Ministri Haxhinasto tha se tarifa për këtë rrugë është dashur të aplikohej më herët, por për arsye të ndryshimeve ligjore, ajo do të fillojë vetëm nga ky vit: “Gjithçka që do fitohet, do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë, për t’i risjellë ato me standarde më të larta, me qëllim që t’u ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë”
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha se tarifa për Rrugën e Kombit do të jetë pesë (5) euro. Haxhinasto tha se tarifa për këtë rrugë është dashur të aplikohej më herët, por për arsye të ndryshimeve ligjore, ajo do të fillojë vetëm nga ky vit.
“Në fakt, kjo është përpjekja e dytë për ta dhënë Rrugën e Kombit me koncesion. Arsyeja pse e kemi shtyrë është sepse ka pasur nevojë për disa ndryshime ligjore të rëndësishme, pasi një procedurë e tillë, në formën që ishte ligji për koncesionet, ishte e pamundur të bëhej, por më 23 mars ne do kemi hapjen e ofertave të kompanive për këtë rrugë. Gjithçka që do fitohet do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë, për t’i risjellë ato me standarde më të larta, me qëllim që t’u ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë. Është folur për një tarifë rreth 5 euro për këtë rrugë, dhe besoj se tarifa që kemi vendosur për këtë segment është nën mesataren e rajonit”, – tha Haxhinasto në një intervistë për ‘Kosovapress’.
Në këtë intervistë, Haxhinasto foli edhe për portin e Shëngjinit dhe për zërat se ky port do t’u jepet me koncesion investitorëve nga Kosova. Por Haxhinasto tha se deri më tani, interesim për këtë port ka pasur vetëm nga investitorë kinezë, e jo nga ata kosovarë. Haxhinasto foli edhe për nevojën e një lidhjeje hekurudhore me Kosovën, në kuadër të një projekti rajonal.
“Ne, një vit më parë kemi realizuar një marrëveshje midis dy ministrive, e cila parashikonte gjithashtu edhe një studim fizibiliteti edhe për lidhjen hekurudhore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe më tej kemi përgatitur një aplikim në kuadër të investimeve për Ballkanin Perëndimor, një kërkesë të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, për të bërë një studim pra për lidhjen hekurudhore, gjë që tani e kemi futur në proces. Por sigurisht, ne kemi mjaft interesa të përbashkët në të gjitha aspektet; planifikimin e zhvillimit të infrastrukturës, të realizimit konkret të veprave të ndryshme, por edhe të mirëmbajtjes. Konkretisht, ne kemi një arterie të rëndësishme kombëtare, siç është Rruga e Kombit, të cilën duhet ta mirëmbajmë së bashku, t’i japim jetë së bashku, pasi akoma kjo rrugë është nën kapacitetin e saj, me qëllim që edhe investimi i jashtëzakonshëm që është bërë të kthehet, por mbi të gjitha rruga, ky investim t’i shërbejë ekonomisë, t’i shërbejë rritjes së qarkullimit, t’iu shërbejë të dyja vendeve, shkëmbimeve midis dy vendeve, që në fakt nuk ka ndodhur ende”./mapo