Shumë e rëndë është kur për disa çështje thuhet fjalë të mëdha, ndërsa me anë të asaj ka plot të tjerë që përfitojnë. Thoshte Albin Kurti për disa politikan se janë hajna tipik, janë në gjendje të vjedhin edhe në përmendoret që ndërtohen në nderim të dëshmorëve. E tillë është edhe situata me rrugën e Kombit, rrugën e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, e cila tani e tuje do të jetë me pagesë. Një rrugë që mban një emër të madh, por që profiterët ia prishin namin dhe lavdinë. Është quajtur rrugë e kombit, ngase kështu do të mundësojë ëndrrën e kamotshme shqiptare për bashkimin kombëtar.
Sa filloi të rritet shkëmbimi i mallrave mes dy vendeve, ku kishte mbi 300 milion euro qarkullim vjetor, asaj ju shtua edhe një taksë tjetër, ajo e pagesës në rrugën e luksit apo autostradë me një shumë prej 5 euro-sh. Ajo që është për tu çuditur është se kjo rrugë, nuk ka edhe rrugë dytësore, që nënkupton nëse ju keni makinë dhe para për naftën, po nuk keni para për pagesën e autostradës, ju nuk keni nga shkoni! Ose do të japësh lekë ose nuk kalon, nëse do të vizitosh Shqipërinë apo nëse do të vizitosh Kosovën.
Kjo normalisht që pritet të ndal fluksin e lëvizjes, ngase më në Shqipëri nuk shkohet për qejf çdo javë, me ngrënë peshk të freskët, por shkohet më rrallë. Numri i automjeteve që lëvizin, do të jenë vetëm nga halli e aspak me qejf.
Është interesante se në këtë rrugë përveç që është zhvatur shumë me vjedhje, duke mos qenë kjo autostradë e përfunduar, po kur bëhet fjalë për marrjen e parave, brenda 3 muajsh rregullohet me gjithçka, e kam fjalën për ato “putarinat” ku i marrin paratë. Ndërsa kur bëhet fjalë për ndërtimin e urave, rregullimin e gropave, çarjet nëpër ato trapat, ura që kalojmë mbi liqene, që i ke hiç më pak se 8 gropa me rend, kjo nuk bëhet as brenda 5 viteve!
Nejse dashurinë që kemi për Shqipërinë, nuk na e heqin këto taksa, e as një gjë tjetër. Ne as nijet nuk e kemi bërë të ndalemi që të mos e vizitojmë këtë vend.
Nexhmedin Kalisi