“Ruajuni nga…”
Sot, kam dëshirë të përqendrohem tek një tjetër bllok hadithesh, që kanë në thelb të tyre tërheqjen e vëmendjes që na bën Resulull-llahu (a.s) për t’u distancuar nga disa sjellje dhe vepra, që në Islam konsiderohen si devijim nga shembulli elitar i muslimanit në jetë.
Janë fenomene, që shpesh i hasim në jetën e përditshme dhe, në rrugëtimet e besimtarit musliman drejt përsosmërisë së sjelljes dhe moralit te tij, këto hadithe vlejnë shumë si busull orientimi.
Edhe këto hadithe i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Hadithet e kësaj dite, nisin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “Ruaju nga…”, a: “Ruajuni nga…”.
1. “Ruaju nga fjala që vret veshin!” – (Hadithi nr. 2889, f. 173. Ahmedi, nga Ebul-Gadije, si dhe Ebu Nuajm, nga Habib ibnul-Harth).
2. “Ruaju nga shoku i keq, sepse nëpërmjet tij njihesh!” – (Hadithi nr. 2890, f. 173. Ibn Asakir, nga Enesi).
3. “Ruaju nga (pija) e verës, sepse gjynahu i saj qëndron mbi krejt gjynahet, sikurse pema e saj qëndron mbi krejt pemët!” – (Hadithi nr. 2894, f. 173. Ibn Maxheh, nga Khubab).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, gabimi i pijes së verës i tejkalon krejt gabimet e tjera dhe ia kalon atyre.” – (vëll. 3, f. 143).
4. “Ruaju, mos i bëj keq njerëzve, sepse ajo e gropos të mirën dhe shfaq të metat!” – (Hadithi nr. 2899, f. 173. Bejhekiu, nga Ebu Hurejra).
5. “Ruajuni, mos u ulni rrugëve! E, nëse e bëni dhe uleni rrugëve, jepini rrugës hakun e saj: ulja e shikimit, mosbërja keq, kthimi i përshëndetjes (selamit), urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja!” – (Hadithi nr. 2900, f. 173. Ahmedi, Bukhariu dhe Muslimi, Ebu Davudi, nga Ebu Saidi).
6. “Ruajuni nga të qenit dorështrënguar, sepse popujt e mëparshëm u shkatërruan nga ky fenomen! Ai i nxiti për t’u bërë kopracë dhe u bënë kopracë! I nxiti për të shkëputur marrëdhëniet farefisnore dhe i shkëputën ato! I nxiti drejt shthurrjes dhe u shthurrën!” – (Hadithi nr. 2906, f. 174. Ebu Davudi dhe Hakimi, nga Ibn Amr).
7. “Ruajuni nga ekstremizmi në fé, sepse shumë nga popujt para jush u shkatërruan nga ekstremizmi në fé!” – (Hadithi nr. 2909, f. 174. Ahmedi, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Hakimi, nga Ibn Abbasi).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Dmth, ruajuni nga shtrëngimi në fé, nga tejkalimi i kufirit dhe nga kërkimi rreth çështjeve të koklavitura… Ibn Tejmijje ka thënë: “Porosia e tij (a.s): “Ruajuni nga ekstremizmi në fé…”, është e përgjithshme në të gjitha llojet e ekstremizmit në çështjet e akaidit (besimit)dhe veprave. Ektremizmi është tejkalimi i kufirit…”] – (vëll. 3, f. 151).
8. “Ruajuni nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, edhe nëse është nga një femohues, sepse asgjë nuk i bëhet perde asaj, nga All-llahu i Madhëruar!” – (Hadithi nr. 2915, f. 174. Simevejh, nga Enesi).
(Këtu, më duhet të përsëris faktin se zhvatja e padrejtë e pronave vakëf në Shqipëri dhe moszgjidhja e duhur dhe e plotë e kësaj çështjeje, sidomos në vitet e paskomunizmit, rizhvatja e tyre falë edhe ligjit të legalizimit të pronës ilegjitime, mbetet një dëshmi e thellë e devijimit të shoqërisë nga boshti i moralit fetar dhe atij kombëtar! Mjerë ata që hanë e pijnë, ndërtojnë e jetojnë mbi pronat e shenjta vakëf! Mjerë ata sa mallkimet ia kanë bërë hak vetes dhe trashëgimtarëve të tyre!)
9. “Ruajuni nga gjynahet e papërfillshme, sepse shembulli i gjynaheve të papërfillshme është si shembulli i një grupi njerëzish udhëtarë, që u ndalën të pushojnë në zemër të luginës. Dikush solli ca shkarpa, e dikush tjetër ca shkarpa, derisa mblodhën aq shumë sa gatuan bukën e tyre. Edhe gjynahet e papërfillshme, kur të llogariten njeriut për veprimin e tyre, do ta shkatërrojnë!” – (Hadithi nr. 2916, f. 174. Ahmedi, Tabaraniu dhe Bejhekiu, nga Sehl ibn Sad).
10. “Ruajuni nga gënjeshtra, sepse gënjeshtra është e kundërta e besimit!” – (Ahmedi, Ebush-Shejkh dhe Ibn Lal, nga Ebu Bekri).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Prej dëmeve të gënjeshtrës është edhe ngushtimi i rizkut. Ka transmetuar Ebush-Shejkh, nga Ebu Hurejra: “Gënjeshtra e pakëson rizkun!”.
…
Hadithi transmetohet nga rruga e Hz. Ebu Bekrit (r.a), që thotë: [U ngrit Resulull-llahu (a.s) hatib nga ky vend, vitin që kaloi, pastaj qau dhe tha: “Ruajuni nga gënjeshtra!”] …” – (vëll. 3, f. 160).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari