-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Rugova, Thaçi e Haradinaj ishin paralajmëruar qysh më 2001 për tendencën e ndërkombëtarve për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës përmes AKM

Më të lexuarat

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limaj, me 17 shtator të 2012-tës, për privatizimin në Kosovë kishte sugjeruar që të konsultohet me ekspertin Ismet Hamiti.
 
Por pse bash këtë ekspert?
Indeksonline kishte siguruar një dokument konfidencail që ky ekspertë me 13 nëntor 2001, tre liderëve politik në atë kohë, kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugovës, Kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt si dhe Komandantit të TMK-së, Gjeneral Lejtnant Agim Çekut e që i paralajmëronte që punët do të shkonin keq me privatizimin me kompetencat që ’u lanë AKM-së së atëhershme.
 
Formimi i AKM-së së atëhershme, e cila do të kishte në dorë tërë ekonominë e Kosovës, për ekspertin e telekomunikacionit Ismet Hamiti, ishte gjëja më katastrofale që do ti ndodhte “pronave publike” në Kosovë.
 
“Organet Kosovare që do të formohen, përveç që nuk do të kenë asnjë ingjerencë në fushën e mbrojtjes, punëve të jashtme, të sigurisë publike dhe të drejtësisë, ato nuk do të pyetën as për ekonominë kosovare. AKM e drejtuar nga shtylla e IV do të vë nën kontroll ekonominë tonë. Parlamenti, Qeveria, Presidenti do të merren me çështje të jetës së përditshme të qytetarëve të Kosovës, siq merret një organizatë sindikale”, është njëra ndër shtyllat që eksperti Hamiti i kishte shkruar në letrën konfidenciale dërguar tre liderëve politik.
 
Ai më tutje kishe shkruar për planet që kjo agjenci i kishte për tu kujdesur për pronën publike.
 
“Nën firmën e privatizimit e të rikonstrukturimit të ekonomisë, AKM planifikon që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të ndajë Ndërmarrjen e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës (PTK-në) në një pjesë të postës, në pjesën e rrjetit fiks dhe në rrjetin mobil. Menjëherë më pastaj AKM do ti qesë në Pazar pjesët më profitabile të saj. Rrjeti mobil do të jetë e para që do të shitet”, thuhet në letrën e ekspertit Ismet Hamiti.
 
Po ashtu Hamiti në letër, të cilën ekskluzivisht e sjell Indeksonline, kishte theksuar se ‘Plane të ngjashme AKM ka edhe për pasuritë tjera të çmueshme të Kosovës. Populli i Kosovës, i shpronësuar, do të vihet në varësi të plotë, pa asnjë perspektivë për t’u bërë zot i vetvetes dhe për të vendosur për fatin e vetë’.
 
Në letrën konfidenciale që ka siguruar Indeksonline, dërguar atëherë tre liderëve politik, shkruhet se si eksperti i Telekomunikacionit Ismet Hamiti, ju kishte rekomanduar se privatizimi nuk duhet të ndodhte dhe çdo pronë publike në është vetëm e Kosovës dhe në Kosovë nuk ka pronë të huaj.
 
“Prona Publike është pronë e qytetarëve të Kosovës të cilët tani i kanë organet e zgjedhura dhe presin që ato të kujdesen për këtë pronë, e jo ndonjë agjenci si AKM-ja. Ekonomia e Kosovës e sidomos pjesa më profitabile e saj, siç është telekomunikacioni, aeroporti etj. Nuk duhet lënë në asnjë mënyrë nën kontrollin e tjetërkujt, pos organeve legjitime të Kosovës, edhe me çmim të prishjes përfundimtare me Administratorin si person. Kjo duhet të jetë vijë e kuqe me të cilën nuk duhet bërë asnjë lëshim”, u kishte shkruar Hamiti liderëve Kosovarë.
 
Krijimi i Agjensionit Kosovarë të Privatizimit veprim i dëmshëm
Qysh në vitin 2001, krerët e institucioneve dhe partive politike ishin në dijeni për dëmet që po i shkaktonin ekonomisë dhe shtetit të Kosovës me themelimin e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit.
 
Sipas Ismet Sahitit, themelimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (Anglisht, Kosova trust Agency-KTA), është bazuar vetëm në kaptinën 11 të Kornizës Kushtetuese, e cila flet për “trupat dhe zyrat e pavarura që punojnë në mënyrë të pavarur nga Institucionet e përkohshme” të Kosovës, siç janë: Komisioni qendrorë i zgjedhjeve, Autoriteti Bankar dhe Autoriteti i Pagesave”.
 
Hamiti kishte theksuar se “Kjo agjenci, më saktësisht e gjen mbështetjen në një pjesë të një fjalie të vetme të Kornizës kushtetuese ku flitet për detyrat dhe obligimet e “trupave dhe zyrave” të pavarura, që thotë: ‘trupat dhe zyrat e specifikuar më lartë, dhe trupat e zyrat e ngjashme që mund të krijohen me ligj, do ti kenë fuqitë,…etj”
 
Kjo agjenci, sipas letrës së Hamitit do të kishte fuqi që çdo ndërmarrje në pronësi publike ose shoqërore mund ta: ‘ndajë në pjesë përbërëse, ta shes në tërësi apo ndonjë pjesë të saj, ta likuidojë atë dhe të disponojë me paratë dhe pasuritë tjera të saj”
 
Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e cila bënte pjesë ndër “trupat dhe zyrat” që sipas kornizës kushtetuese janë të pavarura nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës, do ti përgjigjej Përfaqësuesit Special të Sekretarit Gjeneral vetëm sa i përket respektimit të Rezolutës 1244, rregulloreve dhe ligjeve të aplikueshme në Kosovë, dhe Agjencia punon sipas rregullave që i nxjerrte vet.
 
Pasuria e Kosovës në dorën e gjashtë personave
Sipas letrës ‘Hartuesit e kësaj rregulloreje supozojnë se Kosova nuk ka asnjë njeri që din shkrim-lexim dhe me këtë rregullore krijohej një SUPER-AGJENCI, e cila me këtë rregullore e tërë pasuria e Kosovës i besohej (i bëhet “tapi”) gjashtë personave, ku këta gjashtë persona mund të bënin absolutisht çka të duan me pasurinë e Kosovës.
 
Hamiti kishte theksuar në letër se një grup prej gjashtë individëve vështirë se do të ishte në gjendje të mbikëqyrnin me sukses një ndërmarrje të vetme e lënë më të bëhet zot i të gjitha ndërmarrjeve të Kosovës.
 
Në këtë mënyrë, gjithmonë sipas rekomandimeve të ekspertit Ismet Hamitit, institucionet e Kosovës nuk kishin asnjë autoritet mbi Agjencinë, dhe se me këtë rregullore atyre u merreshin edhe ato përgjegjësi të gjymtuara që ua njihte kaptina 5 e kornizës kushtetuese, e popullit shqiptarë të Kosovës i merrej e drejta për tu pyetur për pasurinë e Kosovës.
 
Kjo rregullore sipas ekspertit Hamiti, nuk kishte të bënte asgjë me rezolutën 1244 e as me të Drejtat e rezervuara të Administratorit.
 
Kjo rregullore sipas Hamitit ishte thjesht një produkt i grupeve të ndryshme të interesit, të cilat ia kishin vëjnë syrin pasurisë së Kosovës për Përfitime Personale.
 
Eksperti Ismet Hamiti, që është nga Mitrovica, që karrierën e vet profesionale e ka zhvilluar në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), autoritetin më të lartë botërorë në fushën e telekomunikacionit.
 
Gjatë luftës, me nismën e tij personale, siguroi pajisjet për komunikim dhe organizoi trajnimin e 20 instruktorëve për përdorimin e këtyre pajisjeve si dhe 20 të tjerëve për kundërzbulim, përfshirë këtu edhe financimin. Pas luftës këto pajisje ishin dhurata që mori TMK në fushën e telekomunikacionit.
 
I ngarkuar nga autoritetet e atëhershme te Kosovës, menjëherë pas luftës, ai udhëhoqi grupin koordinues për kthimin e punëtorëve të PTK–së në vendet e tyre të punës. /Indeksonline/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit