1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Rrëfimi i vëllait të Zahir Pajazitit, 23 vite pas rënies së heroit: Më tha se do të kthehej në pranverë, e donte futbollin dhe librat

Më të lexuarat

Heroi i Kosovës, Zahir Pajaziti për herë të fundit ishte parë me vëllain e tij, Ejupin, në dhjetor të vitit 1996, një muaj para se të binte dëshmor në Pestovë të Vushtrrisë.

Kur ishte përshëndetur me Zahirin në dhjetor të vitit 1996, Ejupi në një rrëfim për Telegrafin thotë se ishte mërzitur shumë, por me shpresë se do ta shihte në pranverën e vitit 1997.

I pasionuar pas futbollit e me dashuri të madhe për Shqipërinë, Zahiri, sipas vëllait të tij, ishte lexues i literaturës botërore, por nuk kishte lënë pas vetes libra as shkrime, me qëllim që të mos linte gjurmë të cilat do të mund të shfrytëzoheshin nga armiku.

Kompleksi memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan të Podujevës, Foto: Korab Basha

“Zahiri ka qenë i heshtur, por mendimet kur i ka dhanë i ka dhanë të sakta. Tash edhe koha po e vërteton që ashtu ka qenë. Ai ka lexuar shumë literaturë botërore edhe Shqipërinë e ka pas në gjak, nuk ka pas këngëtar, artist, ose futbollistë që nuk e ka njoftë. Jo, nuk ka lanë libra, për fat të keq.  Nuk ka shkru. Nuk ka desht me shkru për shkak që mos me lanë gjurmë te armiku”, rrëfen ai.

Ejup Pajaziti – Vëllai i heroit Zahir Pajaziti gjatë intervistës për Telegrafi.com, Foto: Korab Basha

Zahiri e donte edhe këngën, megjithatë familja nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë duke kënduar.

“Nuk e kam dëgjuar duke kënduar, instrumenteve u ka ra, fyellit më shumë.  Zahiri më shumë e ka dashur futbollin se edhe vet ka luajtur futboll këtu në lagje edhe në fshat, edhe e ka desht Partizanin e Tiranës edhe i ka njoft të gjithë futbollistët”, u shpreh Pajaziti.

Në përfundim të shkollës fillore, ai u pranua në Shkollën Policore në Vushtrri, nga ku u përjashtua në vitin e dytë.

Me tu kthyer në Podujevë, ai përfundoi shkollën e mesme dhe u regjistrua në fakultet, por peng i familjes mbeti fakti që ai nuk pranonte të martohej.

“Ai i bëri do vite pa u martu. Ai thoshte pa u martu Kosova, Zahiri nuk martohet. ‘Kur të martohet Kosova, atëherë edhe unë do të martohem’”, rrëfen vëllai i heroit.

Zahir Pajaziti e kishte filluar aktivitetin e tij ilegal nga viti 1981, gjatë kohës kur ende ishte në shkollën e mesme.

Kompleksi memorial “Zahir Pajaziti”- në Orllan të Podujevës, Foto: Korab Basha

“Atëherë me 1994 e 1995 tha e kemi marrë një emër shumë të madh. Tha: ‘Ishalla e majmë. UÇK, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishalla e çojmë deri në fund’”, tha Pajaziti.

Më 31 janar Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, ku të tre ranë heroikisht në fshatin Pestovë, të Vushtrrisë.

Kompleksi memorial i Heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti është ndërtuar në fshatin e tij të lindjes, në Orllan të Podujevës dhe vizitohet nga mijëra vizitorë gjatë vitit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit