1.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Rrezet X, mjet i rëndësishëm diagnostikimi e terapie në mjekësi

Më të lexuarat

Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimi në QSUT na pajis me një informacion të vlefshëm, jo vetëm për të njohur shumë rreth tij, por edhe për të kuptuar si bëhet kontrolli dhe menaxhimi i ekspozimeve, si dhe disa këshilla për t’i pasur gjithmonë parasysh.
 
Referuar statistikave një numër gjithmonë e në rritje pacientësh u nënshtrohen rrezatimeve jonizuese, por në të njëjtën kohë duke rritur ndjeshëm ekspozimet mjekësore.
Nisur nga këta faktorë shtrohet si detyrë kontrolli/menaxhimi i këtyre ekspozimeve në mënyrë që të kemi të dhëna për të shmangur efektet e ndryshme, ose dëmtime nga këto rrezatime.
Dozimetria e rrezatimeve jonizuese është degë e fizikës teknike, që merret me studimin e cilësisë së rrezatimit jonizues, madhësive fizike, që karakterizojnë bashkëveprimin e rrezatimit me lëndën, si dhe metodat për matjen e këtyre madhësive. Përcaktimi sasior i dozës së rrezatimit, që vepron mbi organizmat e gjalla, shërben për të vlerësuar rrezikun, që kjo dozë shkakton në organizëm.
Për të kufizuar dëmtimet vendosen disa kufij, që konsiderohen si pragje, që në asnjë rast nuk duhet të tejkalohen. Për matjen e dozave të rrezatimeve përdoren aparatura, ose metoda të ndryshme, të cilat verifikohen periodikisht për të përcaktuar saktësinë e matjes. Njohja e dozimetrisë së pacientëve dhe metodat e marrjes së dozave të tyre, gjithashtu evidentimi i masave mbrojtëse për personelin dhe rekomandimet për të pasur doza sa më të vogla të trinomit pacient, staf dhe publik, jepen nga RPO në QSUT nga viti 2006.
Rrezet Rontgen, ose rrezet X janë zbuluar për herë të parë në vitin 1895 nga Wilhelm Conrad Rontgen dhe për këtë arsye mbajnë emrin e tij.
Rrezatimi X është një formë e rrezatimit jonizues. Rrezet X janë valë elektromagnetike të padukshme me energji dhe frekuencë shumë të lartë. Imazheria radiologjike mbështetet në faktin që inde të ndryshme të organizmit i dobësojnë, apo i përthithin rrezet X në mënyra të ndryshme, në varësi të përbërjes së tyre. Kur një tufë homogjene rrezesh X përshkon trupin e njeriut, tufa që del nga trupi është johomogjene. Ajo pasqyron trajtën dhe llojin e indeve, që ka përshkuar. Këto informacione, që quhen “imazh rrezatues”, mund të shfrytëzohen për të përfituar një imazh, duke përdorur marrësa të përshtatshëm. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me një imazheri dobësimi, e cila përfaqësohet kryesisht nga radiografia standarde, skanografia dhe radiologjia numerike me zbritje. Marrja e këtyre imazheve realizohet me dhënien të një sasie rrezatimi në trupin e pacientit dhe të personelit. Sipas parimeve të mbrojtjes nga rrezatimi, ky rrezatim duhet të përligjet gjithmonë nga ana e mjekësisë sipas parimit ALARA. Ashtu si çdo teknikë tjetër imazhimi edhe kjo teknikë ka evoluar dhe ka ardhur duke u përmirësuar me kalimin e viteve, por dëmet stokastike, apo deterministike, që shkakton rrezatimi X nëse nuk është i kontrolluar dhe monitoruar, nuk kanë ndryshuar.
Disa këshilla për mbrojtjen e pacientëve nga rrezatimi:
– Të mos kryhet ekzaminimi radiologjik pa pasur rekomandimin nga mjeku specialist pasi dëmtohen.
– Të kufizohen ekzaminimet radiologjike të femrave në periudha të aktivitetit gjenital gjatë 10 ditëve që pasojnë periodat. Në këtë mënyrë shmanget rreziku i rrezatimit të një shtatzënie fillestare.
– Të kufizohet fusha e rrezatimit në zonën e duhur.
– Radioskopia me përforcues të shkëlqimit të përdoret me perioda të shkurtra, duke ndërprerë tufën gjatë zhvendosjeve të pacientit, ose burimit.
– Të kontrollohet rregullisht cilësia e aparaturës nga pikëpamja dozimetrike.
Përveç pacientit, që duke vënë në balancë rrezikun nga rrezatimi dhe gjendjen e tij shëndetësore është vendosur të ekzaminohet, pjesa tjetër e njerëzve, që punojnë aty, duhet të marrin masat e nevojshme për tu mbrojtur. Mbrojtja e personelit bëhet duke e ndarë dhomën, ku është vendosur skaneri, nga dhoma e panelit të kontrollit të skanerit me një xham plumbi.
Disa k,shilla për mbrojtjen e personelit nga rrezatimi:
– Komandim në largësi i aparaturës (pas një xhami prej plumbi).
– Mbajtje e detyrueshme e një dozimetri nga personeli, që ekspozohet dhe që duhet të kontrollohet çdo 2 muaj.
– Bbajtja e përparëses dhe dorezave prej plumbi në rastet se qëndrojnë pranë pacientit gjatë ekzaminimit radiologjik.
– Të kontrollohet rregullisht cilësia e aparaturës.
Rrezatimi jonizues në formën e rrezeve X, që vjen nga skanimi CT, ose IR, ka energji të mjaftushme për të dëmtuar në mënyrë direkte, ose indirekte ADN-në. Herë pas here, këto dëmtime të ADN-së nuk arrijnë të rekuperohen nga mekanizmat riparues të qelizës. Të tilla dëmtime ndonjëherë çojnë në formimin e kancerit. Sipas një studimi të vitit 2007 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 1,5%-2% të kancerëve shkaktohen nga skanimi CT. Komisioni i mbrojtjes nga rrezatimi harton paketa rregullash, të cilat këshillohet të ndiqen nga spitalet për sa i përket dozës, që duhet të marin persona të ndryshëm, sidomos pediatrikët . Duhet treguar një kujdes i veçantë kur bëhet fjalë për nënat shtatzënë, sepse rrezatimi me rreze X ka një shkallë shumë të lartë rrezikshmërie për fetusin.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit