Nicolas Maure, zëvendëspresident i lartë i Grupit “Renault” për Rajonin e Euroazisë, kompani që numëron mbi 7.000 të punësuar dhe operon prej gati 50 vitesh në Turqi, deklaroi të enjten se kanë besim tek ekonomia turke…
Gjiganti francez i automobilistikës, “Renault”, ka rikonfirmuar besimin e tij për Turqinë dhe ekonominë e saj.
Nicolas Maure, zëvendëspresident i lartë i Grupit “Renault” për Rajonin e Euroazisë, kompani që numëron mbi 7.000 të punësuar dhe operon prej gati 50 vitesh në Turqi, deklaroi të enjten se kanë besim tek ekonomia turke.
Ai bëri me dije se po i ndjekin nga afër dhe me vëmendje zhvillimet në Turqi.
“Më datë 26 qershor (2018), ne firmosëm një marrëveshje partneriteti të re me Fondin Plotësues Ushtarak të Pensionimit (OYAK), partner i yni që prej vitit 1969, për të zgjatur edhe për 27 vite praninë tonë në Turqi. Vazhdimi i këtij partneriteti është treguesi më i madh i besimit që ne kemi te ky vend. Turqia është një vend shumë i rëndësishëm për ne. Do të vazhdojmë të zhvillojmë projekte të reja në Turqi”, theksoi zëvendëspresident i lartë i Grupit “Renault” për Rajonin e Euroazisë.
Ndërsa drejtori i përgjithshëm i OYAK-ut, Suleyman Savas Erdem, vuri në pah se partneriteti ndërmjet Grupit “Renault” dhe Fondit Plotësues Ushtarak të Pensionimit në Turqi siguron një kontribut të madh edhe për ekonominë e vendit.
“Si një institucion që përpiqet t’u shërbejë ekonomisë turke dhe kombit turk, ne i besojmë fuqishëm të ardhmes së vendit tonë, ndaj do të vazhdojmë pa ngadalësuar bashkëpunimet ndërkombëtar dhe investimet tona”, u shpreh Erdem.