Qytetarët e Kosovës në muajin shkurt të këtij viti kanë paguar më shumë për disa produkte të konsumit, krahasuar më muajin janar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin shkurt të vitit 2019 inflacioni mujor i matur ishte 0.4 për qind.
Sipas njoftimit, në ngritje të çmimit ndikuan rritja e çmimit të bukës dhe drithërave, teksa në neutralizim ndikuan rënia e çmimit të energjisë, gazit e lëndëve djegëse.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.4% në muajin shkurt 2019, krahasuar me muajin janar 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.5%); pemë (4.9%); perime (5.7%); veshje (2.9%); këpucë (1.7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.5 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftim.
ASK ka bërë me dije se ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1.6%); rënia e çmimit të drunjve të zjarrit për ngrohje, me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.1%) në IHÇK.
Ndërkaq, shkalla vjetore e inflacionit, e matur në muajin shkurt 2019 me muajin shkurt 2018 ishte 3.2%.
Edhe në krahasim njëvjeçar, ndikimin më të madh e patën rritja e çmimit të bukës dhe drithërave, teksa neutralizimin e bënë pemët.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (10.5%); mish (3.6%); qumësht, djathë dhe vezë (6.2%); perime (29.0%); duhan (3.6%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (3.0%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (4.4%); ngritja e çmimit të naftës dhe benzinës, shërbimet hoteliere (1.5%); kujdes personal (2.1%); gjëra personale (3.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3.4 për qind në IHÇK. Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupi i COICOP-it: pemë (-11.0%), me një ndikim të këtij nëngrupi prej (-0.2 %) në IHÇK”./Monitor