Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit do t’i vë përballë Kosovën dhe Serbinë, në Bruksel, gjatë javës së ardhshme. Mirëpo, palët kanë shfaqur pikëpamje të ndryshme për atë se çfarë kanë për të biseduar të mërkurën në kryeqytetin belg.
Në Beograd kanë thënë se të mërkurën e javës që vjen në Bruksel ka për t’u diskutuar për “çështje të mbetura nga Protokolli për menaxhimin e integruar të kufirit”.
Ndërsa, në Prishtinë e kanë thënë të kundërtën e kësaj. Shefi i delegacionit serb në bisedime, Dejan Pavicevic, ka thënë se Serbia ka formuar grupin punues, i cili do të krijojë platformën e bisedimeve për kontrollin e kufirit, shkruan Koha Ditore.
Ai është shprehur për mediet serbe se Qeveria e Serbisë nuk do të lejojë që në “linjat administrative” të ketë shenja të Kosovës.
“Do të ketë vetëm shenja informative, pa shenja të shtetësisë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, ka thënë Pavicevic.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, është shprehur të shtunën se marrëveshja për IBM-në është punë e kryer dhe se javën e ardhshme në Bruksel do të diskutohet vetëm për zbatimin e saj.
Sipas Tahirit, Pavicevic ose nuk është i njohur me marrëveshjet e arritura ose po e mëson dikush se çka të thotë.kohaislame