-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Rëndësia e Gjykatës Speciale dhe arrestimet e eprorëve të UÇK-së

Më të lexuarat

Formimi i Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të periudhës 1998 deri 2000 nuk do t’u besohet gjyqtarëve shqiptarë.
 
Dhomat e specializuara të kësaj Gjykate, të cilat do të jenë dy sosh, si dhe Prokuroria, do të jenë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por që procedurat e ndjeshme do të zhvillohen jashtë vendit, respektivisht në Holandë.
 
Detaj tjetër për këtë Gjykatë është se ajo do të ketë mandat katërvjeçar dhe të gjitha kompetencat dhe mandatet e nevojshme do t’ia delegojë EULEX-it.
 
Avokatët kosovarë thonë se ende nuk dihet kur do të fillojnë arrestimet e eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse disa media nga Shqipëria kanë paralajmëruar se një gjë e tillë do të ndodhë në muajin maj të këtij viti.
 
Ndërsa për analistët, themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë vjen si pasojë e një sjelljeje të papërgjegjshme të klasës politike kosovare që nga çlirimi i vendit e deri më sot.
 
Gashi: Nuk dihet kur do të fillojnë arrestimet e para
 
Avokati Tomë Gashi, duke komentuar rreth formimit të Gjykatës Speciale, në një prononcim për “Zërin” ka deklaruar se askush nuk mund të dijë se kur do të fillojnë arrestimet e para ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, ku sigurisht, sipas tij, mund të ketë edhe ushtarë të thjeshtë të arrestuar, ashtu siç ka ndodhur thuajse në çdo rast të krimeve të luftës në gjykimet që janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë Kosovës në Tribunalin e Hagës.
 
“Sigurisht që nuk mund të ketë arrestime të askujt para se të funksionalizohet Gjykata Speciale, e cila sipas të gjitha gjasave do ta ketë selinë në Hagë. Askush nuk mund të dijë numrin e të të akuzuarve potencialë, ngase edhe vetë ambasadorja e SHBA-së në Kosovë ka deklaruar se mendon se mund të jenë deri në 10 raste, e jo se janë 10 raste. Ambasadorja Jacobson nuk ka deklaruar se “e di”, por ka deklaruar se ajo mendon se mund të jenë deri në 10 raste”, ka thënë ai.
 
Sipas tij, për ta ditur se sa raste janë dhe sa njerëz do te akuzohen duhet dikush të ketë qasje tepër të privilegjuar për të pasur çfarëdo informate të tillë rreth numrit të rasteve dhe numrit të të akuzuarve në Gjykatën Speciale. 
 
“Sigurisht, që i gjithë stafi i Prokurorisë dhe i Gjykatës Speciale do të jenë të huaj apo ndërkombëtarë dhe shqiptarë do të jenë vetëm të akuzuarit dhe mund të jetë ndonjë avokat, nëse ata e përzgjedhin si mbrojtës të tyre”, ka deklaruar ai, duke shtuar se tani është terreni mjaft i përshtatshëm që persona të papërgjegjshëm të japin deklarata spekulative për të krijuar një lloj “emri” të vet dhe për ta dëmtuar Kosovën si shtet të ri edhe me spekulime se”e dinë” se sa persona do të akuzohen dhe kur do të akuzohen.
 
“Gjykata do ta ketë mandatin e parë 5 vjet, por me siguri që ky mandat mund të vazhdohet dhe kjo varet prej mundësisë teknike, juridike dhe interesave të ndryshme që vendosin rreth kohëzgjatjes së punës se kësaj Gjykate”, është shprehur ai.
 
Koci: Mund të jenë deri në 40 persona të akuzuar
 
Nga ana tjetër, avokati Arianit Koci, ka thënë se është herë të flitet për arrestimet e para në maj, pasi që nuk janë krijuar kushtet juridike.
 
“Përgatitja e infrastrukturës juridike merr shumë kohë. Në të njëjtën kohë, po përgatitet edhe terreni politik. Sa kam informacione, mund të ketë deri në 40 persona. Siç e di, aktakuza mund të zgjerohet. Momentalisht dihen rastet, por saktësisht kush do të përfshihet në aktakuzë, mendoj që askush nga kosovarët nuk e dinë. Mendoj që do të akuzohen persona nga të gjitha nivelet”, ka thënë ai.
 
Draftligji ka paraparë që në kuadër të kësaj Gjykate të jenë vetëm ndërkombëtarët.
 
Personalisht, mendoj qe kjo është gabim. Kjo Gjykatë do ta kishte legjitimitetin vetëm nëse në kuadër të saj do të kishte edhe kosovarë”, ka shtuar Koci.
 
Matoshi: Gjykata Speciale, “dhuratë” nga papërgjegjshmëria e klasës politike kosovare
 
Kurse, analisti për çështje politike Halil Matoshi, ka konsideruar se themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë vjen si pasojë e një sjelljeje skajshmërisht të papërgjegjshme të klasës politike kosovare që nga çlirimi i vendit e deri më sot.
 
Sipas tij, mbyllja e syve para krimeve eventuale të “kriminelëve tanë të mirë” dhe fokusimi tek krimet e armikut, përkatësisht tek “kriminelët e tyre të këqij”, pra mosguximi dhe paaftësia për të vendosur sistem vetanak të drejtësisë, e nxiti bashkësinë ndërkombëtare që t’ia imponojë Kosovës edhe një formë tjetër gjyqësori: Specialen!
 
“Dhe sot, harroni pallavrat e politikanëve, sepse nuk ka politikanë në Kosovë që ka kredibilitet për ta penguar krijimin e kësaj Gjykate, por në thelb nuk ka as fuqi, sepse kjo është një punë tashmë e kryer! Po të ndërtohej një sistem normal i drejtësisë në vend menjëherë pas çlirimit ose së paku pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, po të dënoheshin eksponentë të ish-gueriles UÇK për krimet eventuale të tyre, ose po të mbaheshin në burg ata që ishin dënuar simbolikisht dhe po të mos zhdukeshin dëshmitarët e ndryshëm dhe të mos zotëronte kodi i heshtjes së atyre dëshmitarëve që kishin mbetur gjallë, nga të gjitha rastet në gjyqësinë vendore (nën UNMIK-un) në atë ndërkombëtare (në Tribunalin e Hagës) dhe tashti në gjyqësinë e përbashkët EU-kosovare, sigurisht që kosovarët nuk do të dëgjonin për këtë lloj gjykate, asnjëherë”, ka thënë ai.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit