” dhe “Bashneft”, kompania ruse “Gazprom-neft” është duke eksploruar dhe zhvilluar gjithashtu vendburimin e hidrokarbureve Badra. Qeveria e Irakut po shqyrton tani çështjen e zëvendësimit të mundshëm të kompanisë amerikane Exxon Mobil me një nga kompanitë ruse në projektin Qurna Perëndimore-1. Se me cilën konkretisht, tani për tani nuk dihet me saktësi. Por nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë “Lukoil”, e cila punon aktualisht në vendburimin Qurna Perëndimore-2.