3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Refugjatët sirianë të shpërndarë në 127 vende nëpër 6 kontinente

Më të lexuarat

Sipas kreut të koalicionit opozitar sirian, Abdurrahman Mustafa, zgjidhjet politike për Sirinë duhet të largonin krizat e reja humanitare dhe të siguronin të drejtat e personave të zhvendosur, të cilët gjatë luftës civile janë shpërndarë anembanë globit.

Duke folur për AA, Mustafa tregoi se goditjet e regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndaj protestave pro-demokratike në vitin 2011 çoi në një eksod masiv të sirianëve në 8 vitet e fundit, duke u shpërndarë në 127 vende nëpër gjashtë kontinente.

Mustafa thekson se regjimi duke parë luftën e popullit sirian për liri kërkoi ndihmën e milicive nga Libanit dhe Garda Revolucionare e Iranit, si dhe armët kimike. Heshtja e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi si dhe qëndrimi i Rusisë, thotë ai, luftën civile e çoi në masakra dhe migrim masiv.

“Regjimi dhe aleatët e tij ende nuk kanë përfunduar planet e tyre. Qindra mijëra civilë do të zhvendosen në veri të Sirisë”, thekson Mustafa, duke iu referuar sulmeve të regjimit në disa nga fortesat e fundit të opozitës.

Siç thotë kreu i opozitës siriane, çdo zgjidhje politike e sponsorizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) duhet të ofroj siguri për kthimin e shumicës së refugjatëve sirianë.

Sirianët në Liban

“Situata e sirianëve që kanë rënë në një ‘rrugë qorre’, veçanërisht në kampet libaneze, është e papranueshme. Ne e dimë se gjuha provokuese kundër sirianëve nuk përfaqëson popullin libanez”, thekson Mustafa.

Afërsisht 1 milion refugjatë sirianë aktualisht ndodhen në Liban, vendi i dytë me refugjatë sirianë pas Turqisë.

Roli i Rusisë

Rreth rolit të Rusisë, Mustafa thekson se së pari ata mbështetën dhe kontribuan në masakrat dhe deportimet, ndërsa pastaj po ashtu imponuan një urdhër që, sipas tij, minon një zgjidhje politike.

“Ata bien ndesh me mekanizmat ndërkombëtare dhe i ndalojnë ata të ndërhyjnë”, shprehet ai.

Turqia, morale dhe besnike

“Sot, Turqia është vendi më moral dhe besnik në qëndrimin e saj humanitar ndaj popullit sirian. Sirianët nuk do ta harrojnë kurrë rolin që Turqia luan në strehimin e shumicës së sirianëve midis vendeve të tjera”, thotë Mustafa.

Turqia strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Mustafa bën të ditur se mijëra sirianë të zhvendosur ishin në gjendje të kthehen në shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e tyre me ndihmën e operacioneve ushtarake turke, në bashkëpunim me Ushtrinë e Lirë Siriane, për të çliruar rajonet kufitare të terroristëve.

Që nga viti 2016, operacioni turk “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” kanë pastruar zona të mëdha në veri të Sirisë nga pushtimi i terroristëve të DEASH-it dhe PKK/YPG-së.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40 mijë personave, përfshirë gra dhe fëmijë. YPG është dega e saj siriane.

Refugjatët sirianë sipas numrit

Që nga viti 2011, mbi 13 milionë sirianë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, duke i bërë ata komunitetin më të madh të zhvendosur në botë.

Rreth 6.18 milionë prej tyre u zhvendosën brenda vendit, ndërsa 6.65 milionë u strehuan në vende të tjera.

Rreth 140 mijë sirianë kërkuan azil në 127 shtete të shpërndara nëpër gjashtë kontinente, por shumica apo 85 për qind e tyre mbetën në Lindjen e Mesme.

Deri në fund të vitit 2018, numri i sirianëve në Turqi arriti në 3.62 milionë. Përveç kësaj, 944.200 refugjatë sirianë ka në Liban, 676 mijë në Jordani, 300 mijë në Irak dhe 132.900 në Egjipt.

Vendet e tjera kryesore ku strehohen refugjatët sirianë janë Gjermania me mbi 532 mijë sirianë, Suedia me mbi 109 mijë, Sudani me mbi 93 mijë, Austria me mbi 49 mijë, Holanda me mbi 32 mijë dhe Spanja me gati 14 mijë sirianë.

Mustafa tha se shifrat aktuale janë më të larta sesa të dhënat zyrtare.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit