2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Rënia e murit ndodh vetëm me rënien e Qeverisë”

Më të lexuarat

Ani pse jemi në përfundim të muajit janar, muaj ky i caktuar si afat kohor në rezolutën e Kuvendit të Kosovës që e obligon Qeverinë e vendit për të rrënuar murin e ndërtuar ilegalisht në veri të Mitrovicës, kjo e fundit nuk ka bërë asnjë veprim konkret deri më tani karshi kësaj çështje.

Por, pavarësisht asaj që ka kaluar 30 ditëshi i këtij muaji, një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ende kanë shpresë se Qeveria do ta respektoj afatin e caktuar në këtë rezolutë për rrënimin e murit, kurse pjesa tjetër këmbëngul se rënia e tij do të ndodh vetëm me rënien e Qeverisë.

Time Kadrijaj, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, konsideron se nuk është hera e parë që ekzekutivi nuk po e respekton rezolutën, pasi që sipas saj një gjë e tillë ka ndodhur edhe me rezolutat e më parshme të nxjerrura nga Kuvendi.

“Debati parlamentar për murin e ndërtuar ilegalisht në veri të Mitrovicës, version i dhënë edhe nga Ministria e ambijentit si ndërtim pa leje është dasht të rrënohet edhe pa rezoluten e Kuvendit. Rezoluta është përkrahur nga të gjitha partitë parlamentare dhe është dhënë afati kohor për rrënim qe ka qenë muaji janar. Qeveritarët tonë ndoshta tash po e diskutojnë këtë çështje në bisedimet në Bruksel. Kjo s’është hera e pare që s’po implementohen rezolutat obligative për implementim por të shpresojmë se kjo do të ndodhë”, tha Kadrijaj për “Gazeta Blic”

Edhe Haxhi Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA-s, thotë se janë mësuar me mosrespektimin e rezolutave të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë, por ai thekson se afat kanë edhe sot për ta reskeptuar rezolutën e fundit. Por, nëse një gjë e tillë nuk do të ndodh, sipas këtij deputeti nesër do të marrin një qëndrim me deputetët e partive opozitare dhe një pjesë e atyre të pozitës.

“Ne si deputetë jemi mësuar me mos respektimin e rezolutava të Kuvendit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës por për këtë ka afat edhe sot, pra deri në përfundim të muajit janar dhe po presim se çfarë veprimi po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës. Jemi në pritje të realizimit të rezolutës, në qoftë se nuk realizohet do të shohim nesër se cili do të jetë qëndrimi jo vetëm i NISMA-s por edhe i të gjitha partive opozitare dhe një pjesë e partive në pozitë se edhe ata kanë qenë votues të rezolutës”, ka thënë Shala për “Gazeta Blic”

Në anën tjetër, Blerim Grainca deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, është shprehur i painformuar rreth çështjes së murit. Ai ka kërkuar nga Ministri i Planifikimit, Ferat Shala dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni që të tregojnë se çka po ndodh rreth kësaj çështje.

“Po e vërtetë se parlamenti e ka nxjerr një rezulute dhe ka caktu afate. Deri tani nuk kemi zhvillime rreth rrënimit të murit. Por si deputet nuk kam asnjë informatë zyrtare se çka po ndodh apo pse nuk po rrëzohet. Ministri i planifikimi dhe Ministri i brendshëm duhet të tregojnë çka po ndodhë. Besoj se ditët në vijm parlamenti do t’i kthehet kësaj çështje prap”, tha Grainca.

Kurse Donika Kadaj Bujupi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, konsideron se muri i ndërtuar në mënyrë ilegale në veri të vendit mund të rrënohet vetëm atëherë kur ndërpritet dialogu me Serbinë dhe bie Qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.

“Rënia e murit mundësohet vetëm me ndërprerjen e dialogut dhe me rënien e kësaj Qeverie e cila nuk është e gatshem që të kushtëzojë Serbinë por përkundrazi po vazhdon të dialogojë pa parime dhe pa platformë. Para se të ndërtohet ky mur u ndërtua lugina e diellit, para se të ndodh ndërtimi i murit kjo Qeveri e shkeli kushtetutën për “zajednicën”, kjo Qeveri me të gjitha veprimet e veta po e cënon rëndë sovranitetin dhe integritetin e vendit ndërkohë që po vazhdon t’i shërbejë interesave të Serbisë e cila dialogun me Kosovën e shfrytëzon për te ecur përpara në rrugën e saj drejtë BE-së. Kjo Qeveri në asnjë rrethan nuk ka respekutar rezoluta të parlamentit e nuk pritet që të respektoj as tani”, tha Kadaj – Bujupi.

Në lidhje me këtë çështje “Gazeta Blic” ka provuar të flasë edhe me deputetë e PDK-së, por ata nuk kanë qenë të gatshëm të japin ndonjë përgjigje.

E Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se do të respektohet afati kohor i caktuar nga rezoluta e Kuvendit të Kosovës për rrënimin e murit. Po ashtu Tahiri, ka thënë se ndaj murit do të veprohet ashtu siç është vepruar edhe ndaj trenit rus, më të cilin Serbia ka bërë përpjekje të hyjë në Kosovë por është ndaluar nga ana e Policisë së Kosovës.

Ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës ka nisur në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Disa ditë më vonë deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan një rezolutë me të cilën e obliguna Qeverinë e Kosovës për rrënimin e tij brenda muajit janar. /GazetaBlic.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit