0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

RRITET NUMRI I DHURUESVE VULLNETARË TË GJAKUT

Më të lexuarat

Me moton “Çdo dhurues i gjakut është një hero”, Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut po shënon Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar të Gjakut. Me këtë rast, kjo qendër ka ndërmarrë aksionin për dhurim të gjakut, ku shumë qytetarë iu kanë përgjigjur ftesës së tyre. Sipas drejtuesve të këtij institucioni, vetëdijesimi i qytetarëve për dhurim të gjakut vullnetar po rritet çdo ditë e më shumë.  Ata kanë bërë të ditur se, krahasuar me vitin 2010, në vitin 2011 dhurimi vullnetar i gjakut është rritur 11 për qind, njofton Kosovapress.

Për të qenë më afër dhuruesve vullnetarë të gjakut, që nga ora 10 e mëngjesit të së enjtes, ekipet mobile të Qendrës së Transfuzionit të Gjakut ishin vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Ishin të shumtë qytetarët që pritnin në radhë për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare. Njëri ndër ta ishte edhe Kujtim Shala, i cili çdo tre muaj dhuron gjak, dhe kjo ishte hera e tridhjetë që e bën një gjë të tillë.

“Jam dhurues i rregullt i gjakut, deri më tani kam dhënë 29 herë gjak. Që do të thotë dhuroni gjak shpëtoni jetë”, ka thënë ai.

Për qytetaren Gjyla Nitaj, ishte hera e parë që po dhuronte gjak, mirëpo ajo thotë se tash e tutje do të jetë dhuruese e rregullt e gjakut.

“Duhet të japim të gjithë gjak, që të shpëtojmë jetë. Duhet të bëjmë rezerva të gjakut. Mirëpo është mirë edhe për shëndetin tonë. Është hera e parë, por tash e tutje do të jap çdo tre muaj”, ka thënë ajo.

Fadil Mahmuti, menaxher në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut (QTGJ), ka thënë për Kosovapress se, numri i qytetarëve që kanë shprehur vullnetin për të dhuruar gjak është mjaftë i madh.

“Një numër i konsiderueshëm kanë dhuruar gjak. Besoj që ky numër gjatë ditës do të rritet. Përafërsisht, shifrat janë të njëjta me vitet e kaluara, mirëpo besoj që këtë vit do të tejkalojmë atë të vitit të kaluar, që janë mbledh mbi 100 doza gjaku”, ka thënë ai.

Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut do të vazhdojë për një javë ku ekipet mjekësore deri më 19 maj do të qëndrojnë në çdo qendër të Kosovës, ndërsa u është bërë thirrje të gjithë personave me shëndet të mirë t’i përgjigjen aktivitetit “Çdo dhurues i gjakut është një hero”. Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut manifestohen në të gjitha shtetet e botës që nga viti 2004.

Ndryshe vetëm  brenda 24 orëve,  për nevojat e pacientëve të shtrirë në QKUK, kërkohen rreth 80 doza gjak.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit