Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) rrëfen: I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “A ka kush i merr nga unë disa fjalë (mësime) dhe punon sipas tyre, apo do t’ua mësojë të tjerëve që të punojnë sipas tyre? Ebu Hurejre tha: “Unë o i Dërguari i Allahut.” Më kapi për dore dhe i numëroi pesë: Ruaju nga ndalesat e Allahut, do të jesh më i devotshëm! Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh më i pasur. Bëhu fqinj i mirë, do të jesh besimtar! Dëshiroju njerëzve atë që e dëshiron për vete, do të jesh musliman! Mos qesh shumë, sepse të qeshurit e shumtë e vdes zemrën.” (Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu. Albani e klasifikon hasen)
Shpjegim i hadithit
Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) e shoqëroi shumë të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e shoqëroi atë gjatë udhëtimit dhe gjatë qëndrimit në shtëpi, prandaj dhe përcolli shumë hadithe pejgamberike të rëndësishme, të cilat përmbajnë udhëzime dhe porosi madhështore.
Hadithi të cilin po e shpjegojmë, Pejgamberi ishte në një mexhlis me shokët e tij dhe u tha: “A ka kush i merr nga unë disa fjalë (mësime) dhe punon sipas tyre apo do t’u mësojë të tjerëve që të punojnë sipas tyre? Ebu Hurejra tha: “Unë o i Dërguari i Allahut.” Më kapi për dore, duke më paralajmëruar rëndësinë dhe madhështinë e këtyre porosive, dhe i numëroi pesë, respektivisht i përmendi pesë cilësi. Për secilën nga këto cilësi do të bëjmë disa ndalesa.
Cilësia e parë: Ruaju nga ndalesat
“Ruaju nga ndalesat e Allahut, do të jesh më i devotshëm”. Këtu përfshihen të gjitha ndalesat, kryerja e ndalesave si dhe lënia e urdhëresave që janë cekur në Kur’an dhe në Sunetin e Pejgamberit, si shirku, mbytja e njeriut, vjedhja, imoraliteti, përgojimi, gënjeshtra, mashtrimi, dëshmia e rrejshme, ngrënia e kamatës, mosbindja ndaj prindërve, ndërprerja e lidhjeve farefisnore, konsumimi i alkoolit, magjia etj.
Nëse njeriu u largohet të gjitha të ndaluarave nga Allahu, ngrihet në shkallë më të larta të adhurimit, sepse ai luftoi egon e tij duke i lënë haramet. Hasan Basriu ka thënë: “Adhuruesit s’kanë adhuruar diç më të vlefshme sesa braktisjen e asaj çka ndaloi Allahu.” Duhet të dihet fakti se qëllimi i vlefshmërisë së lënies së ndalesave ndaj kryerjes së urdhëresave, ka të bëjë me adhurimet vullnetare (nafile), përndryshe lloji i veprave të detyruara (farze) është më i vlefshëm sesa lënia e ndalesave. Kryerja e detyrimeve është kërkesë në vete sikur që kërkohet largimi nga të ndaluarat. Për t’u larguar nga ndalesat s’është i domosdoshëm nijeti për dallim nga kryerja e urdhëresave, sikur që ka shpjeguar këtë Imam Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë.
Cilësia e dytë: Të qenit i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu
“Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh më i pasur.” I lumturi i vërtetë është ai që është i kënaqur me atë që i ka caktuar Allahu, duron në përcaktimin e Allahut, në të keq dhe në të mirë.
Të qenit i kënaqur konsiderohet gardh (rrethojë) mbrojtës i muslimanit nga lëkundjet kohore, kopsht me hije tek i cili drejtohet besimtari nga i nxehti i mesditës. Ajo konsiderohet pasuri e vërtetë, sepse shumë njerëz posedojnë hise të konsiderueshme nga kjo botë, por ata janë shpirtzbrazur, zemërdobët. Lakmia i verboi zemrat e tyre nga burimi i lumturisë dhe nga pasuria e vërtetë, e cila qëndron në zemrën e dëlirë e të pastër. Allahu i Lartësuar thotë:
“Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shuara: 88-89)
Zemra e pastër është ajo zemër e kënaqur me atë që i ka caktuar Allahu dhe e kënaqur me përmendjen e Tij. Ai thotë:
“Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Rra’d: 28)
Kush kënaqet me atë që i ka caktuar Allahu dhe s’lakmon atë ç’është në duart e njerëzve, bëhet i pavarur prej tyre. Të qenit i kënaqur është pasuri dhe krenari me Allahun, dhe e kundërta është varfëri dhe nënçmim me të tjerët. Kush s’kënaqet, s’ngopet asnjëherë. Në të qenit i kënaqur qëndron krenaria, pasuria dhe liria, ndërsa në humbjen e saj nënçmimi dhe varësia ndaj të tjerëve.
Cilësia e tretë: Bamirësia ndaj fqinjëve
“Bëhu fqinj i mirë, do të jesh besimtar!” Bamirësinë ndaj fqinjëve Pejgamberi e bëri shenjë të imanit. Bamirësia ndaj fqinjit manifestohet me shumë çështje, ndër to: Të kthyerit e selamit ndaj tij, përgjigja ndaj ftesës që të bën, mosshqetësimin e tij, plotësimin e nevojave të tij, mbulimin e të metave dhe ruajtjen e nderit të tij, këshillimin etj.
Fqinjtë janë tre kategori:
1. Fqinj i afërm musliman. Ai ka tre të drejta: të drejtën e fqinjësisë, afërsisë dhe Islamit.
2. Fqinj musliman i panjohur (i largët). Ai ka të drejtën e fqinjësisë dhe të Islamit, dhe
3. Fqinj jomusliman. Ai ka vetëm të drejtën e fqinjësisë, ndërsa nëse është edhe i afërm i shtohet e drejta e afërsisë gjithashtu.
Xhibrili pandërprerë e porosiste Pejgamberin, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, për fqinjin, saqë Pejgamberi mendoi se Allahu fqinjin do ta bënte trashëgimtar.
Abdullah bin Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) thotë: Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Xhibrili vazhdonte të më porosiste për fqinjin derisa mendova se do ta caktojë trashëgimtar.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Cilësia e katërt: Dëshiroju njerëzve atë që e dëshiron për vete
“Dëshiroju njerëzve atë që e dëshiron për vete, do të jesh musliman!”Nga Islami i plotë është t’u dëshirosh njerëzve atë që e dëshiron për vete. Të duash të mirën për njerëzit është një moral fundamental islam me të cilin duhet të stoliset secili musliman. Në hadith s’është cekur të urresh për vëllanë atë që urren për vete, sepse dashuria për diçka domosdoshmërish nënkupton urrejtjen e të kundërtës.
Cilësia e pestë: Mos e shpeshto qeshjen
“Mos qesh shumë, sepse të qeshurit e shumtë e vdes zemrën.” Të qeshurit konsiderohet veti e njeriut, ngase kafshët s’qeshin. Të qeshurit rezulton pas një lloj të kuptuarit dhe njohjes së ndonjë fjale që e dëgjon, apo ndonjë qëndrimi që sheh, dhe qesh nga ai. Qeshja e tepërt trashëgon errësirë në zemër dhe vdekje për të.
Islami – si fe e natyrshmërisë – s’mund të imagjinohet se ai pengon dëshirat dhe preferencat natyrore të njeriut, përkundrazi mirëpret çdo gjë që e bën jetën të qeshur, të mirë, i dëshiron muslimanit që personaliteti i tij të jetë optimist, i gëzueshëm dhe urren që të jetë i dëshpëruar e pesimist që nuk shikon në jetën dhe njeriun vetëm se me shikim të errët e të zi.
Modeli dhe shëmbëlltyra e muslimanëve është i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili, megjithë brengat e tij të shumta e të llojllojshme, bënte humor e thoshte vetëm të vërtetën, jetonte me shokët e tij një jetë normale, ndante me ata qeshjen, lojërat e humorin e tyre ashtu siç ndante dhe dhimbjet, pikëllimet dhe fatkeqësitë.
Prandaj, në këtë hadith, nuk ndalohet qeshja, porse teprimi në të, sepse në parim të qeshurit s’është e ndaluar, por për faktin se të shpeshtuarit e saj mund të rezultojë në sjellje që s’pajtohet me to Islami, dhe çdo gjë që del nga kufiri i saj kthehet në të kundërtën e saj.
Përktheu: Almedin Ejupi