9.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Refiqe Tërnava: Për çështjen e shamisë e lirisë së besimit të ndjekim modelin e Evropës e SHBA-së

Më të lexuarat

Një ndër të veçantat e kësaj fushate në Kosovë është dhe kandidimi i vajzës së Myftiut Naim Tërnava, kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, një prej figurave me peshë në jetën publike të shoqërisë kosovare.

Refiqe Tërnava-Beka thotë se nuk vuan nga ndonjë ambicie për karrierë, porse e do protagonizmin politik, si një mënyrë për t’i ndryshuar gjërat për mirë.

Gjithashtu, në një intervistë për “tesheshi.com”, e ndodhur në një shoqëri ku “shamia” gjendet prej vitesh përballë një “ushtrie anti-saj”, kandidatja Tërnava e sheh këtë dhe si frymë anti-demokratike, siç thotë, nga një elitë udhëheqëse që nuk shkëputet dot nga rrënjët komuniste.

“Më irriton fakti që gratë me shami, apo edhe feja në përgjithësi, në Kosovë trajtohet si një temë tabu, sidomos duke kujtuar faktin që jemi në një shtet me shumicë myslimane dhe pretendojmë që jetojmë në demokraci. Çka është dallimi në mes një gruaje me shami, dhe të gjitha grave tjera që mund të jenë pjesë e kuvendit të Kosovës? A nuk e ka çdo kosovar identitetin e tij/saj fetar dhe kombëtar që e garanton kushtetuta e Kosovës? Nëse e besojmë dhe praktikojmë demokracinë mbi te cilën thirremi dhe pretendojmë që e aplikojmë, atëherë nuk kemi arsye t’i shohim gratë e mbuluara si rast i veçantë”, ka thënë Tërnava.

Sipas saj, gjendja e sotme ekonomike, sociale dhe politike në Kosovë ka ndikim tek të gjithë ne.

“Si tek unë që bartë shaminë, si tek të gjitha gratë, nënat, dhe qytetarët tjerë. Nuk është njerëzore dhe kushtetuese që gratë me shami, apo çdo qytetar tjetër të gjykohet në këto baza. Do të ishte shumë më e drejtë dhe legjitime nëse do të gjykoheshim për kontributin që do ta japim në rast se zgjidhemi deputetë në Parlamentin e Kosovës”.

“Çdo ditë politikanët tanë tregojnë se sa është Kosova e orientuar kah Evropa dhe Amerika. Nëse po pretendojmë t’i ndjekim vendet e Evropës, e veçanërisht Amerikën, si modele të demokracisë, atëherë pse nuk i ndjekim ato edhe për çështjen e shamisë dhe fesë në përgjithësi. Fatkeqësisht, kjo është një hipokrizi që vjen nga politikanë që shihet dhe kuptohet që nuk kanë pasur rast të dalin nga Kosova dhe të shohin demokracinë e vërtetë që aplikohet në ato vende, dhe në të njëjtën kohë, akoma nuk po mund të ikin nga rrënjët e tyre komuniste. Prandaj këto tema, pa pikën e mëdyshjes, i konsideroj si tema që rrjedhin nga islamofobia dhe që kanë tendencë përbuzjen e një feje të cilës i takojnë më shumë se 1.8 miliard njerëz”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit