-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Rrjetet sociale dhe grupet luftuese

Më të lexuarat

Në fund të muajit janar, Twitter ka mbyllur llogarinë e një grupi grupet luftues të lidhur me Al Qaedan, me seli në Somali, Al-Shabaab. Llogaria u shua pasi që grupi postoi një video në Twitter me të cilën kërcënonte të vriste dy pengje keniane, po që se qeveria nuk përmbushte kërkesat e grupit.

Twitter nuk ka komentuar në lidhje me fshirjen e llogarisë, por disa ekspertë të mediave sociale arsyetojnë se Al-Shabaab ka shkelur kushtet e shërbimit të Twitter-it, të cilat ndalojnë kërcënimet direkte të dhunës.

Kjo çështje tashmë është bërë shumë e njohur. Ndonjë llogari e ndonjë organizate “terroriste” në Facebook ose Twitter vihet në qendër të vëmendjes, aktivistët dhe mediat flasin për të, shuhet nga rrjeti social- dhe më vonë, shfaqet llogaria e re.

Derisa grupet luftarake kërkojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë globale, migrimi i tyre në rrjetet sociale, është dëshmuar si një sfidë për rrjetet si Twitter dhe Facebook.

Derisa qeveritë kërkojnë që rrjetet sociale t’i mbyllin llogaritë e këtyre grupeve “terroriste”, aktivistët e internetit, kërkojnë transparencë më të madhe të rregullave të kompanive të mediave sociale.

Aaron Zelin, nga Instituti për Politikat e Lindjes së Afërt në Uashington që së fundi ka publikuar një raport mbi përdorimin e mediave sociale nga grupet xhihadiste, tregon se çka ndodh kur të shuhen llogaritë.

“Shumica e këtyre grupeve pas kësaj krijojnë një llogari të re dhe krijojnë një situatë të tillë, ku llogaria e re rri një kohë e aktivizuar, pastaj mbyllet, dhe është një si lojë e maces me miun”, shprehet Zelin.

Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur në muajin dhjetor në Pakistan, kur Facebook pezulloi llogarinë e një dege mediale të talibanëve, Umar Media. Faqja u mbyll, pasi që kishte thyer rregullat e Facebook-ut duke promovuar “terrorizmin”. Dy javë më vonë, një llogari e re Umar Media u krijua në Facebook, edhe pse nuk është e qartë nëse i takon të njëjtit grup.

Kompanitë private Twitter dhe Facebook lejojnë llogarinë e kujtdo, që pëlqen platformat e tyre. Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve globalë, ato po pëlqehen edhe nga terroristët e internetit në hapësirën publike- një shesh global qyteti në epokën digjitale.

Twitter konsiderohet në masë të gjerë si lider në mesin e rrjeteve sociale për shkak të përkushtimit për lirinë e shprehjes, por disa aktivistë janë të shqetësuar lidhur me mungesën e politikave të qarta të platformës sa i përket ekstremistëve ose organizatave terroriste.

“Twitter në të vërtetë nuk ka ndonjë politikë në lidhje me organizatat terroriste në platformën e vet. Nëse dikush nxit dikë ose një grup njerëzish për dhunë, ky është një kërcënim i menjëhershëm, atëherë ata e mbyllin, siç bënë me Al-Shabaab-in”, thotë Zelin.

Përfaqësuesit e Facebook dhe të Twitter nuk i janë përgjigjur kërkesës së RFE/RL për intervista.

Rebecca MacKinnon, një eksperte mbi censurën në Internet dhe anëtare e Fondacionit New America, shpjegon se përveç kushteve të shërbimeve e rregullave që i administron përdoruesi dhe të sjelljes në platformë, rrjetet sociale janë subjekt i ligjit dhe qeverive në ndryshme, varësisht se ku operojnë.

Sa i përket kërkesave të qeverisë, për shembull, Twitter, operon sipas shteteve.

“Shpresojmë se ajo që po e bëjnë ata është përgjigje ndaj kërkesave të obligueshme me ligj. Pra, nëse qeveria ka një urdhër që ligjërisht është i detyrueshëm dhe e bën të qartë se përmbajtja në fjalë është në kundërshtim me ligjin, atëherë shërbimi është i detyruar që ta mbyllë apo bllokojë atë”, tha MacKinnon.

Për shembull, në tetor të 2012, Twitter ka bllokuar një llogari neonaziste pas një kërkese të qeverisë gjermane, e cila argumentonte se llogaria shkelte ligjet kundër gjuhës së urrejtjes.

Në dy raportet mbi transparencën, Twitter ka thënë se ka qenë një rritje e qëndrueshme e kërkesave të qeverisë për heqjen e përmbajtjeve dhe vërejtjeve për të drejtat e autorit.

Në shumicën e rasteve, Twitter thotë se nuk i ka përmbushur kërkesat e qeverisë për të hequr përmbajtjen.

Sipas MacKinnon, “Facebook është më pak transparent në lidhje me mënyrat se si i është përgjigjur kërkesave të qeverisë ose se çfarë lloj kërkesash ka pasur nga qeveria”.

Shkruarja e mesazheve anglisht në Twitter, paraqet rrugë të sigurt të tërheqjes së vëmendjes së sistemeve filtruese të rrjeteve sociale. Aktivistët e internetit kanë vërejtur se Facebook dhe Twitter reagojnë shpejt kur organizata a individi shkruan anglisht.

Por, kjo mbase nuk paraqet rastin kur të tillët postojnë në gjuhë të tjera.

Sarah Kendzior, shkrimtare dhe antropologjiste, argumenton se Facebook mund të mos jetë i vetëdijshëm për praninë e disa grupeve terroriste për shkak se nuk e di se çka shkruajnë ata.

“E di se Unioni Xhihadist Islamik, për shembull, ka një faqe në Facebook, dhe jo shumë njerëz i pëlqejnë, ose vërejnë se çka publikojnë ata kryesisht në gjuhën uzbeke”, thotë Kendzior.

Zelin gjithashtu thekson se Al-Shabaab në llogaritë arabe dhe somaleze nuk është shuar kurrë, edhe pse aty poston pak a shumë të njëjtat materiale si ato në anglisht.

Derisa organizatat luftarake vazhdojnë të përqafojnë mediat sociale, aktivistët për lirinë e shprehjes duket se do të bëhen më agresivë në thirrjet e tyre për më shumë politika transparente drejt gupeve ekstremiste.

Derisa qeveria ka dëshirë të shuajnë ato, platformat e mediave sociale, do ta kenë shumë vështirë të marrin vendim se ku të vendosin kufirin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit