5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Rreth Kadasë dhe Kaderit: Përgjegjësia nënkupton lirinë e veprimit

Më të lexuarat

Allahu i Madhëruar e ka bërë njeriun – i cili ka mbushur moshën e pjekurisë – përgjegjës të veprimeve që ai kyren. Kjo përgjegjësi nënkupton që njeriu të jetë i lirë në ndërmarrjen e veprimeve, sepse përndryshe do të ishte diçka e padrejtë që ai të ndëshkohej duke mos qenë i lirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robërve.”[1]

Kjo është arsyeja se përse gjykata cakton dënim për kriminelët, sepse krimineli ka vepruar keq me dëshirën e vet dhe e ka paramenduar aktin e tij kriminal. Po ashtu, nuk konsiderohet i drejtë rezultati i provimeve të nxënësve, nëse atyre nuk u është dhënë liri e plotë që të kenë mundësi të shkruajnë përgjigjet e pyetjeve.

Ademi (a.s) dhe Havaja ishin krijesat e para, të cilëve iu ndalua ngrënia nga pema. Atyre të dyve iu dha liri e plotë në veprimet e tyre dhe nuk u detyruan në mosngrënien e tij. Megjithatë ata hëngrën nga frutet e pemës duke qenë të lirë në zgjedhjen që bënë. Kështu pra, lirinë e të vepruarit te njerëzit Allahu i Madhëruar e krijoi qysh në zanafillë. Liria e veprimit është nderim dhe begati për njeriun.

Nuk ka dyshim se besimi i atyre njerëzve se njeriu në veprimet që bën është i imponuar është një akuzë e rëndë që i adresohet Shpalljes Hyjnore. Ky lloj besimi e penalizon aktivitetin e njeriut, e bën të humbasë shpresën dhe e tërheq drejt plogështisë dhe dembelizmit. Ky lloj besimi është akuzë e rremë kundrejt Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarve të Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ka argumentin më të plotë.”[2]

Elementët kryesorë të këtij argumenti janë:

1 – Mendja, që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njeriut dhe të cilën e bëri mbajtëse të përgjegjësisë, që me anë të saj njeriu arrin të bëjë dallimin midis të  Vërtetës nga e Kota, beson tek Allahu i Madhëruar, zbaton urdhëresat e Tij dhe shmanget nga gjërat e ndaluara.

2 – Natyra e pastër të cilën Allahu ka krijuar tek çdo njeri. Allahu i Madhëruar thotë: “Por Allahu jua bëri të dashur besimin dhe jua zbukuroi atë në zemrat e tuaja, ndërsa mosbesimin, shfrenimin dhe kundërshtimin jua bëri të urryera. Të tillë janë ata që gjetën rrugën e drejtë. Kjo është dhuratë dhe begati prej Allahut, e Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë.”[3]

3 – Dërgimi i të Dërguarve si përgëzues dhe paralajmërues tek popujt e tyre.

4 – Zbritja e librave hyjnorë, në të cilët janë ligjet e Allahut të Madhëruar që i ka zbritur për robërit e Tij: urdhëresat dhe ndalesat.

5 – Pajisja e njeriut me të drejtën e veprimit dhe mundësisë për të zgjedhur. Allahu i Madhëruar e ngarkoi njeriun me përgjegjësi duke i dhuruar mendjen, me anë të cilës ai mendon dhe pastaj zgjedh të Vërtetën, refuzon të Kotën, bën punë të mira dhe largohet nga punët e këqija dhe kryen detyrimet e tij të përcaktuara nga Allahu i Madhëruar për të. Të gjitha këto njeriu i bën duke qenë i lirë, e jo i detyruar nga dikush. Dhe si rrjedhojë, ai do të jetë i lumtur në Dynja dhe Ahiret.

Mirëpo nëse njeriu vendos të mëkatojë ndaj Zotit, ai ka humbur dhe dështuar, sepse me vetëdije të plotë ai ka zgjedhur që t’i bëjë padrejtësi vetes, shoqërisë dhe të ardhmes së tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne ua ofruam Amanetin qiejve, tokës dhe maleve, e ata nuk e morën përsipër dhe u frikësuan prej tij. Por atë e mori mbi supe njeriu. Vërtet ai i bëri padrejtësi vetes, dhe u tregua i padijshëm.”[4]

Allahu i Madhëruar e ka nderuar dhe e ka bërë njeriun të lumtur duke i dhënë lirinë e veprimit. Liria e veprimit është gjëja më e shtrenjtë që njeriu posedon. Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun duke dashur që kjo krijesë ta adhurojë Atë, t’i përgjigjet thirrjes së Tij me dëshirë, bindje, vetëdije dhe kënaqësi. Ai ia ka skicuar njeriut rrugën e shpëtimit dhe Xhenetit, në mënyrë që të ecë mbi të, Kështu që njeriu në dorë ka fijen e mëndafshit dhe jo zinxhir prej hekuri.

Sa i lumtur është njeriu  kur shijon ëmbëlsinë e mundit dhe sinqeritet të vet, e kështu beson me bindje dhe udhëzohet me dëshirë. Sa i lumtur është ai nxënës, i cili suksesin e arrin me mundin dhe stutimin e vet. Ai del në jetë i pajisur me armën e shkencës së vërtetë. Kështu që ai është i dobishëm për mbarë shoqërinë.

Sakaq, ai njeri të cilin e detyrojnë të veprojë të besojë  apo të bëjë një punë të mirë pa vullnetin e tij të lirë nuk është i lumtur. Ai nxënës që i kalon provimet duke kopjuar nuk është i lumtur. Ai nuk ka për të bërë prokopi në jetë, nuk ka çfarë t’i japë shoqërisë dhe nuk ka për të qenë i lumtur.

A nuk është krijuar njeriu që të jetojë i kënaqur në të dy botët?! Në këtë botë ai konkuron të tjerët për të fituar kënaqësinë e Zotit në Ditën e Llogarisë. Nëse ai fiton gjatë konkurimit të tij në çështjet e besimit dhe punëve të mira, atëherë atë do ta përfshijë falja hyjnore, do të fitojë kënaqësinë e Zotit dhe do të hyjë në Xhenet. Allahu i Madhëruar thotë: “E kush është që shpreson në takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë askënd.”[5]

6 – Porta e udhëzimit është e hapur për çdokënd që dëshiron të udhëzohet. Të Dërguarit e Allahut u kanë treguar njerëzve rrugën e besimit, të Vërtetën dhe punët e mira. Këtë e kanë bërë duke ftuar me urtësi dhe këshillë të mirë pa imponuar kënd. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë.”[6] “Ç’është e vërteta ti i fton ata në rrugë të drejtë.”[7] “E ti pra këshillo, se je vetëm përkujtues. Ti ndaj atyre nuk je mbizotërues.”[8] “E nëse refuzoni, atëherë, duhet ta dini se obligim i të Dërguarit Tonë është vetëm komunikimi.”[9]

Nëse njeriu është i sinqertë dhe është i predispozuar për ta ndjekur të Vërtetën, besimin dhe udhëzimin, Allahu i Madhëruar e udhëzon dhe ia mbush zemrën me besim. Allahu i Madhëruar thotë: “Është e vërtetë se ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë.”[10] Kështu pra, misioni i të Dërguarit është komunikimi, këshillimi dhe orientimi, kurse përsa i përket udhëzimit të njerëzve në rrugë të drejtë ajo është vetëm në dorën e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e udhëzon atë që pendohet.”[11]

Allahu i Madhëruar e ka bërë të lehtë rrugën e udhëzimit për të gjithë njerëzit. Kurse ai që refuzon, zmbrapset nga udhëzimi dhe jepet pas jetës së kësaj bote, ai e bën këtë me dëshirë dhe për këtë duhet të dënohet. Allahu i Madhëruar thotë: “E sa i përket Themudit, Ne atyre ua patëm treguar rrugën e drejtë, po megjithatë ata deshën më shumë verbërinë.”[12] “E kur ata u shmangën nga e Vërteta, Allahu i largoi zemrat e tyre sepse Allahu nuk e vë në rrugë të drejtë popullin e prishur.”[13] Kështu pra,  janë vetë njerëzit ata që me dëshirën dhe këmbënguljen e tyre u shmangën nga e Vërteta,  Allahu i la të lirë në veprimet e tyre, kurse ata me dëshirë, pa imponim zgjodhën rrugën e devijuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është e sqaruar e Vërteta nga e Kota.”[14] E Vërteta është e qartë, e lehtë dhe e dashur në zemrat e njerëzve; ndërsa e Kota është e qartë, e rëndë dhe e urryer në zemrat e tyre, ashtu siç është treguar në ajetet lartpërmendura të sures Huxhurat.

Allahu i Madhëruar e bëri besimin të mundur dhe të zbukuruar në zemrat e njerëzve, ndërsa mosbesimin dhe devijimin e bëri të urryer. E në qoftë se njerëzit i përgjigjen natyrës së tyre të pastër, ata do të jenë ndjekësit e rrugës së drejtë.

Allahu i Madhëruar i ka bërë prindërit përgjegjës ndaj fëmijëve, po ashtu edukimin dhe orientimin e tij në rrugën e drejtë të besimit, të Vërtetës dhe punëve të mira. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”[15]

I Dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s) na e ka bërë të qartë se çdo fëmijë lind me natyrë të pastër dhe se prindërit e tij janë ata të cilët e kthejnë nga e Vërteta e pastër në të Kotën e devijuar, nëse ata janë të tillë, pra ithtarë të së Kotës. Arsyeja e kësaj është se fëmija pason verbërisht prindërit e tij. Mirëpo Allahu i Madhëruar me drejtësinë e Tij  nuk e ngarkon fëmijën me përgjegjësi dhe as nuk kërkon prej tij llogari përderisa ai është ende i mitur. Profeti (a.s) ka thënë: “Është ngritur lapsi nga tre persona: nga fëmija derisa të arrijë pjekurinë, nga i çmenduri derisa të shërohet dhe nga ai që fle derisa të zgjohet.”[16] Arsyeja e ngritjes së lapsit është për shkak se sjelljet e tyre janë të pakontrolluara dhe të pavetëdijshme.

Kur bujku dëshiron të mbjellë, si fillim ai nivelon tokën, shkul barishtet e dëmshme, e lëron atë dhe e bën të përshtatshme për mbjellje. Pastaj ai mund të mbjellë bimë të lejuara e të dobishme. Dhe kjo është ajo që kërkohet prej tij.  Por ai mund të mbjellë edhe bimë të dëmshme e të ndaluara. Allahu i Madhëruar e krijoi shpirtin e njeriut dhe zbukuroi në të dashurinë ndaj besimit dhe udhëzimit. Kurse mosbesimin e bëri të urryer. Allahu i Madhëruar thotë: “Betohem në njeriun, dhe Atë që e krijoi atë. Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij.”[17]

Përgjegjësia e prindit për fëmijën e tij vlen derisa ai të rritet. E kur fëmija arrin moshën e pjekurisë atëherë ai është përgjegjës për veten e tij. Megjithatë orientimi dhe udhërrëfimi nga e Vërteta është detyrë e domosdoshme, ashtu siç është i ndaluar rreptësisht devijimi nga rruga e keqe. Allahu i Madhëruar thotë: “E pas gjithë kësaj, ç’të shtyu ty të përgënjeshtrosh Ditën e Shpërblimit. A nuk është Allahu më i Urti gjykues?!”[18]

Autor: Hisham El Himsi.

Përktheu: Elton Harxhi.

[1] – Sure Fussilet: 46.

[2] – Sure En’am: 149.

[3] – Sure Huxhurat: 7-8.

[4] – Sure Ahzab: 72.

[5] – Sure Kehf: 110.

[6] – Sure Shura: 52.

[7] – Sure Mu’minun: 73.

[8] – Sure Gashije: 21 – 22.

[9] – Sure Maide: 92.

[10] – Sure Kasas: 56.

[11] – Sure Ra’d: 27.

[12] – Sure Fussilet: 17.

[13] – Sure Saff: 5.

[14] – Sure Bekare: 256.

[15] – Sure Tahrim: 6.

[16] – Ahmedi dhe Ebu Daudi.

[17] – Sure Shems: 7 – 8.

[18] – Sure Tin: 7 – 8.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit