-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rrëfimi ekskluziv i ushtarit të UÇK-së për aksionin e Kumanovës

Më të lexuarat

Ende e ka të freskët plagën nga plumbi që mori më 9 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Po të freskëta i ka edhe kujtimet për atë të shtune ku humbi shokët në përleshjen që zgjati afro 48 orë në këtë vend.
Njëri nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pjesë edhe e strukturave udhëheqëse, që ishte pjesëmarrës në luftimet e Kumanovës rrëfen ekskluzivisht për Gazetën Fjala në detaje se çfarë ndodhi. Ai tregon për organizimin e UÇK-së, shtrirjen e saj, financimin e strukturën komanduese.
Ushtari që dëshiron të mbetet anonim, shpjegon se kush mori para nga Qeveria maqedonase për të përgatitur skenarin e sulmit në Kumanovë. Ai rrëfen për Gazetën Fjala se kush i tradhtoi e si u vranë bashkëluftëtarët e tij.
Gazeta Fjala: Kush jeni ju dhe kënd e përfaqësoni?
Ushtari: Ne jemi Ushtria Çlirimtare Kombëtare, përfaqësojmë popullin, civilët të cilët janë të maltretuar që nga viti 2001 deri në vitin 2015.
Gazeta Fjala: A ekziston UÇK-ja?
Ushtari: Po ekziston.
Gazeta Fjala: Sipas jush ekziston UÇK-ja edhe pse nuk e kemi parë asnjëherë, mirëpo vetëm kemi dëgjuar për të. A ka strukturë organizative?
Ushtari: Ka strukturë organizative, janë të gjitha sektorët e përcaktuar.
Gazeta Fjala: Do të thotë e ka një hierarki?
Ushtari: Të gjitha i ka, deri te gjykata e UÇK-së.
Gazeta Fjala: Prej kur ekziston kjo?
Ushtari: Kjo ekziston, ka ekzistuar, por është riaktivizuar në vitin 2013, ka filluar riorganizimi.
Gazeta Fjala: Pse?
Ushtari: Për arsye që marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar asnjëherë, as 2 përqindëshi i asaj marrëveshje nuk është realizuar, ka qenë gjithmonë një kufomë të cilën është mundu që qeveria ta ngjallë dhe populli ja ka dhënë besimin 2 apo 3 herë që atë kufomë ta ngjallë. Por e panë që ajo kufomë nuk ngjallet dhe e kemi parë të arsyeshme që ne të dalim sërish përpara dhe ti mbrojmë.
Gazeta Fjala: Deri tash nuk kemi parë konkretisht një ushtar të UÇK-së…?
Ushtari: Edhe në vitin 90-ta kur ka dalë, kur ka qenë për herë të parë UÇK-ja, edhe ata nuk kanë dalë. Prandaj edhe këtu duhet, janë hapat të cilat paraqiten.
Gazeta Fjala: Kush janë këta ushtarë, kush është komandanti i tyre?
Ushtari: Janë djem që i ka lind nana shqiptare, që kanë gjak të nënës shqiptare.
Gazeta Fjala: A janë vetëm nga Kosova, Maqedonia…?
Ushtari: Jo, janë nga të gjitha trojet. Sepse ajo tokë nuk është vetëm e atyre që jetojnë në Maqedoni, Iliri. Por janë troje të gjithë shqiptarëve që ne e kemi obligim, qysh kur shqiptarët e Maqedonisë kanë ardhur në vitet 90 deri në 99, kanë ardhur tek ne, ashtu edhe ne e shohim si detyrë si obligim moral, për ti shkuar në ndihmë.
Gazeta Fjala: A paguhen prej dikujt këta ushtar, kush i financon?
Ushtari: Këta paguhen vetëm prej mobilizimi, kurse paga e këto të tjera as nuk fliten, ato janë vetëm gënjeshtra të Ali-ut (Ali Ahmeti), Menduh-it (Menduh Thaçi), Sashos (Sasho Mijallkov – ish shef i shërbimit sekret të Maqedonisë) e të tjerëve.
Gazeta Fjala: Aksioni i fundit është Kumanova, kur Ushtria Çlirimtare Kombëtar ka marrë përsipër aksionin që ka ndodhur atje. Përse është zgjedhur pikërisht Kumanova, përse Lagja e Trimave?
Ushtari: Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk e ka zgjedhur vetëm Kumanovën. UÇK nuk është nisur për në Kumanovë. UÇK është nisur për institucionet. UÇK nuk ka punë me civil, por ka punë me institucione të cilat dita e ditës do të vijnë parasysh dhe do të shihen.
Gazeta Fjala: A mund të na sqarosh më tepër?
Ushtari: Mbesin gjërat ende jo të qarta mirë për arsye tonat.
Gazeta Fjala: … Është folur shumë për sulmin në Kumanovë, thonë se është organizuar prej kosovarëve..?
Ushtari: Kosovarët nuk e kanë organizuar. Aksionin e kanë organizuar vet qytetarët e pa kënaqur të iliridës, jo kosovarët.
Gazeta Fjala: Në qoftë se mundesh të na sqarosh Iliridën. UÇK Iliridën e sheh në të gjitha trojet Shqiptare?
Ushtari: Ilirida është pjesa ku është caktuar, është zaptuar nga Sllavo-Maqedonët.
Gazeta Fjala: Sa ushtarë kanë marrë pjesë në rastin e Kumanovës?
Ushtari: Nuk është një numër ende i përcaktuar dhe i saktë, sepse kemi pasur aty edhe ndërhyrje nga vetë qytetarët që kanë dalë në ndihmë, prandaj nuk mund të jepet një numër shumë të saktë të tyre. Por, aty kosovarët kanë qenë pjesë, shqiptarët e Kosovës sepse këta me këtë term kosovarë dëshirojnë ta ndajnë si popull. Por, shqiptarët nga Kosova kanë qenë së paku diku 5% apo 10%, dhe shteti Maqedoni kur e ka bërë krimin nuk ka shikuar me bo arrestime tek populli maqedon, por është orientuar më shumë tek shqiptarët e Kosovës, për arsye që me e gjuajt një arsye të tyre qysh e kanë traditë me bo një fitore të mundshme ndaj Kosovës gjoja se ju jeni ata. Na nuk jemi ata që kërkojmë luftë por kur imponohet lufta në nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi aty ku na thërrasin vëllezërit tanë.
Gazeta Fjala: Nëse mund të mbesim ende tek kjo pjesa e numrit të ushtarëve që kanë marrë pjesë. Ju thatë se keni një strukturë organizative…?
Ushtari: Shtabet ekzistojnë në secilin qytet ku ka Maqedoni. Në çdo qytet ka shtabe të ndryshme. Janë strukturat dhe janë udhëheqësit pikërisht nga vet shqiptarët e Maqedonisë.
Gazeta Fjala: Do të thotë ditën kur ka ndodhur rasti në Lagjen e Trimave, nuk ka qenë cak Lagja e Trimave?
Ushtari: Jo, cak ka qenë Qeveria maqedone. Nuk ka qenë cak i UÇK. UÇK qysh në vitin 2001 ka tregu që nuk ka punë me civil, por ka punë me shtetin maqedon.
Gazeta Fjala: Por, pse ndodhi pikërisht aty?
Ushtari: Po, pikërisht sepse ka qenë skenar i përgatitur nga qeveria Gruevski.
Gazeta Fjala: A janë dhënë para nga qeveria Gruevski? Flitet për 2 milion euro që janë dhënë. Tash akuzohet UÇK se i ka marrë paratë?
Ushtari: Flitet, edhe do të vazhdojë të flitet. Por ato para ata luftëtarë të cilët ishin aty, drejtpërdrejtë nuk kanë marrë para. Parja e tyre ishte ideali dhe asgjë tjetër. Por këtu personi i cili e ka organizuar ka qenë një strukturë e lidhur ngushtë nga Sasho. Ai ka marrë urdhër nga Gruevski dhe Sasho bashkë me Jankullovën dhe me ministrin e financave që e përgaditën shumën prej 2 milion eurove, siç po flitet, edhe pse ne nuk kemi dëshmi për atë. Dhe këto para janë dërguar tek shqiptari, i cili punon në Shërbimin Sekret Maqedon. Ai shqiptar në thonjëza, ja dërgon shumën vëllaut të vet, shokut të vet, i cili është zbuluar nga ana jonë, mirëpo i cili mbetet ende identitet i mbyllur, dhe kjo shumë me siguri i është dorëzua atij. Dhe këta persona, ky personi i fundit i cili ka pranuar shumën nga ish bashkëpunëtori i Sashos e ka dërguaar…
Gazeta Fjala: Ky personi a është në mesin tuaj, a ka qenë në mesin tuaj?
Ushtari: Jo, ky person nuk ka qenë në luftë. Ky person është zhduk disa orë para se të ndodhë aksioni. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga ky shqiptar, në thonjëza.
Gazeta Fjala: Para se të ndodhë aksioni ka qenë pjesë e UÇK-së, që ju e njihini por nuk doni ta përmendni emrin e tij?
Ushtari: Po, ne e njohim dhe nuk do ta bëjmë publike, për arsyet tona të cilat i kemi urdhër nga Gjykata jonë, që ato do të mbesin edhe për disa kohë informata vetëm për ne. Në ndërkohë do të dalim të gjithë me emra dhe me mbiemra dhe të japin përgjegjësi para popullit, Gjykatës, të cilën e ka UÇK-ja, sepse ai që e tradhton UÇK-në, ai qysh kur ka hy e ka ditë që tradhtia nuk duhet të ekzistojë dhe dezertorët e tillë duhet ta paguajnë.
Gazeta Fjala: Ju e përmendët që pak kohë para se të ndodhë sulmi ai është larguar nga aty, a mund të na përshkruani më detajisht se si ndodhi kjo tradhtia?
Ushtari: Personi i cili ka organizuar dhe i cili ka marrë përsipër organizimin vjen pikërisht nga Maqedonia. Dhe ai person ka qenë i lidhur me disa prej shqiptarëve, të cilët e kanë idealin mbi të gjitha dhe i ka ngreh me atë që Maqedonia është në krizë. Atje do të ketë luftë dhe do të ketë problem edhe populli civil. Dhe përveçse e kanë organizuar dhe i kanë ngrehë personat e afërt afer vetes, aty ka ardhur edhe ka mbledhë edhe shokët e ish 2001-tës, luftës çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB-së e të gjitha strukturave vetëm e vetëm ta bëjë një numër. Por, këta të cilët luftuan heroikisht afër 40 orë, këta kishin vetëm një qëllim, mbrojtjen e qytetarit pa marrë parasysh a është shqiptar apo maqedon, ata e kishin mbrojtjen e popullatës civile. UÇK çdoherë ka tregu me kënd ka punë.
Gazeta Fjala: A e keni parë krejt këtë skenar ju, a keni qenë pjesë e aksionit të Kumanovës. A keni qenë brenda në Lagjen e Trimave?
Ushtari: Po, aty kemi qenë së bashku. Kemi luftuar dhe ju kemi treguar të gjithëve që ata luftëtarë të 2001 janë tripërtri, jo ripëtri por tri herë më shumë janë forcuar. Saqë po të ishte skenar i joni i përgaditur me kohë, aty me siguri do të dilëshinë prej anës maqedone mbi 200 të vrarë e mbi 500 të plagosur. Por ka qenë një skenar, një kurth, një tradhti ndaj neve dhe erdhëm aty ku jemi edhe sot. Që shumë prej nesh shokët i kemi humbur, ndër ta edhe na janë burgosur.
Por, me kaq nuk është mbyll, gjithçka aty ka qenë fillimi. Me datën 9 është varros marrëveshja e Ohrit, ajo marrëveshje e cila ishte për 14 vite vetëm një kufomë e pavarrosur, ajo kufomë shtegtarët e lirisë ja kanë dhënë ceremoninë, ajo më nuk ekziston. Politikë më me shtetin maqedon nuk ka.
Gazeta Fjala: Sado që duket që është krijuar një paqe në mes shqiptarëve të Maqedonisë dhe vet maqedonëve që i kemi parë në protestën e fundit..?
Ushtari: Jo, ata nuk janë shqiptarë të cilët… sepse ata të cilët kanë dalë aty, ata kanë marrë nga 1000 euro, 2000 euro, 5000 euro. Ne mund të flasim si ushtarë pikërisht për ata të cilët po flasin për ne. Ata janë mashtruar nga iluzioni i euforisë, por ndërkohë ata do të jenë me ne, sepse Zevezi (Zaevi) mbetet Zavez. Zavezi (Zaevi) është i Sopotit, është i të njëjtit rast dhe të gjithë e njohim se kush është ai, dhe kush është Gruevski. Të dytë janë një trup i përbashkët, ashtu siç është një trup i përbashkët Alia dhe Thaçi. Njëjtë është.
Gazeta Fjala: Pse u dorëzuan ushtarët e UÇK-së?
Ushtari: Janë dorëzuar në momentin kur e kanë kuptuar se janë të tradhtuar. Dhe njëri ndër ata më të vjetrit që ishte Sokoli, ka vendos që mos të humb jetëra në një tradhti. Në tradhti është turp të humbet një luftëtarë. Nuk është turp me humb në betejë përballë me armikun, është turp të humbësh i tradhtuar nga ana e brendshme. Prandaj edhe Sokoli ka luajtur një veprim të heroit, i cili do të mbetet gjithmonë në histori.
Gazeta Fjala: Atë ditë në Kumanovë kanë humbur jetët edhe bashkëluftëtarët e juaj. Kush janë ata, sepse ende nuk kemi të dhëna të sakta prej asnjërës palë?
Ushtari: Ende nuk mund të flasim konkretisht sepse shumë prej tyre të dorëzuar janë vrarë, janë pushkatuar pasi janë dorëzuar. Prandaj nuk duhet të ngutemi dhe nuk duhet të ngutemi që ti shqetësomë familjet e tyre, të presim deri në momentin të cilën ata do ti kanë certifikatat e tyre të vdekjes dhe atëherë mund të kemi një numër të saktë. Por njëherë mund të themi që në mesin e tyre ka civil shqiptarë të vrarë. Nuk dua ta humbasë këtë sepse kjo është një realitet i hidhur, ka edhe të plagosur, të vrarë, të torturuar e të gjitha më të këqijat që kanë mundur ti ndodhin.
Gazeta Fjala: Është folur shumë se krejt ky skenar është përgatit nga qeveria Maqedonase, madje ka ardhur në atë pikë që është dyshuar edhe për kufomat që janë gjetur në vendin e sulmit ku ka ndodhur në Kumanovë. Është thënë që ata janë trupat e emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët janë shkelë nga një tren në një aksident të mëhershëm në Maqedoni. Sa ka të vërtetë këtu?
Ushtari: Jo. Gjithçka që është aty, ata të cilët kanë rënë heroikisht dhe të cilët janë bërë kurban të tradhtisë së radhës, sepse i njëjti person i cili e ka bërë këtë tradhti është i njëjti person i Gërdecit i Sopotit, Kondovës, Harun Aliut, Komandant Kushtrimit, i Monstrës, po i njëjti është edhe i Kumanovës.
Gazeta Fjala: A dyshoni se ka trupa të emigrantëve?
Ushtari: Jo, nuk ka. E sqarova që nuk ka trupa të emigrantëve. Ka vetëm ushtarë dhe civil. Ushtarët kanë humbur jetën pasi janë dorëzuar, jo duke luftuar. Por pasi janë dorëzuar ata janë pushkatuar.
Gazeta Fjala: Ju, jeni të sigurt që …
Ushtari: Po, të gjithë janë vrarë të dorëzuar.
Gazeta Fjala: Nuk na treguat në fillim me sa ushtarë keni qenë?
Ushtari: Nuk mundemi të caktojmë numër të saktë sepse aty kanë pasur edhe njerëz, vëllezër tanë të Kumanovës të cilët janë bashkëngjit. Ata të cilët kemi qenë ne nuk mundemi me dhënë një numër të përafërt sepse është turp të ju humbim edhe mundin e tyre. Prandaj aty kanë luftuar djem të cilët ishin tamam të nënave shqiptare.
Gazeta Fjala: Ju keni arritur të depërtoni, të tërhiqeni. Më intereson a ka dal edhe dikush tjetër prej bashkëluftëtarëve tuaj? Sa persona? Prej çfarë kohe deri në çfarë kohe keni qenë ju aty?
Ushtari: Me një numër bajagi të madh jemi tërheq edhe për atë punë të thash që vetëm tek ne kanë qenë mbi 18 persona qytetarë të cilët kanë kapur pushkën dhe na ka ndalur në ndihmë.
Gazeta Fjala: Nuk keni qenë të gjithë bashkë?
Ushtari: Jo nuk kemi qenë të gjithë bashkë. Aty na janë ofruar edhe vetë qytetarët të cilët e kanë kapur pushkën. Sepse ne kur kemi shkuar, kemi shkuar për ndihmë sepse i kemi pasur nga dy pushkë, në mënyrë që ti furnizojmë edhe të tjerët. Prandaj aty është një numër për të cilin nuk mund të flasim saktësisht. Por, vetëm tek grupi jonë kanë qenë mbi 38.
Gazeta Fjala: Kur thuhet tek grupi juaj, ti ke qenë me 37 ushtarë tjerë. Ku kanë qenë të tjerët: Sokoli, Begu, Mirsadi, ku kanë qenë këta?
Ushtari: Secili ka qenë në pikat e tyre. Begu me Mirsadin kanë pasur pikën e tyre. Sokoli e ka pas pikën e tij. Këto s’kanë qenë pika, por janë zanë tradhtisht dhe ata janë pozicionu në ato vende ku kanë qenë. Malisheva ka qenë në pikën e tyre edhe grupi jonë po ashtu në pikën tonë përballë tyre. Prandaj, është bë një depërtim të cilën duhet të mbetet sekret, sepse në momentet në të cilën tregohen sekretet tona atëherë ne si ushtri dështojmë.
Gazeta Fjala: A mund ta dimë sa ushtarë keni arritur të tërhiqeni?
Ushtari: Kemi arritur të tërhiqemi 19. Sepse 18 prej tyre kanë qenë vet qytetarë të Maqedonisë.
Gazeta Fjala: Çka tash, e thatë më herët që nuk ka përfunduar gjithçka?
Ushtari: Lufta nuk ka përfunduar. Edhe në dëshiromë që të përfundojë lufta, por me imponimet e tyre nuk duam ta përfundojmë deri në realizimin tonë që jemi nisur, për të cilën e kemi marrur atë rrugëtim që shqiptarët ta kenë shtetin e tyre edhe në Maqedoni. Ose shqiptarët e Maqedonisë ti bashkohen edhe shtetit shqiptar. Ka qenë shumë më e mirë edhe e udhës ti bashkohet shtetit të Kosovës, mirëpo shteti i Kosovës ende nuk i ka plotësu kushtet dhe prandaj shteti i Shqipërisë i plotëson kushtet që ti bashkohet. Por në qoftë se edhe shteti Shqiptar i Edi Ramës në krye me të nuk e pranon as sikur atëherë që nuk e pranoj edhe Kosovën, që e dijmë të gjithë, atëherë duhet ta shpallim republikë të Iliridës, që të jetë edhe një shtet tjetër i ri i Shqiptarëve, e emrin Ilirida.
Gazeta Fjala: A mund ta dijmë sa ushtarë i ka UÇK-ja?
Ushtari: Për momentin kemi mbi 2500 ushtarë vetëm në Iliridë, në trojet shqiptare të Maqedonisë.
Gazeta Fjala: UÇK shtrihet edhe në pjesët tjera, jo vetëm në Maqedoni?
Ushtari: Për momentin jemi të shtrirë vetëm në Maqedoni. Ndërkohë do të shtrihemi edhe pozicionohemi edhe më tutje, mirëpo qëllimi kryesor dhe fillimi ka qenë në Maqedoni, pastaj vazhdojmë edhe me Malsinë ku kemi edhe atje shumë të pakënaqur të cilët thuajse e humbën edhe të gjithë ata shqiptarë i kemi atje, thuajse janë të harruar. Ashtu siç u harruan edhe të gjithë edhe të Çamërisë edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe për ata duhet të vazhdojmë, kaq.
Gazeta Fjala: A qëndron prapa UÇK-së, ish struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , që është fol shpesh për politikanët siç është Ramush Haradinaj, përfaqësues të PDK-së apo të Maqedonisë, Ali Ahmeti apo dikush tjetër. A ka prapa UÇK-së politikan të Kosovës që e financojnë ose e ndihmojnë?
Ushtari: Jo, nuk ka. Tri luftat e fundit shqiptare janë qe 15 vite, këtë e di edhe një fëmijë sapo i lindur mund të përgjigjet. Kur ata janë njerëz tanë, njerëz Shqiptarë të cilët kanë luftuar në luftën e Kosovës, dhe kanë bërë fotografi me bashkëluftëtarët e tyre që në mesin e tyre kanë qenë bashkëluftëtarë edhe Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi, Azem Syla e të gjithë këta. Në mesin e tyre kanë qenë bashkluftëtarë edhe në Preshevë, kur disa prej tyre janë sot edhe politikanë, por aty kanë bërë edhe foto, ato foto janë kanë foto të bashkluftëtarëve e nuk kanë qenë foto politike, në mesin e tyre i ki edhe në Maqedoni kur ato foto janë të bashkluftëtarit e nuk janë foto të politikanit. Prandaj, të gjithë këta politikaj janë të ardhur nga UÇK dhe nuk duhet të dyshojmë në këto paragjykimet e kota mund të them.
Gazeta Fjala: Në rastin e Maqedonisë Ali Ahmeti doli se është njëfar forme kundërshtar i juaj, ose bashkorganizator i skenarit siç e thatë edhe më herët. A ndiheni të tradhtuar që këta bashkëluftëtarë me një moment i janë shkëputur një ideali dhe nuk e vazhdojnë rrugën…?
Ushtari: Po e mbyllim me dy fjalë këtë pyetje. Ne kemi qenë të tradhtuar qysh në vitin 2001 kur është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, pikë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit