-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rritet pakënaqësia e qytetarëve ndaj institucioneve, rritet edhe gatishmëria për protesta

Më të lexuarat

Hulumtimet e fundit të pulsit publik dëshmojnë se qytetarët e Kosovës po e humbin në vazhdimësi besimin në institucionet qeverisëse.

Në raportin e publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara- UNDP thuhet se kënaqshmëria e publikut në institucionet qendrore të vendit ka rënë, ndërsa gatishmëria për të protestuar për arsye politike është rritur.

Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se posaçërisht papunësia dhe mungesa e liberalizimit të vizave janë preokupime kyçe të qytetarëve që kanë rritur pakënaqësinë ndaj qeverisjes në vend.

Ndryshe, në raportin e UNDP-së thuhet se papunësia prin me 29 për qind, pasuar nga korrupsioni me 14 dhe varfëria me 8 për qind, si tri çështjet themelore që ndikojnë në mirëqenien e tyre sociale.

Drejtor i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj i tha Radios Evropa e Lirë se nëse nuk fillohet me përmirësim të jetës së qytetarëve do të rritet gatishmëria e qytetarëve edhe për protesta, pasi ata, sipas tij, kanë akumuluar me vite pakënaqësi pikërisht për shkak të mungesës së përparimeve dhe përmirësimeve në jetën e tyre të përditeshme.

“Mendoj se që nga viti në vit kemi pasur një rënie të besimit të qytetarëve në qeverisje dhe kjo lidhet me mungesën e vendeve të lira të punës për qytetarët, si dhe një shkallë e lartë e korrupsionit. Andaj, kjo ndikon në pakënaqësinë e qytetarëve në qeverisje’’, tha Demhasaj.

“Gjithashtu, rol të madh në këtë pakënaqësi, është edhe rritja e gatishmërisë për të protestuar. Edhe liberalizimi i vizave do të ndikojë, pasi janë dhënë shumë data për liberalizim dhe ende nuk ka ndodhur”, shtoi tutje Demhasaj.

Në anën tjetër, Diana Metushi-Krasniqi nga Institutit Demokratik i Kosovës tha se sidomos zhvillimet e muajve të fundit, kanë bërë që qytetarët e Kosovës të zhgënjehen në udhëheqësinë e vendit, duke përmendur disa nga veprimet që janë ndërmarrë nga ta.

“Shihet pakënaqësia e qytetarëve në shumë pika, dhe është shumë normale kur e analizojmë vazhdën e veprimeve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit. Veprimet e kryeministrit (Ramush Haradinaj) si rritja e pagave, rritja e numrit të kabinetit qeveritar dhe shpenzimi i buxhetit mund të llogariten si faktorët kyç në humbjen e besimit tek kryeministrit”.

“Puna e Qeverisë, me afera të ndryshme, si kontrata me Bektel -Enka, ajo me furnzimim me barna etj, ka të bëjë me humbjen e besimit te qytetarët’’, tha Metushi-Krasniqi.

Sidoqoftë, sipas gjetjeve të UNDP-së, vetëm 33 për qind e qytetarëve kanë thënë se janë të kënaqur me punën e kryeministrit, ndërkaq diç më mirë është përqindja për kënaqshmërinë ndaj punës së presidentit, përkatësisht 39 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se janë të kënaqur me punën e kreut të shtetit.

Rreth 30 për qind e kosovarëve janë shprehur të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të vendit.

Hulumtimi po ashtu thotë se 38 për qind e respondentëve janë shprehur të gatshëm të protestojnë, për arsye politike. /REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit