1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha, rrëfyer nga protagonistët e lëvizjes antikomuniste

Më të lexuarat

 
 
Demonstratat antikomuniste që filluan në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990 u bënë të pandalshme derisa sollën edhe përmbysjen e regjimit 50 vjeçar komunist. Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi më 8 dhjetor 1990, udhëhequr nga lideri i saj Azem Hajdari, për të vazhduar disa ditë me radhë, derisa kjo lëvizje solli edhe shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri.
 
Por shpallja e pluralizmit ishte vetëm njëra fitore e kësaj lëvizjeje, pasi demonstratës së studenteve të lëvizjes së Dhjetorit 1990 iu shtuan edhe qytetarët e vendit, të cilët e kuptuan rrugën pa kthim të ndryshimit të regjimit politik në vend. Dhe një nga ditët më kulmore të kësaj lëvizje do të ishte pikërisht rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Shtatorja u rrëzua gjatë një demonstrate popullore më 20 shkurt 1991, dhe sot shënohen 24 vite që nga ai moment.
 
Anadolu Agency (AA) për të mësuar më shumë rreth asaj ditë historike për demokracinë në Shqipëri ka biseduar me dy nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit,  ku njëri prej tyre ishte në mesin e turmës së irrituar që shembi një nga simbolet më të forta të sistemit komunist që qëndronte në Sheshin “Skënderbej” në kryeqytetin e Shqipërisë. Ata janë Ilir Dizdari dhe Arben  Pinari, ish-studentë të lëvizjes Dhjetor 1990, të cilët për AA rrëfejnë emocionet e asaj ditë që do të ndryshonte rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
 
Ilir Dizdari, njëri nga protagonistet e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri tregon se demonstratat në muajin shkurt 1991 ishin kulminacioni i lëvizjes studentore që filloi më 8 dhjetor 1990, që tregoi që kjo lëvizje e intelektualëve të rinj ishte një lëvizje emancipuese dhe sipas tij e pa krahasueshme me një lëvizje tjetër në të gjithë Europën Lindore për shkak të specifikave të cilat ishin në Shqipëri, të një vendi që ishte totalisht i mbyllur dhe i izoluar.
 
“Lëvizja e muajt shkurt lindi nga një element i një proteste të studentëve të Kamzës dhe më pas u zhvillua në qytetin Studenti ku u kërkua heqja e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës. Kjo lëvizje në atë kohë ishte kundër ideologjisë komuniste, dhe kundërshtonte atë çka kishte bërë diktatura për rreth 50 vjet në Shqipëri, duke eliminuar çdo shprehje të dinjitetit njerëzor, të lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut”-shprehet Dizdari.
 
Dizdari rrëfen ndër të tjera se lëvizja studentore e cila vazhdoi edhe në shkurtin e 1991 finalizoi në pak kohë atë të cilën kërkonin të gjithë shqiptarët, heqjen e simboleve komuniste dhe përmbysjen e regjimit. Jo vetëm për të, por për çdo qytetar, rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në mes të Tiranës ishte fillimi i një jete të re për shqiptarët. “Por kjo nuk do të thotë që komunistët shqiptarë apo ata elementë të cilët edhe kësaj dite vazhdojnë të jenë prezentë në shoqërinë shqiptare fluturuan apo u larguan nga Shqipëria, pasi bënë gjithë përpjekjet dhe rezistencën për të frenuar rritjen e demokracisë së re shqiptare. Ky është një element i cili bën të mendojmë që edhe sot e kësaj dite idealet e lëvizjes studentore ashtu siç nisën dhe ashtu siç u zhvilluan nuk janë realizuar plotësisht. Ka shumë elementë që ne i kërkuam në atë kohë dhe se sot nuk funksionojnë. Ne kemi kërkuar dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, kemi kërkuar hapjen e dosjeve, ne kemi kërkuar që shoqëria shqiptare të shtrihet në rrafshin normal të një zhvillimi të një demokracie progresive dhe zhvilluese”.
 
Ndërsa edhe Arben Pinari është një tjetër protagonist i ngjarjes ku u rrëzua shtatorja e diktatorit Enver Hoxha, në qendër të Tiranës 24 vite më parë dhe i rikthyer pikërisht në vendin ku ishte vendosur shtatorja për AA tregon disa detaje nga ajo ditë. Ai në atë kohë ka qenë student në Universitetin e Tiranës dhe tregon se dita e 20 shkurtit 1991 është dita që nuk do të shlyhet ndonjëherë nga kujtesa e tij, për vetë emocionet dhe rëndësinë që kishte kjo ditë për të. “Atë ditë kam zbritur nga qyteti Studenti gjatë paradites dhe fatmirësisht jam gjendur në qendër ku ka qenë ish- shatërvani i Tiranës së bashku me tre persona të tjerë të panjohur. Momenti gjatë së cilës u zhvillua gjithë ajo skenë jo e organizuar, por një lëvizje spontane e qytetarëve të Tiranës, tregonte se pikërisht synimin për rrëzimin e bustit të diktatorit, që për ne ishte kulminacioni i lëvizjes studentore dhe i lëvizjes mbarëkombëtare antikomuniste, sepse kjo lëvizje studentore në këtë kohë më 20 shkurt ishe përkrahur dhe nga disa greva të tjera nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke filluar që nga universitetet dhe fakultetet e tjera të Tiranës dhe nga greva e minatorëve të Valiasit, Bulqizës, etj, duke marrë kështu rrjedhën e një lëvizjeje mbarëkombëtare”.
 
Kërkesa e studentëve dhe intelektualëve të rinj shqiptarë ishte përmbysjen e regjimit komunist, dhe Arben Pinari pohon se përmbysja e këtij regjimi fillonte pikërisht nga shembja e simboleve të diktaturës të cilat ishin vendosur në qendër të Tiranës. Duke rrëfyer detajet e asaj dite Pinari tregon për AA se rreth orës 11.00 – 12.00, të datë 20 shkurt 1991, populli i Tiranës duke zbritur nga qyteti Studenti me thirrjet “tek Sheshi tek Sheshi” të pa organizuar politikisht zbritën drejt sheshit “Skënderbej” me qëllimin për rrëzimin e bustit të diktatorit. Ai kujton se forca të shumta policore të reparteve speciale e kishin rrethuar të gjithë sheshin dhe nuk lejonin kalimin e asnjë personi, ndërsa duke zbritur nga qyteti i tyre, studentët u drejtuan në krye të këtyre turmave drejt sheshit “Skënderbej” me thirrjet “Poshtë Diktatori”, “Ta Shembim, ta Shembim Bustin”  dhe shumë thirrje të tjera që kishin lindur pikërisht nga greva e studentëve në qytetin Studenti.
 
“Pikërisht në këtë shesh qytetarët e Tiranës iu bashkuan turmës së studentëve në mbështetje të tyre dhe në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre që ishin studentët në grevën e urisë dhe filluan të sulmojnë nga të gjitha anët vendin ku ishte busti i diktatorit”- rrëfen detajet e asaj ditë Pinari, një nga protagonistët e asaj ngjarjeje historike për shqiptarët.
 
Pinari shprehet se forcat speciale i kanë sulmuar me shkopinj gome protestuesit, madje edhe duke i zmbrapsur tre herë, por ai rrëfen se më në fund arritën ti mposhtnim këto forca policore deri sa ato e panë që ishin të pa fuqishëm para mijëra, qindra mijëra qytetarëve të Tiranës. “Nuk e kam parë ndonjëherë në jetën time qendrën e Tiranës të mbushur aq shumë me njerëz. Momenti më kulminant ka qenë kur ne pushtuam sheshin ku ndodhej busti, dhe filluam që të  godisnim bustin me një levë, më pas me një kavo çeliku dhe një litar lidhëm një pjesë të bustit dhe filloi të lëkundej.  Në pak minuta erdhi dhe momenti kur është rrëzuar busti, i cili ra në krahun e majtë të diktatorit dhe ishte 8 metra i gjatë. Forcat speciale dhe të Ministrisë së Brendshme e panë se ishin të pa fuqishëm përballë kësaj lëvizjeje, dhe mbaj mend ku dhe më pas aty u dynd e gjithë kjo masë e madhe e njerëzve duke e shkelur me këmbë bustin. Më pas ka ardhur një makinë e cila e ka tërhequr zvarrë si një amanet i studentëve i cili u plotësua nga qytetarët e Tiranës, që ishte heqja e bustit dhe dërgimin i tij pikërisht atje ku ishte zemra e lëvizjes shqiptare, pra që ishte lëvizja studentore”- tregon i emocionuar ish-studenti i lëvizjes antikomuniste të Dhjetor 1990 Arben Pinari
 
Dy protagonistët e asaj kohe tregojnë se busti i ndarë në dy pjesë u dërgua në qytetin Studenti si një trofe i lëvizjes së tyre,  aty ku ishte dhe greva e studentëve. Në momentin kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha filloi edhe shembja e të gjithë veprave që mbanin emrin e diktatorit.  Ndërkohë lideri i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, Azem Hajdari u vra në një atentat më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.
 
Kujtojmë se Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985 dhe e udhëhoqi Shqipërinë me dorë të hekurt për 40 vite me radhë. Pas vdekjes së tij pushteti komunist do të trashëgohej tek Ramiz Alia, por 6 vjet më vonë sistem komunist do të pushonte së ekzistuari në Shqipëri.  
 
11 ditë pas rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, në Shqipëri do të mbaheshin edhe zgjedhjet e para pluraliste pas 50 vitesh diktaturë, më 31 mars 1991, ku përsëri u fituan nga Partia e Punës e Shqipërisë (trashëgimtarja e Partisë Komuniste të Shqipërisë). Aktiviteti i parlamentit të parë pluralist pas përmbysjes së regjimit komunist ishte i shkurtër, pasi vendi shkoj në zgjedhje të parakohshme më 22 mars 1992, zgjedhje këto që u fituan nga opozita e asaj kohe./AA
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit