Ekzaminimi perfekt për diagnostikimin e shumë sëmundjeve
Çfarë është rezonanca magnetike
Rezonanca magnetike është një ekzaminim imazherik joinvaziv, pa dhimbje që ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme , kur metodat e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme. Rezonanca Magnetike, pra RM, përdor fushë të fuqishme magnetike, valë elektromagnetike dhe një kompjuter për të prodhuar pamje të detajuara të organeve, indeve të buta, kockave dhe virtualisht të gjitha strukturave të tjera të brendshme të trupit.
RM nuk përdor rrezatim të jonizuar (rrezet x). Imazhet e detajuara të RM i mundësojnë mjekut të vlerësojë më mirë pjesët e trupit dhe patologji të veçanta që nuk mund të përcaktohen në mënyrë të përshtatshme me metodat e tjera të imazherisë si rreze x, ultratingujt ose tomografinë e kompjuterizuar
(e quajtur edhe CT ).
Rezonanca Magnetike e sistemit muskuloskeletal përdoret për të diagnostikuar apo vlerësuar:
• dëmtimet e meniskut, ligamenteve, kartilagos tendoneve dhe muskujve.
• frakturat (në pacientë të veçantë).
• patologjitë e diskut spinal (p. sh, hernia diskale).
• dëmtimin e shtyllës kurrizore pas traumave
• dëmtimet e lidhura me sportin dhe çrregullimet e lidhura me punën të shkaktuara nga sforcimi i përsëritur ose goditjet e fuqishme.
• infeksionet (p. sh. osteomieliti).
• tumoret (p. sh. tumoret fillestare dhe metastazat) që përfshijnë kockat dhe kyçet
• dhimbjen, ënjtjen ose hemorragjinë në indet brenda dhe përreth kyçeve dhe kockave.
Rezonanca Magnetike gjithashtu përdoret për të diagnostikuar:
• tumoret e kraharorit, abdomenit ose pelvisit
• patologjitë funksionale dhe anatomike të zemrës.
• tumoret dhe anomalitë e tjera të organeve riprodhuese (p. sh. uterusin, ovaret, testikujt, prostatën).
• sëmundje të mëlçisë ose organeve të tjera (kur diagnoza nuk arrihet me teknika të tjera).
• anomali dhe sëmundje vaskulare, arteriale dhe venoze(Angiografia RM).
• patologjitë e tëmthit dhe rrugëve hepatobiliare (MRCP) si alternative e ERCP invazive.
Si funksionon procedura?
Ndryshe nga ekzaminimet konvencionale me rreze x dhe tomografia e kompjuterizuar (CT), RM-ja nuk ka radiacion. Ajo përdor fushën magnetike e cila përfitohet nga rryma elektrike. Ndërkohë që ju rrini shtrirë brenda njësisë së RM-së, valët elektromagnetike drejtohen tek protonet në zonën e trupit tuaj që do të studiohet. Nën ndikimin e fushës magnetike, këto protone ndryshojnë pozicionin e tyre, duke prodhuar sinjale që kapen nga bobinat. Më pas një kompjuter përpunon sinjalet dhe prodhon një seri imazhesh secila prej të cilave tregon një shtresë të hollë të trupit që më pas përpunohen në pamje 3 dimensionale shumëplanëshe.
Për shkak se protonet janë më të shumtë në molekulat e ujit, imazhet RM tregojnë diferenca në përmbajtjen e ujit në inde të ndryshme të trupit. Si rrjedhim, RM është veçanërisht e përshtatshme për të zbuluar çrregullimet në zonat e sëmura të trupit, për shembull, zonat e prekura nga tumoret, infeksionet dhe inflamacionet të cilat ndikojnë në prishjen e ekuilibrit të lëngjeve në qelizë dhe jashtë saj. Në përgjithësi, diferencimi i indeve anormale (të sëmura) nga indet normale është veçanërisht më i lehtë me RM sesa me modalitetet e tjera të imazherisë siç janë rrezet x, CT dhe ultratingujt.
Përfitimet
• Rezonanca Magnetike është një teknikë jo-invazive e imazherisë që nuk përfshin ekspozimin ndaj radiacionit ,prandaj eshte e pershtatshme per te gjitha moshat.
• Imazhet e RM të trurit dhe strukturave të tjera kraniale janë më të qarta dhe më të detajuara se me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën RM një mjet të pazëvendësueshëm në vlerësimin e shumë patologjive te trurit, përfshirë dhe tumoret.
• Angiografia RM jep imazhe të detajuara të enëve të gjakut..
• RM e indeve të buta të trupit – siç është zemra, mëlçia dhe shumë organe të tjera – kanë një ndjeshmëri të madhe për të identifikuar dhe karakterizuar patologjitë dhe lezionet lokale në krahasim me metodat e tjera të imazherisë. Ky detaj e bën RM një mjet të pazëvendësueshëm në diagnostikimin e hershëm dhe vlerësimin e shumë lezioneve fokale dhe tumoreve.
• RM është provuar si metoda më e vlefshme në diagnostikimin e shumë patologjive përfshirë kancerin, sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut dhe ato të sistemit muskuloskeletal.
• RM jep informacion të detajuar jo vetëm për strukturën e një organi po edhe për funksionin e tij.
• Lënda e kontrastit e përdorur në ekzaminimet e RM ka më pak mundësi të prodhojë reaksione alergjike sesa kontrastet me bazë jodi të përdorura ne CT.
Rreziqet
• Rezonanca Magnetike nuk paraqet ndonjë rrezik për pacientin kur ndiqen udhëzimet përkatëse të sigurisë.
• Megjithëse fusha e fortë magnetike nuk është e dëmshme në vetvete, pajisjet mjekësore që përmbajnë metale mund të keq-funksionojnë ose të shkaktojnë probleme gjatë një ekzaminimi RM.
• Ka një rrezik shumë të vogël për reaksion alergjik nëse injektohet lëndë kontrasti. Reaksione të tilla janë zakonisht të lehta dhe kontrollohen mirë nga medikamentet. Fibroza nefrogjenike është aktualisht një komplikacion i rrallë i RM që mendohet të shkaktohet nga injektimi i disa (por jo të gjitha) kontrasteve të RM në pacientë me funksionim të dobët të veshkave.
• Megjithëse nuk ka asnjë arsye për të besuar se Rezonanca magnetike dëmton fetusin, efektet e fushës së fortë magnetike nuk janë kuptuar mirë. Për këtë arsye rekomandohet qe gratë shtatzëna te këshillohen paraprakisht me mjekun përpara se te kryejne kete ekzaminim.
RM është zgjidhja më e mirë për ekzaminimin e:
• Trurit
• Artikulacioneve si gjuri, shpatulla, kyçi i dorës e i këmbës etj
• Shtyllës kurrizore për sëmundje të diskut
• indeve te buta
Aktualisht RM është ekzaminimi më i ndjeshëm i imazherisë së kokës (veçanërisht trurit) rutinë në praktikën mjekësore.
Rezonanca Magnetike e Gjirit është metoda më e avancuar diagnostikuese e gjirit, e cila ofron informacion të vlefshëm rreth shumë patologjive të gjendrës mamare që nuk mund të merren përmes modaliteteve të tjera të imazherisë, siç janë mamografia dhe ekoja duke çuar në diagnozën e saktë. Rekomandohet fuqishem sidomos per pacienten me risk te larte per zhvillimin e kancerit te gjirit sic jane ata me predominance genetike ( BRCA1 dhe 2) histori familjare, kancer te ovareve , pacientet me gji te dendur ne mamografi apo te diagnostikuar me pare me lezione prekanceroze.
Rezonanca Magnetike e gjithë trupit (whole body MR) është ekzaminim i detajuar i gjithë trupit (nga koka deri te këmbët) që realizohet me anë të sitemit modern TIM të RM dhe përdoret në diagnostikimin dhe percaktimin e shkallës së përhapjes të shume patologjive.
Dr. Iris Allajbeu
Radiologe
038 221 661
www.spitaliamerikan.com