Ibrahim Gashi mori postin e Rektorit të Universitetit të Prishtinës pak javë pasi u tërhoq nga pozitat qeveritare dhe partiake. Në këtë mënyrë PDK dhe AKR duket se mbyllën edhe një pazar të koalicionit që e nënshkruan para një viti e gjysmë. Pasardhësi i Mujë Rugovës tha se në krye të Universitetit nuk e solli politika por vizioni i tij.
Dhe duket se skenari u realizua. Bash ashtu siç flitej e pritej. Ibrahim Gashi u zgjodh rektor i Universitetit të Prishtinës. Deri para nëntëmbëdhjetë ditësh, ishte diplomat. Ai mbante postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Krahas tij, edhe atë të nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR) të drejtuar nga Behgjet Pacolli, shkruan “Expre.
E gjetur në koalicion qeveritar me PDK-në e Hashim Thaçit, partia e Pacollit vazhdimisht kërkonte edhe një ministri.
Por e mbetur vetëm me tre deputetë në Kuvendin e Kosovës, nga trembëdhjetë sa kishte dikur, marrja edhe e një resori qeveritar ndoshta dukej tepër.
Alternativë duket se doli posti i rektorit të UP-së.
I destinuar të mbetet gjithmonë nën hijen e politikës, lokomotiva e institucionit më të lartë të arsimit publik në vend, sikur vetëm ndërroi drejtuesin.
Nga Mujë Rugova te Ibrahim Gashi. Disi krejt papritur, nëntëmbëdhjetë ditë më parë, Gashit iu ndez dëshira për jetën akademike e universitare.
Nga një person që fliste në emër të shtetit, priste e përcillte delegacione të huaja, që udhëtonte shpesh jashtë vendit, sikur u kujtua se UP-ja ka nevojë për të.
Por vetë Gashi nuk e pranon se politika ka gisht në emërimin e tij si rektor.
“S’ka ndikuar fare politika që unë të zgjidhem rektor. Por dua t’ju tregoj se edhe gjatë ekspozimit të planit, vizionit tim para anëtarëve të Këshillit Drejtues, e kam vërejtur disponimin e tyre që të më zgjedhin mua”, tha Gashi të hënën në televizionin Klan Kosova. /Telegrafi/kohaislame