2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

REPUBLIKA E JEMENIT

Më të lexuarat

Republika e Jemenit është një shtet arab, i cili gjendet në jug-perëndim të Azisë. Jemeni kufizohet me Arabinë Saudite në veri, si dhe me Omanin në lindje. Jemeni ka dalje në Detin Arab në pjesën jugore, ndërsa në pjesën perëndimore të tij ka dalje në Detin e Kuq.

Republika e Jemenit ka nën qeverisjen e saj edhe disa ishuj në Detin Arab dhe në Detin e Kuq, e më i njohuri prej tyre është ishulli Saktara. Gjithashtu Jemeni mbikëqyr ngushticën Bab El Mandeb.

Ana Historike

Jemeni ka një histori që shkon deri në lashtësi, ku janë zhvilluar në të një sërë kulturash prej më të njohurave në botë. Jemeni ka qenë një ndër vendet më të bukura në kohët e lashta. Kjo për shkak edhe të pendës së Meribit, apo siç njihet ndryshe edhe penda e Arimit e që është penda më e vjetër në botë, po ashtu ajo konsiderohet edhe një ndër ndërtimet e rralla të botës së lashtë. Historianët na tregojnë se shpërthimi i pendës bëri që të zvogëlohen burimet e ujit dhe të ndodhë një thatësi e madhe e që diktoi më pas emigrimin e një pjese të madhe të banorëve drejt Siujdhesës Arabike, Irakut dhe vendeve të Shamit. Ngjarja e pendës së Meribit dhe të mirave që kanë përfituar njerëzit përreth saj, si dhe shkaku i përmbytjeve është përmendur edhe në Kuran, në kaptinën Sebe, ajeti: 15-16.

 

Të dhëna të përgjithshme

Emri i plotë: Republika e Jemenit.

Kryeqyteti:  Sana.

Sipërfaqja:  527,968 km2.

Banorët deri më 2009 : 23,580,000

Përqindja vjetore e rritjes së banorëve (2000 – 2005): 4,1 %

Përqindja e muslimanëve: 100  %.

Gjuha : Arabe.

Monedha : Rijali i Jemenit (YER)

Pavarësia e Jemenit Verior: 1 Nëntor 1918 (nga perandoria Osmane)

Pavarësia e Jemenit jugor: 30 Nëntor 1967 (nga britanikët)

Bashkimi i tyre: 22 Maj 1990

Anëtar i Kombeve të Bashkuara: 30 Shtator 1947

Anëtar i Konferencës Islamike: 1969      

Islami ka hyrë në Jemen në vitin e tetë hixhri, atëherë kur udhëheqësi i saj Bad’hani pranoi Islamin. Jemeni është udhëhequr nga shumë mbretëri e ndër më të njohurat janë: Beni Zijad: 818 -1000,  Es Sulejhijun: 1047 – 1137, Er Resulijun. Në vitin 1538 Jemeni u nënshtrua nga Perandoria Osmane gjer në vitin 1635, kohë kur Zejditët morën kontrollin e një pjesë të Jemenit, si qytetet: Sana, Aden dhe Teiz. Pastaj Osmanlinjtë u kthyen përsëri edhe disa herë të tjera, gjersa më 1918 përfundimisht u tërhoqën nga vendi dhe pushtetin e mori Jahja b. Humejd ed Din. Por Jahjai nuk pati mundësi ta shtrinte sundimin e tij përveçse në veri të vendit, ndërsa në jug dhe lindje ende sundonin britanikët, të cilët u larguan nga Jemeni në vitin 1967. Në maj të vitit 1990 ndodhi edhe bashkimi mes Jemenit verior dhe atij jugor në një shtet të vetëm, që u quajt përfundimisht Republika e Jemenit.

Ana politike (Rregullimi shtetëror):

Jemeni është një republikë presidenciale me një legjislaturë dy-dhomëshe. Sipas kushtetutës presidenti i zgjedhur, 301 të zgjedhurit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 111 anëtarë të Këshillit Shura, janë ata që e ndajnë pushtetin. Presidenti është kreu i shtetit dhe kryeministri është kreu i qeverisë.

     Kushtetuta parashikon që presidenti të zgjedhet me votim popullor nga së paku dy kandidatë të miratuar prej të paktën pesëmbëdhjetë anëtarëve të Parlamentit. Kryeministri, nga ana tjetër, emërohet nga presidenti dhe duhet të miratohet nga dy të tretat e Parlamentit. Presidenti zgjidhet për një periudhe shtatë vjeçare dhe për parlamentarët është gjashtë vjet.

     Presidenti Ali Abdullah Salih u zgjodh fillimisht si president në Jemenin e ribashkuar në vitin 1999[1].  Ai u rizgjodh në zyrën e presidentit përsëri në shtator 2006. Fitorja e Salihut në zgjedhjet e fundit u cilësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë si “pjesërisht të lira”, megjithëse zgjedhjet u shoqëruan me shfaqje dhune, shkeljet e lirive të shtypit dhe dyshimeve për mashtrim nga opozita.

     Lufta e Gjirit Persik dhe invadimi i Kuvajtit nga Iraku, ku Jemeni mbajti anën e Irakut dhe ishte kundër përdorimit të forcës vuri në rrezik marrëdhëniet e tij me shtetet e Gjirit Persik dhe kjo ndikoi shumë në ekonominë e vendit. Por gradualisht marrëdhëniet mes tyre filluan të normalizohen dhe në vitin 2000 Jemeni nënshkroi marrëveshjen rreth kufirit me Arabinë Saudite, duke i dhënë kështu fund mosmarrëveshjeve 50 vjeçare rreth kufirit.

Historia dhe sfidat bashkëkohore të Jemenit:

      Që nga viti 2004, një luftë civile është duke u zhvilluar në veri të Jemenit midis forcave jemenase dhe rebelëve shiit Huthi. Në 2009, ky konflikt u përhap në rajonin kufitar fqinj të Arabisë Saudite. Ky konflikt është gjithnjë e më shumë duke u bërë një rrezik për stabilitetin e rajonit, si dhe vende të ndryshme që mund të përfshihen, p.sh. Irani, Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania.

     Atëherë, kush janë Huthijunët?

     Huthijunët janë një lëvizje rebele, batinije, e cila është themeluar në Sade, në veri të Jemenit. Prej veçorive të tyre kryesore:

–  Janë ndarë nga medhhebi Zejdij[2].

–  Ecin hapave të Hezbollahit (politikisht dhe fetarisht).

–  I kanë përqafuar besimet dhe bindjet e grupit Ithna Asherije (përndryshe Shiave të Iranit të sotshëm).

–  E quajnë veten: Organizata e Djemve Muslimanë.

     Bedrudin El Huthiu është udhëheqësi shpirtëror i lëvizjes dhe ai i përket grupit Xharudije, të cilët kanë dalë nga Zejditë dhe janë shumë afër Ithna Asherive, ndërsa udhëheqës i lëvizjes ishte Husejn Bedrudin El Huthiu, i cili u vra në vitin 2004. Atë e zëvendësoi vëllai i tij Abdulmaliku e që u vra para pak ditëve në konfliktin e fundit.

     Gjatë gjithë kohës Shiat e Iranit janë munduar ta shtrijnë ndikimin e tyre tek Zejditë e Jemenit. Pas Revolucionit Islamik në Iran, Ithna Asheritë filluan ta shtrijnë medhehbin e tyre mes Zejdive dhe ia dolën me sukses. Kjo duket në ligjëratat dhe festat e tyre të ndryshme. Ata gjetën në organizimin e “Djelmoshave Besimtarë” të Bedrud Din El Huthit tokën pjellore për përhapjen e ideve të tyre. Argumentet se Irani qëndron pas kësaj lëvizjeje rebele janë të shumta dhe sikurse ka vepruar me Hezbollahun, Irani është munduar  që përmes kësaj lëvizjeje të zbatojë programin e drejtimit fetar të tij edhe në këtë pjesë të botës Islame.

     Huthijunët kanë marrë goditje të forta nga Arabia Saudite në konfliktin e fundit, megjithatë ata përbëjnë një rrezik potencial për rajonin dhe Siujdhesën Arabike në tërësi.

     Ekonomia e Jemenit:

     Jemeni ka një ekonomi të dobët në krahasim me shtetet e tjera arabe, për shkak se në Jemen ka shumë pak naftë. Rezervat e naftës janë varfëruar brenda pak viteve. Rënia e çmimeve të naftës e ka dëmtuar edhe Jemenin dhe e ka ngadalësuar zhvillimin e vendit. Rezervat e Jemenit kanë rënë me shpejtësi vit pas viti duke sjellë frikën e një kolapsi ekonomik. Që nga bashkimi, qeveria ka punuar për integrimin e dy sistemeve relativisht të ndryshme ekonomike. Megjithatë goditja më e rëndë përfshin kthimin në vitin 1990 të rreth 850.000 Jemenasve nga shtetet e Gjirit Persik, që përbën një ulje të madhe të ndihmës së ardhur nga fuqia punëtore jashtë vendit. Rritja ekonomike u pengua edhe nga mosmarrëveshjet e brendshme politike, që kulmuan me luftën civile në vitin 1994. Jemeni ka një pasuri të madhe në bagëti dhe prodhon lloje të ndryshme drithërash.


[1]  Edhe pse ai kishte qenë President i Jemenit të bashkuar, që nga viti 1990 dhe President i Jemenit të Veriut, që nga 1978.

[2]  Medhhebi Zejdi: Zejditë hadevijë konsiderohen prej grupeve shiite që janë më të afërt me Ehli Sunetin. Medhhebi tyre dallohet me largimin nga ekstremi, që është i pranishëm te Ithna Asheritë dhe shiat e tjerë. Prejardhja e tyre kthehet te Zejd ibën Ali Zejnul Abidini. Ai e shihte të saktë imamatin e Ebu Bekrit, Omerit dhe Osmanit dhe asnjë nga zejditë nuk thotë se Sahabët janë jobesimtarë. Por grupet  e Zejdive përveç hadevive kanë devijuar nga parimet e Zejdit dhe kanë përqafuar mendimin se: refuzojnë udhëheqjen e Ebu Bekrit dhe Omerit, dhe i kanë përqafuar besimet e tjera të ithna asherive të tjerë që lidhen me imamatin. Kështu vijmë në përfundim se Zejditë janë prej grupeve më mesatare shiite në qëndrimet e tyre, si dhe grupi Xharudi prej tyre janë njësoj në qëndrimet e tyre me grupet shiite ekstreme edhe nëse fshihen pas petkut të Zejdive.

 

DRITON LEKAJ/albislam.com

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit