2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Rrugëtimi i Nadezhdës drejt islamit

Më të lexuarat

Nadezhda Ariphova ishte një inxhiniere e suksesshme në një ndër fabrikat më të mëdha të Rusisë për prodhimin e letrës. Fabrika ku ajo punonte, mbulonte gjysmën e prodhimit të letrës që përdorej në shtypjen e librave dhe të gazetave (Kondopoga). Nadezhda është nënë e dy fëmijëve dhe zotëron 2 diploma, atë të ekonomistes dhe të inxhinieres. Duke qenë edhe e bukur, ajo ka marrë pjesë në shumë konkurse bukurie, ku edhe ka fituar çmime të para.

Nga babai, Nadezhda është ruse, por nga nëna ka origjinë finlandeze. Ajo ka kaluar një fëmijëri të trazuar për shkak se babanë e kishte të dhënë pas alkoolit, çka e bënte të ishte edhe agresiv ndaj saj. Gjendja e rënduar në familje çoi edhe në divorcin mes prindërve. Nadezhda bashkë me të vëllanë qëndruan me nënën e tyre. Gjatë asaj kohe, ata punonin shumë për të mbuluar shpenzimet që u duheshin për të jetuar si të tjerët. Nadezhda arriti të ndërtonte një standart të mirë jetese, me punë të ndershme, larg nga streset e fëmijërisë dhe nga gjërat e dëmshme.

Qysh e vogël, ajo anonte nga besimi. Në fillim hyri në grupin e dëshmitarëve të Jehovait për disa vite, madje ishte aktive në të. Me kalimin e kohës, ajo vuri re se kishte përplasje, gjëra të paqarta në atë fe, gjë që e çoi në largimin prej saj, duke hyrë më pas në Kishën Ortodokse Ruse. Por as aty, ajo nuk e gjeti dot qetësinë, sepse nuk arriti ta detyronte veten që të përulej para ikonave dhe t’i puthte ato. Kjo e çoi Nadezhdën në një krizë identiteti, duke i shtuar kësaj gjendjeje edhe pasionin e bashkëshortit të saj për alkoolin.

Ajo e ndjente se po e humbiste kuptimin e jetës dita-ditës dhe ra në depresion, duke menduar deri edhe vetëvrasjen. Megjithatë, diçka e pengonte për ta kryer një akt të tillë.
Një ditë, ajo ishte e ulur në një lokal, kur pa një grua muslimane me mbulesë duke ecur në rrugë. Kjo pamje i solli ndërmend faktin se muslimanët nuk e pinin kurrë alkoolin. Me vete tha: “Ç’mund të jetë vallë ajo gjë që i bën ata t’ia ndalojnë vetes drogat krejtësisht?”

Mendoi se përgjigjen e asaj pyetjeje do ta gjente te feja e tyre, te Libri i tyre i shenjtë. U ngrit prej aty ku ishte dhe shkoi në dyqanin më të afërt ku shiteshin libra, ku bleu një kopje të përkthimit të Kur`an-it në gjuhën ruse. Që prej asaj dite, Nadezhda e merrte atë Libër në punë dhe e lexonte në kohën e pushimit të drekës. Herën e parë kur e hapi Librin në zyrë, Nadezhda lexoi suren “Fatiha”, pas së cilës tha natyrshëm, me një zë që e dëgjuan të gjithë: “O Zot, nuk kam dëgjuar kurrë një gjë më të bukur sesa kjo!”

Ky ishte edhe fillimi i rrugëtimit të Nadezhdës drejt njohjes me Islamin. Ajo as nuk e mendonte se do të hynte në këtë fe, por u magjeps prej saj. Sa më shumë që lexonte dhe mësonte për Islamin, aq më shumë afrohej me të, derisa erdhi koha kur rezervoi një udhëtim turistik veror për në Egjipt. Në atë moment, ajo nisi të frikësohej se mos do të vdiste pa u bërë muslimane, prandaj nxitoi për te xhamia e qytetit dhe në prani të imamit të saj, tha Shehadetin (Dëshminë).

Pas kësaj, Nadezhda udhëtoi drejt Egjiptit. Atje, disa punonjës të hotelit i dhuruan asaj libra fetarë në gjuhën ruse, si dhe disa veshje islame. E shëtitën nëpër xhami të ndryshme, e ndërkohë lotët nuk iu ndanë nga sytë, sepse aty gjeti gëzimin, lumturinë e jetës së saj.
Kur u kthye, ajo u përball me armiqësinë dhe dhunën e bashkëshortit të saj. Edhe e ëma iu vu kundër. Por Nadezhda kishte zgjedhur fenë e saj dhe për këtë duroi, qëndroi e fortë. Ajo u divorcua nga bashkëshorti dhe mori përsipër rritjen dhe edukimin e vajzave të saj e vetme. Pas disa muajsh, nëna e saj e kuptoi se Nadezhda e kishte marrë seriozisht zbatimin e fesë që kishte zgjedhur dhe se ishte një vendim i saj, i pandikuar nga askush.

Kështu, ajo i kërkoi falje të bijës për qëndrimin e ashpër dhe filloi t’i qëndronte në krah.

Nadezhda u bë e para grua muslimane që përqafoi Islamin në qytetin e saj të vogël.

Megjithatë, ajo nuk u mjaftua me aq, por u bë një ndër aktivistet më me zë në vend.

Muslimanët e thërrasin atë Emel, meqë ky është edhe kuptimi i emrit të saj në rusisht. HijabIsMyPrideAlbania.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit