6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Reuters: Kumanova duket sikur të jetë goditur nga cunami

Më të lexuarat

“Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunami, rrugët kanë mbetur shkatërruara dhe muret e rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake. Reuters ka raportuar përmes një fotolajmi për gjendjen e tanishme të “Lagjes së Trimave”, vetëm një ditë pas luftimeve të ashpra mes grupit shqiptar dhe policisë speciale maqedonase.
“Një njeri qëndron brenda shtëpisë së tij të shkatërruar”, përshkruan gjendjen dëshpëruese Reuters. “Lagja e Trimave” në Kumanovë duket sikur të jetë goditur nga një cunami, rrugët kanë mbetur shkatërruara dhe muret e rrëzuara nga artileritë e rënda ushtarake të njësitit anti-terrorizëm të forcave speciale maqedonase, raporton Reuters.
 
Përveç tjerash, Ruters shkruan se shqiptarët kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre të shkatërruara, nëpër xhamat e thyer dhe gërmadhat e objekteve të rrënuara, veturat e djegura dhe shenjat e gjakut gjithandej, të shkaktuara nga operacioni policor që la të vdekur 22 persona.
 
Në fund shkruan se Maqedonia po hyn në një fazë të re të krizave dhe pasigurive shtetërore. Rruga “Pero Ilievski” dukej të hënën si të ishte goditur nga një cunami, me kalldrëmin e shkulur nga toka dhe muret e shtypura nga veturat e blinduara të njësitit special antiterrorist të Policisë maqedonase.
 
Shqiptarët e shokuar, banorë të këtij qyteti verior të Maqedonisë, ecnin ngadalë në rrugët plot xhama të thyer dhe copa të tjegullave, vetura të goditura dhe baltës së përzier me gjak – dëm i shkaktuar nga një operacion i fundjavës që pas vetes la 22 njerëz të vdekur dhe paralajmërimin e një faze të re të paqartësisë në një vend që është thellë në krizë.
 
Detajet për sulmin mbeten të mjegullta, por Qeveria konservatore e Nikola Gruevskit përballet me thirrjet e menjëhershme nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian për një “hetim transparent” të asaj që ndodhi. Kredibliteti i tij në Perëndim tashmë është vënë në pikëpyetje pas muajve të akuzave nga opozita për përgjime të jashtëligjshme dhe keqpërdorim të gjerë të pushtetit.
 
Shkrimi i plotë i Reuters:
 
Një shtrëngatë e përkryer bëhet gati në Maqedoni
 
Banorët shqiptarë të rrugës “Pero Ilievski” në Kumanovën e përzier etnikisht akuzojnë për padrejtësi, duke thënë se ishin thjesht pionë në një betejë më të madhe politike dhe se po përdoreshin për të zhvendosur vëmendjen nga telashet e vetë qeverisë.
 
Kundërshtarët kryesorë të Gruevskit brenda shumicës maqedonase po ashtu kërkojnë përgjigje, duke spekuluar se qeveria po përpiqet të nxisë ndasinë etnike në mënyrë që të pengojë shtytjen e opozitës për ta larguar atë.
 
Republika e vogël, e varfër ish-Jugosllave, ku shqiptarët etnikë përbëjnë 30 për qind të popullatës 2-milionëshe, flirtoi me një luftë totale civile në vitin 2001, kur guerilët shqiptarë luftuan me forcat qeveritare të sigurisë para se NATO-ja të ndërmjetësojë një marrëveshje paqësore.
 
Integrimi ka qenë i ngadaltë, por diplomatët perëndimorë thonë se kërcënimi më i madh për stabilitetin aktualisht qëndron më pak në konfliktin ndëretnik se sa në përplasjen politike mes Gruevskit dhe kundërshtarëve të tij maqedonas. Sikur edhe minoriteti shqiptar, edhe ata janë të frustruar nga varfëria, papunësia e lartë, korrupsioni i përhapur dhe procesi i bllokuar i integrimit me Perëndimin.
 
Analistët e huaj kohë të gjatë kanë tërhequr vërejtjen se njëra apo pala tjetër mund të përpiqen të nxisin tensione etnike për të fituar përparësi, me gjithë mungesën e entuziazmit te të dy komunitetet për luftime të ripërtërira.
 
“Disa probleme të dallueshme po bëhen bashkë për të krijuar një shtrëngatë të përkryer”, shkroi analisti i Ballkanit, Marko Prelec, në faqen e tij të Facebook-ut, duke shtuar se një situatë tashmë e nxitur politike është bërë “e tejngarkuar nga emocionet që ngrihen kur derdhet gjaku”.
 
Protesta
 
Gruevski tha se policia kishte zhbërë “një prej grupeve më të rrezikshme terroriste në Ballkan”, të udhëhequra nga shqiptarët etnikë nga Kosova fqinje dhe të vendosur për të sulmuar stacione policore, shtëpi mallrash dhe ngjarje sportive.
 
Autoritete thanë se 14 “terroristët” janë vrarë, dhjetëra janë arrestuar dhe tetë policë u vranë. Të arrestuarit shqiptarë janë nxjerrë para gjykatësit në pranga dhe rroba të bardha.
 
Shkatërrimi i rrugës “Pero Ilievski”, në një rajon që ka parë luftime të ashpra gjatë konfliktit të vitit 2001, fliste për ashpërsinë e dhunës. Megjithatë, asnjë civil nuk u raportua të jetë lënduar në një operacion që nisi pa paralajmërim mëngjesin e së shtunës dhe përfundoi rreth 24 orë më vonë.
 
“Nuk e di se cili ishte qëllimi i gjithë kësaj”, tha Ramadan Baftiu, duke qëndruar ulur mbi murin e rrënuar të shtëpisë së tij dykatëshe, të nxirë nga zjarri dhe të shoshitur nga plumbat.
 
Baftiu tha se ai dhe shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë fëmijët, kishin kaluar 12 orë në bodrumin e tyre, duke pritur qetësimin e stuhisë mbi ta para se të iknin gjatë një armëpushimi.
 
“Shtëpia tani duhet të rrënohet e tëra”, tha ai.
 
Ai dhe fqinjët e tij thanë se nuk kishin parë njerëz të armatosur këndej pari, një pohim ky që është i pamundur të verifikohet në një klimë të pohimeve dhe kundërpohimeve, intrigave dhe manipulimeve në Maqedoni.
 
Përveç policëve të vrarë, viktimat e tjera nuk janë identifikuar me emër.
 
Mllefi i opozitës në Maqedoni rreth skandalit me përgjime pritet të arrijë kulmin më 17 maj, me një protestë të planifikuar masive me kërkesën për dorëheqjen e Gruevskit.
 
Zoran Zaev, lideri i partisë kryesore opozitare të Maqedonisë, Socialdemokrate, thotë se ai ka një thesar plot me përgjime, që i janë dhënë atij nga një informator dhe që nxjerrin në pah përmasën e kontrollit qeveritar mbi gjykatësit, gazetarët dhe organizimin e zgjedhjeve.
 
Ai i ka publikuar audio-incizimet pjesë-pjesë për media me muaj të tërë dhe protestuesit tashmë janë përplasur një herë me policinë për shkak të kësaj.
 
Skandali i është shtuar mllefit të gjerë politik që ka rrënjët në dështimin e Maqedonisë që t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s, me përpjekjet e saj të bllokuara nga kontesti tashmë shumëvjeçar me Greqinë fqinje rreth emrit të shtetit.
 
Disa shqiptarë në Kumanovë thanë se do t’i bashkohen opozitës maqedonase në protestën e 17 majit.
 
“Po, do të protestoj”, tha Vullnet Januzi, 44 vjeç, një punëtor i kompanisë shtetërore të ujit. “Nuk mund ta fajësosh popullin maqedonas për këtë”, tha ai. /Matt Robinson/Reuters/Telegrafi/ 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit