Rreth 800 mijë njerëz anembanë botës janë prekur nga kanceri si pasojë e diabetit dhe obezitetit.
Një studim i realizuar nga Kolegji Mbretëror i Londrës (Imperial College London), një nga universitetet më të mirë në Britaninë e Madhe, shpalosi rezultate tronditëse rreth efekteve të diabetit dhe obezitetit mbi kancerin.
Studimi bën të ditur se 782 mijë e 600 persona në mbarë botën janë sëmurë me kancer për shkak të diabetit dhe mbipeshës ekstreme.
Rezultatet janë përftuar nga analizimi i raporteve të pacientëve me kancer nga viti 1980 deri më 2012-n.
Pra, nëse numri i të prekurve nga kanceri për shkak të diabetit dhe obezitetit ka shënuar rritje pas vitit 2012, kjo nuk është pasqyruar në studimin e Kolegjit Mbretëror të Londrës.
Ky studim thekson gjithashtu se pjesa dërrmuese e pacientëve të sëmurë me kancer jeton në vendet e industrializuara. Ata ndiqen respektivisht nga njerëzit me origjinë nga shtetet e Azisë Lindore dhe Juglindore.
Në vitin 1980, numri i pacientëve me diabet në shkallë botërore ishte 180 milionë, ndërsa në 2014-n ishte rritur në 400 milionë. Në të njëjtën periudhë, numri i njerëzve mbipeshë në të gjithë botën kishte arritur në 1,9 miliardë.
Sot, në bazë të informacioneve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i obezëve anembanë botës është rreth 650 milionë.