Rëndohet situata në familjen Metallari në Kamëz dhe sidomos për djalin vrasës, Mirald Metallarin: Ka ndërruar jetë sot në spital edhe nëna e tij, Nurija, 47 vjeçe, e cila u doli para plumbave të të birit për të shpëtuar të shoqin!
Policia e Tiranës njofton:
Në lidhje me ngjarjen e datës 24.07.2017 , ku shtetasi Mirald Metallari, 21 vjeç, për shkak të një konflikti të çastit, për motive banale qëlloi mbi të atin shtetasin M.M.,62 vjeç, punonjës policie, duke e lënë të vrarë dhe plagosi të ëmën, shtetasen Nurie Metallari 47 vjeçe, ju bëjmë me dije se : Sot më datë 04.08.2017, rreth orës 08:00, ka ndëruar jetë si pasojë e plagëve të marra shtetasia N.M., 47 vjeçe.
Shtetasi M.T., është arrestuar dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të tij për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal.
Mirald Metallari, 21 vjeç, ndodhet në burg me akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, ku viktimë është babai tij si dhe “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë (deri dje) me të dëmtuar nënën e tij shtuar akuzën “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin pas ngjarjes që ndodhi mesditën e datës 24.07.2017, ku Mirald Metallari ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babain e tij, Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari.
Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin, shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.
Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij shtetasja Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.
Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se shtetasi Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.
Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e Policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i shtetasit Mirald Metallari si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.
Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, shtetasi Mirald Metallari, i cili ndër të tjera ka deklaruar se:
Më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Mirald-i ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.
Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dal me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash.
Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Mirald-it, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Mirald-i thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital.
Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë.
Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.