3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Revolucion në panairin e librit?

Më të lexuarat

Disa ekspertë parashikojnë fundin e librit tradicional. Revolucioni digjital vë gjithçka në pyetje. Në panairin e librit në Frankfurt do të diskutohet me zjarr për të ardhmen e librit.
Kur 7300 ekspozues nga më shumë se 100 vende mblidhen për pak ditë, atëherë ka mjaft për të biseduar. Para së gjithash kur është fjala për një sektor aq të brishtë sa ai i librit. Panairi i librit në Frankfurt (10.-14.10.2012) hap sërish dyert, rreth 300.000 vizitorë priten të vijnë. Aktiviteti vazhdon të konsiderohet si më i madhi i llojit të tij në botë, megjitha vështirësitë në kohët e stuhisë digjitale. Shumë vëzhgues e shohin e atë si një panair të medieve, një eveniment gjigant kulturor, e megjithatë në qendër është libri i shtypur, edhe pse atij i duhet t’i bëjë ballë konkurrentëve të shumtë.

Njerëzit shkojnë ende në librari
Sektori nuk i ka punët shumë mirë. Vitin e kaluar tregu gjerman i librit realizoi një xhiro prej 10 miliardë eurosh. Për herë të parë pas shtatë vitesh është shënuar një rënie e lehtë. Në libraritë klasike vazhdon të blihen pjesa më e madhe e librave, por gjithnjë e më shumë gjermanë i porosisin librat në internet. Shumë shtëpi botuese ndihen të kërcënuara në ekzistencë. Nga njëra anë libri elektronik (e-book) është një konkurrent për librin e shtypur. Nga ana tjetër gjithnjë e më shumë autorë i publikojnë përmbajtjet e tyre në internet: vetëbotim (self-publishing) është fjala e re magjike.

Mediet e reja kundër tradicionaleve
Të gjitha këto pritet të tematizohen në Frankfurt. “Rrjeti është hapi i ndërmjetëm historik nga kultura e librit të shtypur në kulturën e librit digjital”, kështu e saktëson gjendjen një e përditshme e njohur gjermane. Nuk ka dyshim se sektori gjendet para një transformimi. Por mendimet rreth destinacionit të udhëtimit janë të ndryshme. Disa konstante duken megjithatë të sigurta. Numri i librarive në Gjermani do të zvogëlohet. Amazon dhe ofruesit e tjerë në internet do të vazhdojnë të rriten. Shitjes së librit në dyqane po i vjen fundi. Segmeti i librit të xhepit është i kërcënuar seriozisht. Librat elektronikë të çfarëdo forme qofshin, do të marrin pjesë gjithnjë e më të mëdha të tregut. Të gjitha të tjerat janë spekulime.
Librat për fëmijë dhe të rinj si indikatorë për të ardhmen
Rreth 3000 aktivitete janë planifikuar në Frankfurt, rreth 1000 shkrimtarë priten në panair. Do të vijnë autorë të shquar ndërkombëtarë si Richard Ford, Herta Müller apo Martin Walser, do të mbahen tryeza të rrumbullakëta me diskutime rreth të ardhmes së librit, aktivitete speciale për të gjitha format e shpërndarjes së librit. Fushës së rëndësishme të librit për fëmijë dhe të rinj do t’i kushtohet këtë vit vëmendje e veçantë. Askund tjetër nuk janë të lidhura më fort mediet e shtypura dhe digjitale, thotë drejtori i panairit të librit, Jürgen Boos.

Ndryshe nga SHBA ku me librat elektronikë dhe vetëpublikim arrihen tashmë xhiro të larta (me e-books vitin e kaluar atje u arrit një xhiro më e madhe se me formën klasike të librit të shtypur), në Gjermani vazhdon të ekzistojë një treg tradicional libri. “Çdo librar di më shumë se Amazon”, shprehet me optimizëm Alexander Skipsis, drejtues i shoqatës së librarive gjermane. Ajo që nevojitet është forcimi i lidhjeve me klientët përmes një faqeje vetjake interneti. Atëherë është e mundur që shumë të vegjël t’i bëjnë ballë gjigantëve.

Zhvillime si në SHBA?
Nëse zhvillimi në SHBA i paraprin atij në Gjermani, siç mendojnë disa ekspertë, do të mësohet vetëm pas pak vjetësh. Jo të gjitha dëshirat e dishepujve të botës digjitale të librit do të përmbushen. Të paktën jo aq shpejt. Në Gjermani xhiroja e librit elektronik përbën ende vetëm 1 deri 2 për qind në tregun e librit. Aparatët e shumtë të leximit që vërshuan në tregun gjerman vitet e fundit nuk sollën revolucionimin e sjelljes së gjermanëve në lexim. Shumë ekspertë mendojnë madje se aparateve si Kindle nga Amazon apo eReader nga Sony, tashmë po u vjen fundi dhe do të zëvendësohen nga Table-PC dhe smartphones.

Por transformimi global dhe digjital përbën temën kryesore të panairit, pasi ai po e trondit në themele sektorin. Shtëpitë botuese tradicionale duhet të përshtaten me rrugë të reja shitjeje dhe të përfshijnë në marketing rrjetet sociale.

Ylli i panairit Liao Yiwu
Pra do të ketë mjaft për të biseduar në sallat e panairit e natyrisht edhe për komponentët klasikë të tij. Vendi i ftuar këtë vit është Zelanda e Re. Rreth 70 autorë priten nga shteti ishull. Pika kulmore e panairit do të jetë dhënia e Çmimit të Paqes të librarive gjermane. Çmimi më i lartë kulturor gjerman i jepet autorit kinez Liao Yiwu, i cili jeton tashmë në mërgim në Gjermani. Liao Yiwu u bë i njohur me tekste kritike ndaj problemeve në shoqërinë moderne kineze. Megjithë dënimin e gjatë me burg, torturën dhe ndalimin e profesionit, librat e tij vazhdojnë të shtypen, por janë të ndaluar në atdheun e tij. Në Kinë libri i shtypur vazhdon të ketë fuqi të madhe shpërthyese./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit