4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Rëndësia e besimit në Ditën e Gjykimit!

Më të lexuarat

Rëndësia e besimit në Ditën e Gjykimit!
Besimi në Ditën e Gjykimit është një shtyllë prej shtyllave të imanit (besimit). Ai është një prej besimeve parësore në Islam, sepse çështja e Ringjalljes është një çështje mbi të cilën ngrihet i tërë besimi pas Njëhsimit të Allahut. Besimi i Jetës Tjetër është besimi në diçka të fshehtë, të cilën nuk mund ta preceptoj mendja e njeriut. Rruga e vetme për njohjen e këtij besimi është vetëm shpallja. Për rëndësinë e kësaj Dite Allahu thotë në Kuran:
“Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit…” (Bekare, 177) dhe:
“ Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit.” (Talak, 2)

Pothuajse nuk ka faqe në Kuran, ku të mos përmendet aty Dita e Fundit dhe shpërblimi dhe dënimi në këtë ditë. Jeta në këndvështrimin islam nuk është kjo jetë e shkurtër dhe e kufizuar e kësaj bote dhe as mosha e shkurtër dhe e kufizuar e vetë njeriut në të. Jeta në këndvështrimin islam, për nga gjatësia kohore shtrihet deri në pafundësi dhe për sa i përket vëndit, ajo shtrihet në vëndbanime të tjera, si në Xhenet, gjërësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës, ose në Zjarr ku ka vënd për shumë breza të cilët kanë jetuar në tokë përgjatë viteve të tëra. Allahu në Kuranin Famëlartë thotë:
“Garoni midis njëri-tjetrit për të fituar falje prej Zotit tuaj dhe Xhenetin, gjërësia e të cilit është sa gjërësia e qiellit dhe e tokës. Ai është përgatiur për ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Hadid, 21) dhe:
“Atë ditë kur ne i themi Xhehenemit: “A je mbushur?” e ai thotë: “A ka dhe më të tjerë?” (Kaf, 30)

Besimi në Allahun dhe në Ditën e Fundit bashkë me shpërblimin dhe dënimin që mbart kjo ditë dhe i vetmi orientues real i sjelljeve të njeriut drejt rrugëve të mirësisë. Asnjë ligj ose kanun prej kanuneve njerzore nuk ka mundësi t’i barazojë apo t’i drejtojë sjelljet e njeriut ashtu siç i barazpeshon dhe drejton besimi në Ditën e Fundit. Lidhur me këtë që thamë vërehet një dallim i madh dhe një hapsirë e gjerë midis sjelljeve të atij që beson në Allahun dhe Ditën e Fundit, duke e ditur që kjo botë është ara e Botës Tjetër dhe se veprat e mira janë paisje për në Botën Tjetër, dhe sjelljeve të një tjetri që nuk beson në Allahun, në Ditën e Fundit apo në shpërblim dhe në ndëshkim. Allahu i Lartësuar thotë:
“Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (Bekare, 197)
Besimtari, i cili beson në Ditën e Fundit arrin të zotërojë një sjellje të veçantë në këtë jetë. Ai është i paluhatshëm, me vizion të gjerë, me besim të fortë, i qëndrueshëm në vështirësi dhe i durueshëm në fatkeqësi, të gjita këto me shpresën, se do të arrijë shpërblimin e Allahut dhe se ajo që gjëndet tek Allahu është më e mirë dhe e përhershme.

Imam Muslimi përcjell prej Suhejbit (radiallahu anhu) se Profeti (alejhi selam) ka thënë:
“Sa çudi me besimtarin! E tërë çështja e tijë është mirësi dhe kjo nuk është për askënd tjetër përveç tij. Kur atij i vjen një e mirë ai falendern dhe kjo është një mirësi për të. Kur atij i vjen një e keqe ai duron dhe kjo është një mirësi për të.”
Shërbimi dhe dobia e muslimanit nuk mbetet vetëm midis njerëzve, por ajo arrin edhe tek kafshët një gjë të tillë e shohim në thënien e njohur të Omer bin Hatabit (radiallahu anhu): “Nëse një mushkë rrëzohet në Irak, unë besoj se Allahu ka për të më pyetur për të: “Përse, o Omer, nuk ja ke shtruar asaj rrugën? Kjo ndjenjë është rezultat i besimit në Allahun dhe në Ditën e Fundit. Kjo tregon shqetësim ndaj peshës së pasojave dhe ndaj amanetit të madh. Ky amanet i madh, të cilin pranoj ta mbajw njeriu, ndërsa qiejt, toka dhe malet qëndruan të frikësuar përpara pranimit të tij. Besimtari e di se ka për t’u vënë përpara përgjegjsisë , ka për t’u marë në llogari dhe ka për t’u shpërblyer për çdo veprim të madh e të vogël. Nëse veprat kanë qenë të mira, ka për tu shpërblyer me të mirë dhe nëse kanë qenë të këqija ka për t’u ndëshkuar keq. Për këtë Allahu thotë në Kuranin Famëlartë:
“Kini frikw ditën, kur çdokush do ta gjej përpara atë që ka punuar mirw dhe atë qw ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe të keqes së tij të ketë largësi të madhe.” (Ali Imran, 30) dhe:
“Dhe libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do ti shohësh gjyhnaqarët sesi do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë as një vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar?!” Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf, 49)

Ndërsa njeriu i cili nuk beson në Allahun, në Ditën e Fundit, në llogarinë dhe shpërblimin që e pret në këtë Ditë mundohet me të gjitha forcat që të arrijë objektivat e tij në këtë botë. Ky lloj njeriu rend në këtë jetë vetëm për të plotësuar kënaqësitë e tij dhe për të grumbulluar sa më shumë pasuri prej saj. Njerëzve nuk mund t’i vijë as një e mirë nëpërmjet tij. Shqetësimi më i madh i tij është vetëm kjo jetë. Ai vetëm rreth saj ka njohuri. Ai çdo çështje e vlerëson vetëm në bazë të interesit të tij personal. Atij nuk i interesojnw të tjerët. Ky lloj njeriu ecwn i kufizuar brenda kufijve të kësaj toke dhe brenda kufijve të jetëgjatësisë së tij, mirwpo më vonë llogaritë i dalin ndryshe dhe përfundimi është i gabuar, sepse atij ju duk e pamundur ringjallja në Botwn Tjetër. Allahu i Lartësuar thotë në Kuranin Famëlartë:
“Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë dhe pyet: “Kur do të jetë Dita e Kiametit?” (Kijame, 5-6)
Ky këndvështrim injorant, i kufizuar dhe i ngushtë, i shtyn injorantët të derdhin gjak, të rrëmbejnë pasuri etj, sepse ata nuk besojnë Ringjalljen dhe shpërblimin. Të tillët Allahu i përshkruan në Kuran kur thotë:
“Ata thoshin: “S’ka tjetër, përveç jetës në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi.” (En-Am, 29)

Idhujtari dëshiron të jetojë sa më gjatë, sepse ai nuk shpreson se do të jetojë pas vdekjes. Këta lloj njerëzish dhe të ngjashëm me këta janë më të këqinj. Midis tyre gjendet lakmia e pangopur. Këta njerëz, kur shohin se jeta e tyre po kalon në vështirësi, me lodhje, me dhimbje dhe jo sipas kënaqësive të shpresuara, nuk kanë asnjë shkak që t’i parandalojw nga vetwvrasja. Ata nuk besojnë se do të gjinden para përgjegjsisë në Jetën Tjetër, kështu që nuk u mbetet arsye që t’i pengojë nga dhënia fund e kësaj jete. Për këtë arsye Islami i ka dhënë rëndësi të veçantë besimit në Ditën e Fundit, vërtetimit të Ringjalljes, llogarisë dhe shpërblimit. Allahu në Kuran i kundërvihet injorantëve, që nuk e besojnë Ringjalljen dhe urdhëron Profetin e Tij, që të betohet në vërtetësinë e një fakti të tillw. Allahu thotë:
“Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë që bëtë.” Dhe kjo është e lehtë për Allahun.” (Et-Tegabun, 7)

Allahu na ka treguar ndodhinë e Ditës së Kiametit, shpërblimin që ka përgatitur për robërit e Tij të devotshëm dhe ndëshkimin që ka përgatitur për kundërshtarët e Tij. Ai i tërheq vërejtjen mohuesave me anë të argumenteve, që vërtetojnë realitetin e kësaj Dite, me qëllim që të largojnë çdo lloj dyshimi në zemrat e tyre dhe që njerëzit ta marin parasysh këtë Ditë, e cila të rrënqeth trupin me ngjarjet e saj. Allahu i Madhëruar u tregon njerëzve tërë këto hollësi në lidhje me jetën pas vdekjes, me qëllim që sjelljet e tyre në këtë jetë të drejtohen drejt zbatimit të Fesë së Vërtetë, të cilën ua solli i Dërguari i Allahut, Muhamedi (alejhi selam).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit