2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

ROLI I FESË NË NGRITJEN E NDËRGJEGJES PUBLIKE PËR RUAJTJEN E AMBIENTIT

Më të lexuarat

Dr. Sedat ISLAMI

 

Degradimi i ambientit është një nga temat më të diskutuara viteve të fundit. Për shkak të rreziqeve që mund të sjellë për njerëzimin, degradimi i ambientit është shndërruar në një debat ku pjesëmarrës është e tërë shoqëria. Ndoshta edhe për shkak të rrezikut që ndiejmë të gjithë. Ky është edhe motivi i këtij punimi[1]. Ajo që përbën dallim në këtë punim është qasja. Ndryshe nga diskutime tjera, feja fokusohet fillimisht në ndërgjegjësim, në mënyrë që duke rritur nivelin e përgjegjësisë, të shmang maksimalisht veprimet e gabuara. Punimi trajton çështjen e ambientit dhe përgjegjësinë tonë karshi tij dhe këtë nga tre aspekte të ndryshme: fillon me konceptin e përgjithshëm fetar për ambientin, vazhdon me përgjegjësinë e individit karshi ambientit dhe mënyrën e edukimit për ruajtjen e ambientit, dhe përfundon me disa rregulla dhe udhëzime për mënyrën e duhur të bashkëveprimit tonë me ambientin. Të gjeturat e punimit konfirmojnë rëndësinë e qasjes fetare në evitimin e dukurive negative, në përgjithësi, dhe kësaj të keqpërdorimit dhe degradimit të ambientit, në veçanti.

Fjalët kyçe: ambienti, ndryshimi klimatik, feja islame, ndërgjegjësimi, përgjegjësia

HYRJE

Zhvillimi industrial dhe teknologjik në tre shekujt e fundit ka çuar në ndryshime të mëdha, të cilat paralel me ngritjen e standardit të jetesës kanë shkaktuar edhe një sërë sfidash, ndër të cilat edhe ruajtja e ambientit. Shfrytëzimi irracional i ambientit ka rezultuar me pasoja të shumta dhe të mëdha, të cilat krejt këtë zhvillim e kanë kthyer në një kërcënues të frikshëm të jetës njerëzore. Ndryshimi klimatik ka shkaktuar pasoja të mëdha, të cilat përveç dëmeve materiale numerikisht të pallogaritura, kanë marrë edhe shumë jetë njerëzish. E keqja është se, përderisa vazhdohet me këtë avaz të trajtimit të ambientit, pasojat në të ardhmen pritet të jenë edhe më të mëdha. Në vitin 2100 ngritja e temperaturave pritet të rritet edhe për 4.8 gradë celsius, e bashkë me to edhe fatkeqësitë natyrore. Kjo ka bërë që shkencëtarë të shumtë nga e mbarë bota të merren seriozisht me temën e ambientit. Që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, janë mbajtur vazhdimisht takime e konferenca në të cilat është punuar për mënyra dhe metodat se si mund të evitohen këto pasoja. Në Francë, në vitin 2007, është mbajtur një takim i madh, në të cilin kanë marrë pjesë 500 shkencëtarë, të cilët, në përfundim, kanë dalë me tre të gjetura kryesore, ndër të cilat edhe ajo se fajtor kryesor i tërë kësaj që ka ndodhur dhe po ndodhë është njeriu.

Së këndejmi ky punim në fokus ka njeriun dhe ndërgjegjësimin e tij karshi ambientit. Më saktë, ky punim, nga prizmi fetar islam, mëton që të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes qytetare për ambientin duke u fokusuar në çështjen në vijim:

1)      Çfarë na mëson Islami për ambientin?

2)      Sa ndihmon feja në edukimin e njerëzve që ta ndiejnë përgjegjësinë e tyre karshi ruajtjes së ambientit?

3)      Sa kontribuon feja në bashkëpunime të ndërsjella për ta ruajtur ambientin?

Rëndësia e këtij punimi duhet të shihet nga rëndësia që feja dhe mësimet e saj paraqesin për njerëzit. Ai nuk është thjesht një fjalë e thënë ose e shkruar më shumë por një mënyrë e rëndësishme edukimi karshi botës që na rrethon. Punimi ndahet në tre pjesë kryesore: në pjesën e parë diskutohet qëndrimi i fesë karshi ambientit, në pjesën e dytë diskutohet ndërlidhja e veprimtarisë së njeriut me ndryshimet në natyrë, ndërsa në pjesën e tretë ofrohen udhëzime për angazhimin e përbashkët për ambientin.

  1. ÇFARË NËNKUPTON AMBIENTI PËR NJË BESIMTAR?

Për besimtarin mysliman, ambienti ka një rëndësi të veçantë. Ai lidhet me besimin por edhe me kulturën e tij.

1.1. Ndërlidhja e përkujdes së ambientit me besimin

Sa i përket besimit, ambienti, respektivisht përkujdesja për të, është degë e trungut të besimit. Pejgamberi Muhammed a.s. në kudër të degëve të besimit, klasifikoi edhe ruajtjen e ambientit. Sikur kjo të mos kishte rëndësi të veçantë, sigurisht se nuk do ta nënvizonte në kuadër të gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetë e ca degëve të tij.

»الْإِيمَانُ بِضْعٌ وَسَبْعُونَ – أَوْ بِضْعٌ وَسِتُّونَ – شُعْبَةً، فَأَفْضَلُهَا قَوْلُ لَا إِلَهَ إِلَّا اللهُ، وَأَدْنَاهَا إِمَاطَةُ الْأَذَى عَنِ الطَّرِيقِ، وَالْحَيَاءُ شُعْبَةٌ مِنَ الْإِيمَانِ«

Imani (besimi) përbëhet nga shtatëdhjetë e ca apo gjashtëdhjetë e ca degë, prej të cilave më me vlerë është dëshmia ‘la ilahe il-la Allah’ ndërsa më e ulëta është largimi i pengesës nga rruga. Edhe turpi është degë e besimit. [2]

Përshkrimi i ‘largimit të pengesës nga rruga’ si dega më e ultë nuk nënkupton në asnjë rrethanë nënvlerësim të përkujdesjes për ambientin, përkundrazi. Vet fakti se është klasifikuar në mesin e degëve të besimit, pa të cilën besimi nuk është i kompletuar, flet për këtë rëndësi. Nga këtu përshkrimi si e ultë mund të jetë bërë:

–          në kuptimin figurativ për të krahasuar atë me degët e mëdha[3], që janë shtylla të besimit pa të cilat nuk fiton përkatësinë fetare. edhe ashtu, si vepër, bëhet fjalë për diçka të thjeshtë, pra për largimin e ndonjë guri apo druri të vogël që pengon lëvizjen dhe qarkullimin normal,

–          nga aspekti figurativ (e larta, e ulëta) siç qëndron në disa versione tjera të hadithit[4].

Ndryshe, nëse kihen parasysh koncepti i përgjithshëm për ambientin, detaje nga i cili do të shpalosim këtu, dhe rëndësia e largimit të pengesave nga rruga si një vepër që ka vlerën e lëmoshës sepse është vepër prej të cilës përfiton vet individi dhe të tjerët, atëherë përkujdesja për ambientin, siç shprehet edhe Ibn Al’lani, del si një ndër degët më me vlerë të besimit[5].

Ambienti, në kuptim të krijimtarisë së Zotit, na e përkujton madhështinë e kësaj krijimtarie dhe fuqinë e madhe të Zotit. Në Kur’an, në disa kaptina, ambienti është trajtuar si pasqyrë ku reflekton kjo madhështi dhe fuqi e madhe e Zotit.

﴿وَمِنْ آيَاتِهِ أَنَّكَ تَرَى الْأَرْضَ خَاشِعَةً فَإِذَا أَنزَلْنَا عَلَيْهَا الْمَاءَ اهْتَزَّتْ وَرَبَتْ ۚ إِنَّ الَّذِي أَحْيَاهَا لَمُحْيِي الْمَوْتَىٰ ۚ إِنَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë.” [Fussilet: 39]

Vehbe Zuhajli duke komentuar këtë ajet kur’anor shpjegon se si në të është marrë shembull gjelbërimi i tokës nga shiu pas tharjes së saj me ringjalljen e njerëzve pas vdekjes. Pra, bëhet fjalë për dëshmi të fuqisë së Zotit[6].

﴿اللَّـهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ وَأَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقًا لَّكُمْ ۖ وَسَخَّرَ لَكُمُ الْفُلْكَ لِتَجْرِيَ فِي الْبَحْرِ بِأَمْرِهِ ۖ وَسَخَّرَ لَكُمُ الْأَنْهَارَ

Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj.” [Ibrahim: 32]

Ky ajet dhe dy ajetet vijuese (ajetet në kaptinën Ibrahim) numërojnë plot dhjetë mirësi të Zotit ndaj njeriut: (1) krijimin e qiejve; (2) krijimin e tokës për vendbanim; (3) zbritjen e shiut; (4) shërbimin me anijet që lundrojnë për të kaluar nga vendi në vend dhe për të shkëmbyer mallra; (5) shërbimin me lumenjtë, ujërat dhe peshqit e tyre; (6-7) përfitimin nga dielli dhe hëna; (8-9) përfitimin nga dita dhe nata, dhe (10) dhënien e çdo gjëje që na nevojitet[7]. Pra shihet se si Zoti elemente që përbëjnë ambientin dhe kanë lidhje me të janë klasifikuar si mirësi të Tij ndaj nesh.

﴿أَلَمْ تَرَ أَنَّ اللَّـهَ أَنزَلَ مِنَ السَّمَاءِ مَاءً فَأَخْرَجْنَا بِهِ ثَمَرَاتٍ مُّخْتَلِفًا أَلْوَانُهَا ۚ وَمِنَ الْجِبَالِ جُدَدٌ بِيضٌ وَحُمْرٌ مُّخْتَلِفٌ أَلْوَانُهَا وَغَرَابِيبُ سُودٌ

Vallë, a nuk e sheh ti se si Allahu e lëshon ujin prej qiellit dhe nëpërmjet tij krijon fruta llojesh e ngjyrash të ndryshme?! Nëpër male gjenden shtigje të bardha dhe të kuqe, ngjyrash të ndryshme dhe krejtësisht të zeza.” [Fatir: 27]

Në këtë ajet, Allahu na tërheq vëmendjen rreth mundësisë së Tij për të krijuar gjëra të ndryshme prej një lënde, ujit (shiut) të lëshuar nga qielli. Kështu prej tij mbijnë pemët që na japin fruta të ndryshëm në shije, formë e ngjyrë. Po kështu ka krijuar edhe kodra me ngjyra të ndryshme[8].

Se ambienti vlerësohet shumë në Islam mësojmë edhe nga fakti se Zoti e sjell shembull krahasues për gjënë më të bukur, besimin. Në kaptinën Ibrahim, ajetet 24-25, Zoti e sjell pemën e mirë në shembull e besimit të vërtetë, besimit produktiv, besimit që kërkohet prej nesh:

﴿أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّـهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ ﴿٢٤﴾ تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا ۗ وَيَضْرِبُ اللَّـهُ الْأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ

Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? 25. Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.

Përshkrimi i pemës së sjellë për krahasim si ‘pemë e mirë’ të jep përshtypjen –thotë Sha’ravi- se bëhet fjalë për çdo gjë që i pushon shqisat, pra për pamje të bukur, aromë të këndshme dhe shije të shijshme. Pastaj përshkrimi tjetër si pemë që ka rrënjët thellë në tokë dhe shtatin lart në qiell tregon për tiparet e besimtarit të dashur dhe respektues për fenë e vet. Pastaj dhënie fruta çdoherë tregon për rolin pozitiv të besimtarit çdoherë. Që një pemë të jetë e këtillë, ka nevojë që elementet me të cilat ushqehet të jenë të pastra: ujin dhe ajrin…[9]

Nga ky shpjegim i Sha’ravit ne nxjerrim një mësim shtesë që ka të bëjë edhe me ruajtjen e ambientit. Krahasimi i besimit të fortë me këtë pemë të fortë, e cila për të qenë e tillë ka nevojë që uji dhe ajri, si dy elementet bazë të ushqimit të saj, na ofron me pak fjalë platformën e ruajtjes së ambientit dhe kultivimit të shëndoshë të tij.

E duke qenë se besimi i shëndoshë ka për shpërblim Xhennetin, atëherë përshkrimi i Xhennetit është bërë nga perspektiva e ambientit të bukur: lumenjve, pemëve, etj.

﴿مَّثَلُ الْجَنَّةِ الَّتِي وُعِدَ الْمُتَّقُونَ ۖ فِيهَا أَنْهَارٌ مِّن مَّاءٍ غَيْرِ آسِنٍ وَأَنْهَارٌ مِّن لَّبَنٍ لَّمْ يَتَغَيَّرْ طَعْمُهُ وَأَنْهَارٌ مِّنْ خَمْرٍ لَّذَّةٍ لِّلشَّارِبِينَ وَأَنْهَارٌ مِّنْ عَسَلٍ مُّصَفًّى ۖ وَلَهُمْ فِيهَا مِن كُلِّ الثَّمَرَاتِ وَمَغْفِرَةٌ مِّن رَّبِّهِمْ ۖ 

Ja përshkrimi i Xhenetit, që u premtohet të përkushtuarve (ndaj Allahut): një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre…” [Muhammed: 15[10]]

Pejgamberi a.s. ka thënë:

»إِنَّ فِي الْجَنَّةِ لَشَجَرَةً يَسِيرُ الرَّاكِبُ فِي ظلها مائة سنة لايقطعها«

Në Xhennet ka një pemë hijen e të cilës kalorësi nuk mund ta përshkojë as për njëqind vite.[11]

Se sa është i rëndësishëm ky përshkrim fetar i Xhennetit dhe si reflekton në praktikën e besimtarëve do të shohim në pjesën vijuese.

1.2. Ndërlidhja e përkujdesjes së ambientit me kulturën dhe kodet

Ruajtja dhe përkujdesja për ambientin janë pjesë e besimit dhe kulturës së besimtarit. Nëse marrim parasysh rëndësinë që ka ambienti nga aspekti i besimit, atëherë lehtë mund të marrim me mend përkushtimin e besimtarëve për të. Pejgamberi a.s. insistonte që përkujdesja për ambientin të shndërrohej në kulturë. Sa për ta ilustruar do të fokusohem në disa thënie të Pejgamberit a.s. që ambientin duan të na e shndërrojnë në pjesë të kulturës me të cilën dallohemi:

1)      Ishte vet ai që shprehte hapur dashurinë për ambientin. Për kodrën e famshme të Uhudit thoshte: “Uhudi është kodër që na do dhe e duam! [12]”  Pra, ishte një lidhje emocionale me ambientin, e cila sigurisht se ka rëndësinë e vet pasi që është pikënisje për ruajtjen dhe zhvillimin e tij.

2)      Porosia për rregullimin e ambientit shtëpiak, respektivisht oborrit. Në hadith qëndron: “…pastroni oborret dhe dalloni nga hebrenjtë…[13]” Ndërlidhja e këtij veprimi me traditën e hebrenjve, të cilët –siç lexohet në tekst- nuk janë kujdesur për oborret e tyre ka efekt kulturor, pra që të dallojmë në kuptim pozitiv, duke e shndërruar përkujdesjen për shtëpinë dhe oborrin si diçka me të cilën identifikohemi.

Kjo porosi siç duket më së miri është jetësuar në periudhën e sundimit islam në Spanjë. Ishin të rralla shtëpitë që nuk ishin të rregulluara dhe të pakta ato që nuk kishin parqe. E ajo që vlen të përmendet këtu është se frymëzimi për këto parqe ishte përshkrimi kur’anor dhe pejgamberik bërë kopshteve (të qytetërimeve të hershme dhe të Xhennetit)[14].

3)      Porosia profetike për të shmangur ambientin nga dëmtimi gjatë luftërave. Ka urdhëruar që luftërat të zhvillohen jashtë qyteteve, të mos eskalojnë në djegie të shtëpive, të mbjellave, pemëve. Pra, është shndërruar jo vetëm në besim e kulturë por edhe kod shtetëror. Se sa i rëndësishëm është ky kod mund të mësojmë sot kur luftërat janë të nënvizuara ndër shkaqet m kryesore të shkatërrimit të ambientit.

  1. ROLI I FESË NË EDUKIMIN E BESIMTARIT KARSHI AMBIENTIT

2.1. Ndërlidhja e veprimeve të njeriut me natyrën

Njeriu, si halife[15] në tokë, është përgjegjës për mënyrën se si zhvillohet jeta dhe veprimtaria njerëzore në të. Nëse çdo gjë shkon sipas udhëzimeve hyjnore, njerëzit do të kenë jetë të begattë, ndryshe, do të sprovohen me fatkeqësi për të cilat fajin duhet ta kërkojnë vetëm tek vetja e tyre. Kjo për faktin se Zoti tokën e ka krijuar në gjendje të mirë dhe dobiprurëse për ne andaj edhe ka urdhëruar që të mos prishet ky rend.

﴿وَلَا تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ بَعْدَ إِصْلَاحِهَا﴾

Mos bëni çrregullime në tokë pas rregullimit të saj…” [A’rafë: 56]

Nga këtu, çfarëdo fatkeqësie që ndodhë dhe çfarëdo ndryshimi që shohim (gjithnjë për të keq), fajin e ka njeriu. Më qartë, në Kur’an dhe Sunnet gjejmë se veprat e njeriut kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fenomenet natyrore. Ja disa prej këtyre teksteve:

﴿وَلَوْ أَنَّ أَهْلَ الْقُرَىٰ آمَنُوا وَاتَّقَوْا لَفَتَحْنَا عَلَيْهِم بَرَكَاتٍ مِّنَ السَّمَاءِ وَالْأَرْضِ وَلَـٰكِن كَذَّبُوا فَأَخَذْنَاهُم بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ

Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” [A’rafë: 96]

Siç shpjegojnë dijetarët, bekimet nga qielli nënkuptojnë shiun ndërsa bekimet nga toka mbirjen e tokës (pemëve, perimeve, të lashtave), andaj, nëse njerëzit besojnë, Zoti ua dërgon këto të mira, e nëse mohojnë, Zoti i dënon duke e ndalur shiun dhe duke bërë që toka të thahet e të mos mbijë[16].

﴿ظَهَرَ الْفَسَادُ فِي الْبَرِّ وَالْبَحْرِ بِمَا كَسَبَتْ أَيْدِي النَّاسِ لِيُذِيقَهُم بَعْضَ الَّذِي عَمِلُوا لَعَلَّهُمْ يَرْجِعُونَ

Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” [Rrum: 41]

Komentuesi i njohur i Kur’anit, Ibn Kethiri, pasi që përmend disa mendime rreth interpretimit të “fesadit” (shkatërrimit), citon Ebu el-Alijen të ketë thënë: “Kush e kundërshton Allahun në tokë, ai veç ka bërë shkatërrime në të, sepse përmirësimi i tokës dhe qiellit është i kushtëzuar me bindjen ndaj Zotit. [17]” Edhe Jusuf Kardavi përmend disa prej mendimeve të dijetarëve përkitazi me interpretimin e fesadit duke shpjeguar se ai nuk ka të bëjë me prishje të vlerave por me shkatërrime konkrete, pra me pasoja të cilat shfaqen si rezultat i prishjes morale dhe shpirtërore[18].

Abdudaim Kehili, duke folur shkatërrimin e ambientit[19], këtë ajet e sheh jo vetëm si shpjegues të kësaj teorie por edhe si alternativë për zgjidhjen e problemit. Më qartë, ai në këtë ajet sheh pasojën, shkaku, dhe reflektimin:

–          “Shkatërrimi në tokë dhe në det…” = pasoja

–          “…si pasojë e punëve të këqija të njerëzve…” = veprat e njeriut,

–          “…kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” = reflektimi.

Pra, pse ndodhin këto gjëra, shkak jemi ne njerëzit që vazhdojmë përkundër alarmimit nga ana e shkencëtarëve e gjeologëve ta shkatërrojmë ambientin.

Pejgamberi Muhammed a.s. ka thënë:

…»وَلَمْ يَنْقُصُوا الْمِكْيَالَ وَالْمِيزَانَ، إِلَّا أُخِذُوا بِالسِّنِينَ، وَشِدَّةِ الْمَئُونَةِ، وَجَوْرِ السُّلْطَانِ عَلَيْهِمْ، وَلَمْ يَمْنَعُوا زَكَاةَ أَمْوَالِهِمْ، إِلَّا مُنِعُوا الْقَطْرَ مِنَ السَّمَاءِ، وَلَوْلَا الْبَهَائِمُ لَمْ يُمْطَرُوا«…

“…nuk ndodhë të mashtrojnë në matje me litër e kandar e të mos sprovohen me thatësi, varfëri dhe padrejtësi të pushtetarit. Po kështu nuk ndodhë të refuzojnë dhënien e zekatit e të mos iu ndalet shiu, i cili, po të mos ishin kafshët (e pafajshme), nuk do t’iu binte (mbase kurrë)….[20]

Pra, mashtrimi në peshore është shkak për thatësi, varfëri dhe tirani të pushtetarëve, sikur që mosdhënia e zekatit është shkak për ndaljen e shiut.

Së këndejmi, veprat e njeriut kanë ndikim të drejtpërdrejtë në fenomenet natyrore, andaj atij i kërkohet që të reflektojë duke braktisur mëkatet dhe duke iu kthyer udhëzimeve të Zotit.

2.2. Nxitja për ruajtjen e ambientit

Edukimi nëpërmjet nxitjes dhe motivimit për të mirat dhe qortimit e ndëshkimit për të këqijat është formë dhe mënyrë edukimi e aprovuar fetarisht. Edhe në rastin e ambientit, gjejmë tekste të cilat në terma superior trajtojnë shpërblimin dhe ndëshkimin për përkujdesjen gjegjësisht shpërdorimin e ambientit.  Dr. Kardavi, bazuar në këto tekste, thotë se në Islam nuk bëhet fjalë thjesht për ruajtjen (ar. himaje) të ambientit, por për përkujdesje dhe mirëmbajtje (ar. riaje) sepse e para nënkupton thjesht ruajtjen nga elementet e këqija ndërsa e dyta nënkupton përveç kësaj edhe angazhimin për zhvillimin dhe kultivimin e ambientit[21]. Tekstet në vazhdim na bindin shumë për këtë mendim të dr. Kardavit.

1)      «Një njeri hyri në Xhennet për shkak të një pengese që e pa në rrugë, të cilën e mori dhe e largoi. [22]»

Një vepër e thjesht dhe e lehtë për ta bërë por e cila ka shpërblim Xhennetin. Natyrisht, janë pasojat e saj, gjegjësisht efekti dobiprurës i saj, i cili mundëson qarkullin të lehtë të njerëzve dhe kafshëve, andaj edhe ka këtë shpërblim të madh.

2)      «Kush e ngjallë një tokë, ajo i përket atij.[23]»

Në këtë hadith, besimtari nxitet që të mos i shndërrojë tokat pjellore në djerrina prej të cilave askush nuk përfiton. Nëse ai e gjen një tokë të tillë dhe e punon, atëherë ai bëhet pronar i saj. Pra, nëpërmjet nxitjes së përfitimit personal, nxitet në ruajtjen e ambientit. Këtu qartë mund të prekim konceptin e përkujdesjes dhe jo vetëm të ruajtjes.

3)      «Nëse dikë prej jush e zë kiameti ndërsa në dorë ende ka ndonjë fidan (të hurmës apo diç tjetër) le të mos e lëshojë pa e mbjellë[24]»

Një shembull tjetër i përkujdesjes për ambientin është dhe ky hadith. Pejgamberi a.s. nxit besimtarin që pavarësisht se do të ketë rastin apo jo të përfitojë personalisht nga pema e mbjellë, ta mbjell atë, sepse nëse i ikin frutat, shpërblimin për to e ka gjithsesi. Përveç kësaj, nxitja për mbjelljen e pemëve bëhet që prej të saj të përfitojë edhe bota shtazore, kafshët dhe shpezët, të cilat janë pjesë e rëndësishme e ambientit. Siç mund të shihet, koncepti islam për ambientin është gjithëpërfshirës. Këtë e vërejmë edhe në hadithin vijues:

4)      «Një njeri e fitoi Xhennetin për shkak se ia shoi etjen një qeni[25]»

Pra, për shkak të një qeni, të cilit ia shoi etjen, ky njeri fitoi Xhennetin.

2.3. Kërcënimi për keqpërdorimin e ambientit

Në pjesën paraprake përmendëm disa tekste të cilat na nxisin për përkujdesjen e ambientit. Në këtë pjesë në fokus do t’i kemi disa tekste tjera të cilat janë qortim i rëndë për ata që keqpërdorin ambientin.

1)      «Kush e pret një sidre (pemë), do të përfundojë në zjarr.[26]»

Ky hadith është shpjeguar kështu Sunen[27]: Kush e pret pa asnjë justifikim një sidre, nga hija e të cilës përfitojnë njerëzit ose kafshët, ai do ta ketë fundin e hidhur duke përfunduar në Xhehenem. Pra, për dëmtim të vetëm një pemë mund të kesh këtë dënim po si është puna nëse dikush djeg pyje të tëra qëllimshëm siç po ndodhë kohëve të fundit apo prish shtretër lumenjsh?!

2)      «Keni frikë nga dy mallkueset! E cilat janë ato? Ai që kryen nevojën në rrugë apo hije të njerëzve[28]»

Ky hadith është një formë tjetër qortimi për ata që janë të pakujdesshëm karshi ambientit. Nëse dikush nga mungesa e etikës bën këto veprime të ulëta në vende publike të cilat frekuentohen nga njerëzit ose janë thjesht stacione pushimi e çlodhje dhe ka këtë vërejtje, paramendoni çfarë vërejtje do të ketë për ata që me ujëra të zeza rëndojnë jetën e qytetarëve në shtëpitë dhe lagjet e tyre.

3)      «Një grua shkoi në Xhehennem për shkak të një maceje që e mbyti. [29]»

Ky hadith flet për rrezikun që ka dëmtimi i qëllimshëm i kafshëve. Për një mace, të cilën e ka ngujuar dhe nuk e ka ushqyer si dhe nuk e ka lënë të lirë të del për të gjetur ushqim, kjo grua humbi Xhennetin. Paramendojeni çfarë ndëshkimi mund të ketë ai njeri që mbyt kafshë thjesht pa ndonjë interes?!

  1. SI TË KUJDESEMI PËR AMBIENTIN?

Nga perspektiva islame, toka dhe çfarë ka në të është përgatitur për njeriun[30]. Megjithëkëtë, kjo nuk i jep njeriut të drejtën e shpërdorimit. Njeriu është mbikëqyrës, jo pronar, andaj duhet të sillet sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të pronarit, Allahut. Gjegjësisht duhet:

1)      Të aplikojmë kriterin e shfrytëzimit racional të çdo gjëje që i duhet, siç na mëson Allahu në Kur’an[31].

2)      Ndërmarrja e masave parandaluese, duke u bazuar në rregullin fetar: “Largimi i të keqes është më parësor se sjellja e të mirave.[32]’ Pra, edhe nëse do të kishim ndonjë të mirë ta zëmë prej një projekti të caktuar por që dëmet do të ishin më të mëdha, siç po ndodhë rëndom në kohën tonë, atëherë më mirë do të ishte të mos i realizojmë fare ato projekte për shkak të dëmeve që janë më të mëdha se dobitë.

3)      Edukimi ambientalist[33], qoftë në shkolla, qoftë në xhami, duke i kushtuar më shumë dhe më shpesh kohë problemeve të kësaj natyre. Ne pamë më lart shembullin e një besimtari të ndërgjegjshëm në hadith:  «Një njeri hyri në Xhennet për shkak të një pengese që e pa në rrugë, të cilën e mori dhe e largoi. [34]» Duhet të angazhohemi për kultivim e vlerave shoqërore. Muhammedi a.s. ka thënë: «Njeriu më i dashur tek Allahu është më i dobishmi për njerëzit. [35]»

4)      Themelimin e një task force fetare (organin e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja[36]) i cili do t’i përkushtohej ruajtjes së ambientit.

5)      Të gjithë për ambientin[37]. Duke qenë se pasojat e degradimit të ambientit na përfshijnë të gjithëve, atëherë përkujdesja për të duhet të na bëjë bashkë të gjithëve, në nivel qytetesh e shtetesh.

PËRFUNDIM

Në përfundim të këtij punimi, do të përmendim disa të gjetura dhe rekomandime të tij:

1)      Njeriu, dhe nga perspektiva fetare, është shkaktar kryesor pse ambienti ka degraduar. Mëkatet e njeriut, të shprehura në shpërdorimin e ambientit, janë shkak i fatkeqësive të shumta që godasin njerëzit.

2)      Punimi konfirmon rëndësinë e aplikimit të mësimeve fetare në vetëdijesimin qytetar për këtë dhe çështje tjera me rëndësi shoqërore.

3)      Qasja fetare, siç nënvizohet në punim, parasheh jo thjesht ruajtjen e ambientit por edhe kultivimin e tij.

4)      Punimi po kështu konfirmon nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërinstitucional në mënyrë që të gjithë nga perspektivat përkatëse të japin kontributin për përkujdesjen për ambientin.

5)      Punimi rekomandon që edukimi ambientalist të përfshihet në kurrikula mësimore ndërsa në përmbajtje të ketë edhe qasjen fetare.

Literatura e konsultuar:

Kur’ani Fisnik

Kurani i madhërishëm, përktheu kuptimet e tij nga gjuha arabe: Prof. Hasan I. Nahi, (Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, 2006).

Es-Sa’di, AbduRrahman bin Nasir, Tejsiru-l-Kerimi-rr-rrahman fi tefsiri kelami-l-Mennan, (Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale, 2000).

Ibn Al’lan,  Muhammed bin Ali bin Muhammed, Delilu-l-falihine, (Bejrut: Daru-l-ma’rifeh, ed. 4, 2004).

Ibn Kethir, Ismail bin Umer, Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim, ver. Sami bin Muhammed Selame, (Dar Tajjibe li-n-neshri ve-t-teuzië, ed. 2, 1999).

Kardavi, Jusuf, Riajetu-l-bi’eti fi-l-Islam, (Kajro: Dar esh-shuruk, 2001)

Muhammed Mutevel’li Sha’ravi, Tefsir Esh-Sha’ravi, (Kajro: Metabiu Ahbar el-jevm, 1997).

San’ani, Muhammed bin Ismail, Ettenviru sherhu El-xhami’i essagir, (Rijad: Mektebetu Dar esselam, 2011).

Zuhajli, Vehbe, Ettefsir el-munir, (Damask: Dar el-fikr el-muasir, ed. 2, v. 1418 h.), 24/236.

Artikuj dhe punime online:

Abdudaim Kehil “Dhuhur el-fesad fi-l-berri ve-l-bahr”, publikuar më 2010 në  http://www.kaheel7.com, shfletuar më 23.11.2018.

Dr. Husni Hamdan Desuki Hamamae, “El-insan ve fesadu-l-bi’eti ve islahuha”, artikull i publikuar në https://www.alukah.net më datë 13.05.2013. Shfletuar më datë 23.11.2018.

Dr. Mevlaj Mustada Berxhavi, “Mevkif el-islam min el-abeth bi-l-bi’eh”, të publikuar në portalin https://www.alukah.net më datë 21.12.2011. Shfletuar më datë 23.11.2018.

Dr. Ragib Serxhani ‘Intisharu-l-hadaik fi-l-hadareti el-islamijjeh‘, artikull i publikuar në portalin e tij https://islamstory.com më 17.05.2010. Shfletuar më 22.11.2018.

[1] Ky punim është prezantuar në konferencën ndërkombëtare në Mitrovicë ‘Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: vendet e Ballkanit në kontekst evropian dhe global’ të organizuar nga Universiteti i Mitrovicës, 16-17 nëntor 2018.

[2] Hadithin e shënon Muslimi, nr. 58.

[3] Shih: Muhammed bin Ismail San’ani, Ettenviru sherhu El-xhami’i essagir, (Rijad: Mektebetu Dar esselam, 2011), 4/511.

[4] Në versionin tjetër të hadithi, të shënuar nga Ahmedi në Musned, në vend të shprehjes efdaluha (më e mira), qëndron a’laha (më e larta).

[5] Shih: Muhammed bin Ali bin Muhammed bin Al’lan, Delilu-l-falihine, (Bejrut: Daru-l-ma’rifeh, ed. 4, 2004), 2/357.

[6] Vehbe Zuhajli, Ettefsir el-munir, (Damask: Dar el-fikr el-muasir, ed. 2, v. 1418 h.), 24/236.

[7] Po aty, 13/254-257.

[8] Po aty, 22/259-260.

[9] Muhammed Mutevel’li Sha’ravi, Tefsir Esh-Sha’ravi, (Kajro: Metabiu Ahbar el-jevm, 1997), 12/7499-7500.

[10] Shih edhe: Bekare: 25; Zuhruf: 71; Rrahman: 52; 68; Vakiah: 20; 27-33; Murselat: 41-42; Nebe’: 31-32.

[11] Hadithin e shënojnë Buhariu 3251 dhe Muslimi 2826.

[12] Buhariu, 1481.

[13] Hadithi është cilësuar i dobët sipas senedit por kuptimisht, siç thotë Bin Bazi, është i saktë.

[14] Shih: Dr. Ragib Serxhani ‘Intisharu-l-hadaik fi-l-hadareti el-islamijjeh‘, artikull i publikuar në portalin e tij https://islamstory.com më 17.05.2010. Shfletuar më 22.11.2018.

[15] Koncepti ‘halife’ nënkupton detyrën e marrë nga Zoti për të organizuar jetën në tokë sipas mësimeve të Tij. Shih ajetet: Bekare, 30; En’amë, 165; Junus, 14; 73; Fatir, 39.

[16] Shih një shpjegim të bukur dhe përmbledhës në: AbduRrahman bin Nasir Es-Sa’di, Tejsiru-l-Kerimi-rr-rrahman fi tefsiri kelami-l-Mennan, (Bejrut: Muessesetu-rr-rrisale, 2000), f. 298.

[17] Ismail bin Umer bin Kethir, Tefsiru el-Kur’ani el-Adhim, ver. Sami bin Muhammed Selame, (Dar Tajjibe li-n-neshri ve-t-teuzië, ed. 2, 1999), 6/319-320.

[18] Shih: Jusuf Kardavi, Jusuf Kardavi, Riajetu-l-bi’eti fi-l-Islam, (Kajro: Dar esh-shuruk, 2001), f. 220-221.

[19] Abdudaim Kehil “Dhuhur el-fesad fi-l-berri ve-l-bahr”, publikuar më 2010 në  http://www.kaheel7.com, shfletuar më 23.11.2018. Shih qasje të ngjashme edhe tek: Dr. Husni Hamdan Desuki Hamamae, “El-insan ve fesadu-l-bi’eti ve islahuha”, artikull i publikuar në https://www.alukah.net më datë 13.05.2013. Shfletuar më datë 23.11.2018.

[20] Hadithin e shënon Ibn Maxheh në Sunen, nr. 4019, Albani në Sahihu-l-xhami, nr. 3072, thotë se hadithi është i saktë.

[21] Shih: Jusuf Kardavi, Riajetu-l-bi’eti fi-l-Islam, op.cit, f. 7.

[22] Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahih.

[23] Hadithin e shënon Imam Ahmedi në Musned ndërsa Albani në Sahihu-l-xhami, nr. 5974, e cilëson të saktë.

[24] Hadithin e shënon Imam Ahmedi në Musned ndërsa Albani në Sahihu-l-xhami, nr. 1424, e cilëson të saktë.

[25] Hadithin e shënojnë Imam Buhariu dhe Imam Muslimi në Sahihët e tyre.

[26] Hadithin e shënon Davudi në Sunen ndërsa Albani në Sahihu-l-Xhami, nr. 6476, e cilëson të saktë.

[27] Po aty.

[28] Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahih.

[29] Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[30] Shih ajetet: Ibrahim: 32-33; Nahl: 14; Haxh: 36; 65; Lukman: 20, etj.

[31] Shih: A’rafë: 31; Furkan: 67.

[32] Shih artikullin e Dr. Mevlaj Mustada Berxhavi, “Mevkif el-islam min el-abeth bi-l-bi’eh”, të publikuar në portalin https://www.alukah.net më datë 21.12.2011. Shfletuar më datë 23.11.2018.

[33] Shih: Jusuf Kardavi, Riajetu-l-bi’eti fi-l-Islam, op. cit, f. 234-236.

[34] Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahih.

[35] Hadithin e shënon Imam Muslimi në Sahih.

[36] Shih: Jusuf Kardavi, Riajetu-l-bi’eti fi-l-Islam, op. cit, f. 236-238.

[37] Po aty, f. 239-240.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit