-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Rreziqet e politikave identitare: Nacionalizmi militant

Më të lexuarat

Pse ndjehet nevoja për të shtruar pyetjen dhe çështjen e raportit të identitetit kombëtar dhe atij fetarë në një mënyrë që merr formë të kontradiktës jo dialektike?

Politikat në ballkan nuk shohin më larg se identitetet e tyre kombëtare dhe etnike, më shumë etnike sesa kombëtare. Dita kur politika do të ngrihej mbi dallimet e kombit dhe fesë ende nuk ka ngdhirë dhe gjasat mbeten që kjo natë që ka kapluar diskurset dhe jetën tonë politike dhe kulturore do të vazhdojë edhe për një kohë të papërcaktuar. Kam fjalën për diskurset nacionaliste që me çdo kusht kërkojnë që të reduktojnë identitetet e shqiptarëve në një identitet të vetëm, atë të etnisë. Përderisa këto diskurse nacionaliste përcaktojnë çka mund dhe nuk mund të diskutohet në sferën publike ato vendosin në një pozitë apologjetike te gjithë ata që pranojnë të hyjnë në këto debate me premisat e tyre të pakontestueshme. Rasti i Kim Mehmetit ndoshta e dëshmon këtë më së miri. Në një program të KTV-së në Prishtinë (27 Mars 2013) ku ai ishte ftuar për të sqaruar qëndrimin e tij rreth një thënieje të tij pozitive për kontributin e Islamit në mbrojtjen e identitetit etnik shqiptarë, dhe që kishte provokuar diskursin hegjemonik nacionalist, ai fliste gjuhën e këtij diskursi nacionalist. Atij i mungonte gjuha për të shprehur e rrjedhimisht edhe mbrojtur vetën nga akuzat që i ishin bërë. Kështu që qëndrimi i tij rrëshqet në qëndrim apologjetik, ai mundohet që me çdo kusht të qëndrojë pranë fjalëve që i kishte thënë por edhe të bëjë një tërheqje taktike, përmes ngulmimit të tij se ai është para së gjithash krijues, jo historian. Tërheqja apologjetike nuk është diçka që ai mund ta refuzojë lehtë: përderisa dëshiron të mbetet në skenën publike dhe fjala e tij të respektohet ai detyrohet të tërhiqet përmes marrjes pikërisht të qëndrimit apologjetik. Ai ka pranuar premisat e këtij diskursi dhe duhet ta luaj lojën rregullat e së cilës ai nuk i vendosë. Gjithashtu kjo dëshmon se sa agresiv ky diskurs nacionalist është bërë. Pranimi i premisave të tij nuk është i mjaftueshëm: duhet që ato të mbrohen në mënyrë militante prej çdo kritike sado e arsyeshme që të jetë ajo. Edhe atë që e tha Kimi mund pa kurrfarë vështirësie të rënditet si pjesë e diskursit dominant nacionalist, me një dallim krejt të vogël se ai është i gatshëm të njohë një lloj kontributi që Islami i ka dhënë kombit, jo çdo herë dhe jo çdo kund, por në Shkup. Kur edhe një koncesion i vogël si ky nuk mund të gëlltitet nga ana e diskursit nacionalist atëherë pyetja që do të duhej të parashtrohet është: a kemi nevojë për një diskurs të tillë intolerant dhe përjashtues të çdo vlere tjetër që kërkon jo të bëhet kritik ndaj kësaj hegjemonie militante por ta mbështesë atë përmes një arsyetimi tjetër, më tolerant ndaj Tjetrit (diskursi i Kimit)? Vlerat e pluralizmit evropian të cilat ata publikisht i mbështesin nuk gjejnë vënd aty. Ai nuk është në gjendje të tolerojë as ata që kontribojnë për mirëqenien e tij, si do të tolerojë ata që nuk dëshirojnë t’i kontribojnë hegjemonisë së saj?

Është evidente që njeriu është qenie me shumë identitete. Identitetet krijohen vazhdimisht përmes aktivitetit të njeriut. Disa identitete janë më të qëndrueshme se të tjerët: posedojnë një vazhdimësi të qartë kohore dhe historike (identitetet etnike dhe fetare). Për shkak të kësaj qëndrueshmërie ato mirren si të dhëna dhe bile në njëfare mënyre edhe bëhet natyralizmi i tyre. Pas kalimit të një kohe relativisht të gjatë ato bëhen pjesë të pandashme të identitetit të njeriut. Identitetet pra konstruktohen dhe shkatërrohen (rasti i identitetit jugoslav). Por, pa përjashtim, të gjitha identitetet janë konstrukte shoqëroro-politike dhe kontingjente. Nuk do të thotë kjo se ato nuk janë të rëndësishme. Njeriu pa identitete as që mund të mendohet. Ai do të ishte një hiq. Prandaj edhe rëndësia e kultivimit të identiteteve që na japin kuptim dhe përmbajtje në jetë. Identitetet gjithashtu krijojnë substancën tonë shoqërore. Ato na e lehtësojnë, për të mos thënë mundësojnë, komunikimin ndërmjet vete.

Me gjithë rëndësinë që identitetet kanë për jetën tonë individuale dhe shoqërore, ato nuk duhet të fetishizohen dhe të trajtohen si të shenjta dhe mbi çdo kritikë. Fetishizimi i tillë krijon mundësitë për shumëzimin e konflikteve. Insistimi në ngritjen e një identiteti në pozitën e sublimes pikërisht funksionon si shtytës për konflikte. Megjithëse konfliktet janë pjesë e pandashme e njeriut disa konflike jane krejt të pa nevojshme, dhe ato vetëm sa ngadalësojnë ecjen përpara të njeriut.

Është karakteristikë e këtyre debateve mbi raportin fe dhe komb në trojet tona se ato shpejt shndërrohen në debate histerike dhe përbuzëse ndaj njëri tjetrit. Por është diskursi hegjemonik nacionalist ai që provokohet më lehtë dhe në proces shndërrohet në diskurs histerik irracional. Kjo ndodhë për arsye se është debat i motivuar prej premisave përjashtuese të tjetrit. Është debat që a priori ngre flamurin e një identiteti të mbyllur dhe kërkon që çdo identitet tjetër në raport me të të marrë status dytësorë. Qëllim është përjashtimi i tjetrit që merr guximin të identifikohet me një identitet tjetër nga ai që dikton politika hegjemonike, apo të identifikohet me atë që politika hegjemonike kërkon të distancohet pjesërisht ose tërësisht. Politika e bazuar mbi identitete të mbyllura është rrjedhimisht politikë intolerante me prirje fashiste. Si e tillë ajo është e rrezikshme, dhe prandaj edhe duhet të luftohet.

Pasi që qëllimet e këtij debati nuk janë shpresëdhënës por janë të destinuara që të krijojnë ndasi aty ku nuk ekziston asnjë atëherë duhet të shtrojmë pyetjen: pse kjo nevojë që të parashtrohet indentiteti etnik si primarë në relacion me identitetet tjera? Pse duhet t’i mohohet e drejta e atij që dëshiron të bëjë një identifikim tjetër si primarë? Për shembull, një identitet seksual, apo letrarë apo fetarë. Kush u jep të drejtën ketyre matrapazëve të nacionalizmit që të bejnë trysni mbi të gjithë ata që nuk ndjejnë as nevojën e as nuk shohin domosdoshmërinë e trajtimit të identitetit etnik në formë fetishistike, pasi që konsiderojnë se një trajtim i tillë është i stërmbushur me rreziqe dhe sidomos kur identiteti etnik nuk është në rrezik. Pasi që ai nuk është në rrezik, pse, atëherë, krijojnë pluhur dhe pastaj ankohen se nuk shohim?

Parashtrimi i pyetjes në këtë formë, nëse feja (në këtë rast islami) ka kontribuar në mbrojtjen e identitetit kombëtar është pyetje që synon t’i japë kombit (që ngatërrohet me etninë) një përparësi dhe privilegj a priori përmes mitologjizimit të tij por që nuk mund ta arsyetojë para kërkesave tjera që përdorin të njejtën logjikë. Kjo vetëm presupozon se etniciteti është primarë (statusi i kësaj përparësie nuk është i qartë: a është përparësi ontologjike ose thjeshtë historike?) në këtë lidhje, kurse identitetet tjera janë dytësore. Por kush e përcakton këtë hierarkizim të identiteteve në këtë mënyrë? Kush mund ta marrë këtë vendim për mua? Pse duhet të shtrohet kjo pyetje anakronistike për një periudhë kur kombi si komb as që ka qenë formuar, dhe vetëdija si vetëdije për të as që ka ekzistuar? Por edhe sikur të ekzistonte është afër mendsh të supozohet se përderisa kemi formuar një identitet kombëtar, muslimanët kanë kontribuar masivikisht në krijimin e tij. Të kërkosh t’i largosh ata që janë krijuesit dhe mbrojtësit e vërtetë të këtij identiteti të kombit është t’i vështrosh gjërat mbrapsht.

Paramendo tani sikur dikush të fillojë një debat rreth identitetit të ri kosovarë, me premisën se shqiptarët musliman, ose ata katolik, nuk kanë kontribuar asgjë, ose kanë kontribuar fare pak, në krijimin e tij; kjo do të ishte një tezë absurde dhe tërësisht e paarsyeshme. Një tezë e tillë sdo të duhej as të konsiderohet e debatueshme. Është e fakt se shumica e shqiptarëve kosovarë i përkasin një identiteti fetar musliman, dhe si të tillë ata kanë konsideruar se identiteti i tyre fetar nuk përjashton në asnjë mënyrë krijimin e një identiteti të ri kosovarë, sikur që kanë konsideruar se identiteti i tyre etnik nuk pengon në krijimin e një identiteti të ri kosovarë. Kurse etno-nacionalistët kanë qenë parimisht kundër idesë së krijimit të një identiteti të ri kosovarë. Shqiptarët muslimanë, përderisa janë identifikuar si muslimanë dhe kosovarë kanë përkrahur pakushtimisht identitetin e tyre të ri. Përderisa shqiptarët janë identifikuar si ento-shqiptarë ata kanë marrë qëndrim mohues ndaj identitetit të ri. Kjo del hapur në përpjekjet e tyre për tja bashkuar Kosovën Shqipërisë, sepse disi, kështu mendojnë ata, Kosova nuk është e plotë pa Shqipërinë, disi identiteti kosovarë është identitet i sajuar gabimisht, është identitet jo natyrorë. Megjithatë, duhët të përmendet kalimithi, se edhe kosovarizmi kohë pas kohë rrëshqet në diktumet e etno-nacionalizmit kur në pyetje është identiteti musliman.

Si rrjedhojë e kësaj hegjemonie diskursive është krijuar tek disa shqiptarë miti se disi ç’veshja prej identitetit fetar islam, që ditë e më shumë perceptohet si një element i huaj toksik në trupin etnik, element i Lindjes i prurë këtu tek ne përmes perandorisë Osmane, është kusht paraprak për të hyrë në Evropë, për t’u bërë evropianë. Evropa, besojnë këta, është e krishterë, dhe sigurisht që ne do të pranoheshim më shpejt dhe më lehtë në të sikur ne t’i kontribonim integrimit tonë përmes ç’veshjes sonë të identitetit fetar dhe mundësisht veshjes së një identiteti tjetër. Apo, nëse nuk ç’vishemi tërësisht nga identiteti fetar atëherë së paku të bëjmë një përpjekje për margjinalizimin e tij të plotë dhe pengimin përmes kërcënimit të margjinalizimit kulturor, dhe flakjes nga publikja, të identifikimit të tij me të. Dhe debatet mbi raportin fe dhe komb pasqyrojnë këtë botëkuptim që bën trysni mbi popullin prej një perspektive të një iluzioni të imponuar nga ky segment i shoqërisë shqiptare që më çdo kusht dëshiron t’i paraqitet Evropës si një objekt që zgjon libidon e saj. Shqiptarët paraqiten si objekt dëshire në ekonominë libidinale të Evropës që përfytyrohet, në anën e vet, si subjekt dhe master i vërtetë i joni: ne jemi të vlefshëm për Evropën vetëm përderisa ngjallim dëshirën libidinale të saj për ne. Ky nuk është perceptimi i Evropës për ne: ky është perceptimi yne, i diskursit tonë hegjemonik nacionalist, se si dëshirojmë që të na shohë Evropa dhe çka dëshirojmë të bëhemi për Evropën. Në këtë diskurs haset një mallëngjim i tmerrshëm për “feminizimin” e vetes në raport me Evropën. Dëshira është që të penetrohemi prej Evropës. Dhe krejt pa dashjen e tyre ata, nacionalistët pra, bëhen pre dhe bien në kthetrat e asaj që ata më së shumti e urrejnë: Lindjen. Ata bëhen agjentët e vërtetë të shtrirjes dhe përhapjes së kulturës (në perceptimin orientalist të saj) së Lindjes. A nuk është Lindja në imagjinaren evropiane objekt i dëshirës libidinale të saj? Ky është diskursi orientalist i Evropës për Lindjen, dhe si i tillë, në imagjinaren maskuliniste të saj, është diskurs përbuzës ndaj Lindjes. Pse, pra, mendojnë ata se paraqitja ynë e vetes si një objekt libidal për Evropën do ta bëjë Evropën të na shikojë ndryshe nga ç’i shikon lindorët? Arratisja prej Lindjes na bën të bëhemi objekti që përmbush të gjitha karakteristikat dhe veçoritë që Perëndimi i dha Lindjes në imagjinaren e saj si objekt prej të cilit duhet dalluar veten.

Prandaj ky diskurs i vetëmohimit të qenies muslimane tek shqipatarët duhet të jetë diskursi më patetik dhe jo autentik që ka ekzistuar ndonjëherë. Ai nuk është një diskurs që lind prej kundërthënieve dhe antagonizmave shoqërorë të shoqërive shqiptare, por është një diskurs artificial i determinuar nga një pikëpamje intolerante dhe raciste që një segment i nacionalistëve shqiptarë kanë formuar për Tjetrin, që për ta simbolizohet në personin e muslimanit. Pikësëpari, paraqitja e Evropës në këtë konstruktim intolerant dhe racist është një paraqitje dhjetëfish e shtrembëruar. Jo se nuk ekzistojnë diskurse raciste dhe islamofobike në Evropë. Ekzistojnë! Por gjithashtu ekziston Evropa tjetër, ajo që është hegjemonike sot në liberalizmin i cili respekton disa standarde tjera nga ato të diskursit nacionalist shqiptarë dhe rrjedhimisht nuk kërkon të na shndërrojë në objekt të dëshirave libidinale të saja si kusht për integrimin tonë në të. Kjo Evropa tjetër nuk kushtëzon integrimin e shqiptarëve me shkeljen e identitetit të tyre fetar. Ajo kërkon që integrimi në Evropë të bëhet përmes përmbushjes së disa standardeve në fusha të politikës ndër të tjera edhe respektimin e të drejtave të identiteve tjera dhe përmirësimit të kushteve ekonomike. Kushte që shqiptarët nuk i kanë plotësuar, dhe nuk dihet saktësisht se a do të jenë në gjendje t’i plotësojnë ndonjëherë pasi qe janë aktualisht shumë të angazhuar në krijimin e një identiteti shqiptarë me tendenca fashiste. Ky dështim kamuflohet me debate të tilla pretencioze dhe qellimkëqija se ndoshta nëse Evropa na sheh duke marrë një qëndrim kundër-islam mbi islamin ajo do të kuptojë se ne jemi bijtë e saj të përhershëm (njëjtë si kombi shqiptarë që paska ekzistuar përherë: duhët te jetë sui generis në historinë e kombeve botërore) dhe do të na marrë në gjirin e saj prej të cilës Islami na paska larguar. Ky është një romanticizëm i egër i mbështetur në një imagjinatë të varfur dhe në një arsye shterrpë. Nëse shqiptarët, më saktë, ky segment i shoqërisë shqiptare, janë vërtetë të interesuar për t’u bërë pjesë e kulturës së kombeve të Evropës atëherë ata duhet të punojnë në përmbushjen e kushteve që Evropa kërkon për hyrje në të. Asaj nuk i duhen njerëz që vërshojnë atje me koncepione anakronistike për të. Do tja dëmtonin imazhin që ajo mundohet ta ruajë për veten./albphilosopher

Sead Zimeri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit