Bahri Curri
Krijuesi i Plotfuqishëm me krijimin e jetës së çdo krijese cakton edhe fillimin dhe mbarimin e saj. Për zhvillimin e kësaj jete ka bërë kohën. Varësisht nga shfrytëzimi i saj njerëzit ndahen në: Të lumtur ose fatkeq, të shpëtuar ose të humbur, të mirë ose të këqinj. Për këtë Allahu thotë:
“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (Asr, 1-3)
Allahu betohet në kohën për të treguar vlerën e saj, e cila është shumë e çmueshme për njeriun, nëse e shfrytëzon si duhet, apo është shumë shkatërruese për të, nëse e lë t’i ik kot, apo e kalon në harame.
Koha është mësues i mirë që tregon se i dobëti me angazhim në punë e dituri bëhet i fortë dhe anasjelltas, i forti me përtacinë e tij bëhet i dobët. Është përplot ngjarje të çuditshme; njerëz të mëdhenj humbin vlerën, njerëz të panjohur bëhen të famshëm, të pasur që varfërohen, të varfër që pasurohen, e kështu me radhë në të gjitha sferat e jetës, dhe ne duhet të nxjerrim mësim nga tërë këto.
Por, edhe na e bën me dije se nuk janë të humbur ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ngase ata kuptuan se kjo jetë është kalimtare, ku e mira dhe e keqja nuk janë të përhershme. Andaj nuk janë mashtruar që të rrënojnë natyrshmërinë dhe karakterin e njeriut, por kanë bërë një ndryshim rrënjësor në jetën e tyre duke qenë gjithmonë të matur dhe besimtarë të denjë të Allahut në të gjitha kohërat, vendet dhe rastet. Këtë e kanë perfeksionuar edhe më me vazhdimin e tyre në mësime e këshilla ndaj njëri-tjetrit në punë të mbara, drejtësi e njohje të Krijuesit. Si dhe me porositë e tyre për durim në vështirësi e mundime, në zbatimin e urdhrave të Zotit, në largimin prej punëve të këqija e të ndyra.
Lexues të dashur!
Një gjë, nga e cila njerëzit shpesh ankohen, është rutina e përditshme dhe koha e lirë, të cilat janë vrasëse në vetvete dhe e bëjnë njeriun t’i bezdisen veprimet e tij. Çdo ditë të njëjtat gjëra, punë, telefonata, shifra, vetura, autobusë, zhurmë, përgjegjësi etj.. Për të dalë nga rutina, njerëzit janë gati të shpenzojnë ç’të mundin, gjë që e bëjnë dhe vazhdimisht.
I tillë është njeriu, i prirur drejt së resë, drejt së ndryshmes nga e djeshmja, drejt asaj për të cilën mendon se do t’ia thyejë rutinën e përditshme, rutinën e përjavshme e të përmuajshme. Fatkeqësia është edhe më e madhe, kur shikon se dalja nga rutina tashmë është kthyer rutinë në vetvete. Fundjava është e mbushur po me të njëjtat veprime si ajo që shkoi. Aq më tepër kur edhe kohën e lirë s’di si ta kalojë, apo thënë ndryshe “si ta vrasë”.
Por, a ka ndonjë dalje nga kjo tollovi veprimesh dhe gjendjesh të njëjta të personifikuara me fjalën “rutinë” dhe “kohë e lirë”, çfarë ofrohet në këtë aspekt, a ka ndonjë zgjidhje të veçantë shpresëdhënëse?
Islami si fe, e cila vendosi përfundimisht baraspeshën mrekulluese ndërmjet shpirtërores dhe materiales, me anë të adhurimeve të saj të shpërndara gjatë ditës dhe gjatë periudhave të ndryshme të vitit, i ofron njeriut gjithmonë të renë, gjithmonë diçka ndryshe nga e përditshmja. Bën revolucion në jetën e njeriut duke ia larguar monotoninë e përditshmërisë me larushinë e ceremonive të ibadetit dhe të dallimeve kohore të tyre.
Për shembull namazi, i cili falet pesë herë në ditë, i caktuar në kohët më të përshtatshme për të mirën e shpirtit dhe të trupit bashkë. Është një ibadet që nuk përmban vetëm aktivitetin formal trupor dhe pëshpëritjen e ajeteve e duave, por është edhe përjetim shpirtëror që shijohet me ndjenja, lidhje mes krijesës dhe Krijuesit, nënshtrim, ripërtëritje dhe shërim i mrekullueshëm.
E njëjta gjë ndodh edhe me muajin e Ramazanit, i cili është muaj qetësie shpirtërore e trupore, në mënyrë që njeriu për një muaj rresht të ketë mundësinë të jetojë ndryshe nga pjesa tjetër e vitit, të jetojë më tepër i përkushtuar ndaj Krijuesit.
Një klasifikim i tillë revolucionar i kohës është bërë në periudha të ndryshme gjatë tërë vitit, për t’ia thyer njeriut monotoninë dhe për ta nxitur për diçka ndryshe. Me këtë nuk i mbetet atij kohë e lirë, sepse agjendën e tij e ka të mbushur me veprime adhuruese, edhe nëse i kryen obligimet, ai vazhdon me dhikër (të përkujtuarit e Allahut).
Pesë kohët e namazit çdo ditë, dita dhe namazi i xhumasë, muaji i Ramazanit, Nata e Kadrit, muajt e Haxhit, e shumë të tjera, pa dashur t’i numërojmë të gjitha, por duke këshilluar që të shfrytëzohen sa më shumë dhe të afrohemi sa më afër Zotit.
Këto ditë në vetvete janë shenjë e mirësisë dhe e drejtësisë së Krijuesit të gjithësisë për faktin se Allahu ua shton vlerën e veprave të Umetit të Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem në momente të caktuara, për ndryshim nga popujt para nesh. Duke pasur parasysh se popujt e mëparshëm kanë pasur jetëgjatësi më të madhe në krahasim me njerëzit e kohës sonë, por i Madhi Zot, për të treguar drejtësinë dhe mëshirën e Tij të pafundme, u dha rastin këtyre njerëzve për shtimin e veprave të mira, për t’iu afruar atyre, të cilët e kanë pasur mundësinë e adhurimit të krijuesit të tyre për një kohë më të gjatë.
Mirësitë e Allahut ndaj mbarë njerëzimit janë të shumta, edhe pse njerëzit ndaj këtyre mirësive nuk e shprehin falënderimin e duhur.
Prej veprave të tilla duke parasysh largimin nga shirku dhe nga çdo vepër e keqe janë:
Falja e namazeve farz (të urdhëruara) dhe kujdesi ndaj tyre;
Allahu thotë:
“Besimtarët janë ata që tregojnë kujdes ndaj namazeve.”
Falja e namazeve sunet, pastaj e atyre vullnetare (nafile);
Nuk ka dyshim se namazi më i dashur tek Allahu i Madhëruar, pas farzit, është kryerja e suneteve dhe nafileve, për këtë edhe thotë në një hadith kudsij:
“Robi im nuk afrohet tek Unë me gjë tjetër siç më afrohet kur kryen obligimet (farzet), e kështu shtohet afrimiteti mes Meje dhe atij, në varësi të veprave vullnetare që ai kryen, jo të obliguara, derisa ta dua e nëse e dua…” (Buhariu)
dhe:
“Mundohu të bësh sa më shumë sexhde, sepse sa herë që ti bën sexhde, Allahu i Madhëruar ta ngre një gradë dhe ta fshin një gabim.” (Muslimi)
Kjo përfshinë çdo kohë, por veçanërisht ditët e vlefshme.
“Nuk ka musliman që të falë për Allahun dymbëdhjetë rekate në ditë e të mos i ndërtohet një shtëpi në Xhenet.” (Buhariu dhe Muslimi)
Kujtojmë këtu sunetet para apo pas farzeve, namazin e duhasë, namazin e natës, vitrin, namazin pas abdesit etj.
Agjërimi farz i Ramazanit dhe pastaj i atyre vullnetare;
Hafsa radijallahu anha tregon:
“I Dërguari i Allahut alejhi selam katër gjëra nuk i linte kurrë: Agjërimin e Ashuras (ditës së dhjetë të muajit Muharrem), agjërimin në dhjetë ditët e Dhulhixhxhes, agjërimin e tre ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve përpara sabahut.” (Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu)
Përmendja e Allahut;
Kjo gjë është e pëlqyer në çdo kohë, siç shihet nga ajetet dhe hadithet që e trajtojnë këtë. Përmendja është e pëlqyer për të gjitha llojet e saj, por në mënyrë të veçantë përmendim: Tekbirin, Tehlilin, Tahmidin.
Garimi në të mira;
Veprat e mira çdo herë janë të dashura për Allahun, në çdo kohë dhe vend dhe kanë vlerë e shpërblim të madh, si namazi, xhihadi, agjërimi, zekati, leximi i Kur’anit, dhikri, lutja, sadakaja, bamirësia ndaj prindërve, përkujdesja ndaj farefisit, urdhërimi në të mirë dhe largimi prej të këqijave…etj. Allahu i Madhëruar thotë:
“Në të tilla gjëra (që bëhen shkak për futjen në Xhenet) le të garojnë garuesit.” (Mutaffifinë, 26)
dhe:
“Garoni, nxitoni në vepra, prej të cilave meritoni falje mëkatesh e Xhenete nga Zoti juaj, gjerësia e të cilëve është sa qiejt e toka, të përgatitur për të devotshmit.” (Ali Imran, 133)
Pendimi;
Allahu thotë:
“O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Tahrimë, 8)
duke përfshirë të gjitha mëkatet me ekzistimin e dëshirës dhe vullnetit dhe pastrimin nga gjynahet e gabimet.
Respektimi i prindërve;
Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Zoti juaj ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetërkënd përveç Tij, e të silleni mirë me prindërit. Nëse ndonjërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria nën kujdesin tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “Of-oh” e as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe tregohu i mëshirshëm ndaj tyre, respektues, modest dhe thuaj: Zoti im! Mëshiroji ata të dy sikur se më rritën e më edukuan mua kur isha i vogël.” (Isra, 23-25)
Vizita të afërmve;
Allahu i Madhëruar thotë:
“Kini frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajeni farefisin (akraballëkun).” (Nisa, 1)
Vëllezër dhe motra!
Tentoni ta ndryshoni dhe ta jetoni jetën tuaj!
Shpesh dëgjojmë: Jetoje jetën.
Por si?!
Nuk ka tjetër jetë të lumtur përveç jetës islame, andaj bëje atë dhe përfundoje po ashtu si i takon jetës islame.
Allahu thotë:
“O ju që besuat! Kinie frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë).” (Ali Imran, 102)
Allahu është poseduesi i vetëm i suksesit!