Një organizatë jo qeveritare nga Rusia, e cila pohon se merret me të drejtat e njeriut është hapur më 19 janar në Kosovë, njofton agjencia ruse e lajmeve Interfax.
Një ligjvënës rus, Vitaly Milonov, ka deklaruar se qendra për të drejtat e njeriut është hapur në Mitrovicën veriore dhe se projekti financohet me fonde private.
“Ky nuk është projekt i Moskës, por i popullit rus. Biznesmenët ortodoksë ekzistojnë dhe ata janë duke na ndihmuar aq sa munden”, ka deklaruar ligjëvënësi nga Shën Petersburgu.
Nëse projekti zhvillohet, ka thënë ai, atëherë e njejta qendër do të mund të hapet edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Qipron Veriore.
Udhëheqësi i kësaj qendre, Andrei Ponomaryov, ka thënë për Interfax se synimet e kësaj OJQ-je janë në kuadrin e të drejtave të njeriut dhe nuk janë politike.
“Qëllimi kryesor i projektit është zbatimi i standardeve ligjore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovë. Kjo nuk është fushatë politike, por është një projekt për të drejtat e njeriut,” citohet të ketë thënë Ponomaryov./rel